Ylli Pata: Pse 'ndezi ferrin' brenda foltores dashuria e re Berisha-Bardhi?

Ylli Pata: Pse 'ndezi ferrin' brenda foltores dashuria e re Berisha-Bardhi?

Bardhi në takimin me Berishën

Që nga afrimi i pipzave ndërmjet Sali Berishës dhe Gazmend Bardhit, pas një periudhe pritje po vijnë gjithnjë e më shumë deklarata të forta nga njerëz që ju bashkuan foltores që në ditët e para.

Evi Kokalari, Aleksandër Biberaj, kandidati i foltores për bashkinë e Vorës, por edhe të tjerë në rrjete tregojnë qartas irritimin e tyre për këtë dashuri politike, e cila u soll si një risi politike, por që në thelb nuk ka asgjë të re.

Megjithatë, parë këto reagime, ja vlen të diskutohet në kontekst një zhvillim që kur ndodhi, shumë pak vetë nga zërat publikë i dhanë zë.

Kur Sali Berisha më 19 maj 2021 u shpall Non Grata prej qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për: Korrupsion Madhor, Pengim të Drejtësisë dhe minim të Demokracisë, për disa muaj pllakosi një vetmi e madhe për doktorin.

Asnjë emër, asnjë figurë e rëndësishme e PD-së apo e djathtës shqiptare nuk foli publikisht, megjithëse ishte krejt e pritshme që të paktën ndonjë mesazh solidarizues ngushëllimi të ishte dhënë.

Njerëz që Berisha u kishte dhënë gjithçka në pushtetin politik të PD-së, partive aleate por edhe në shtet e ekzekutiv, nuk pipëtinë.

Duke e parë këtë situatë, doktori shpërtheu më pas me tezën apo aksionin e foltores, për të rrëzuar Lulzim Bashën.

Ishte pikërisht ky aksion, që ndaj tij nisën të afroheshin një numër i madh personazhesh që s’e honepsnin dhe e kishin kundërshtuar prej vitesh. Të cilët e konsideruan Berishën si një trampolinë, si një mekanizëm për të krijuar atë që ata mendonin për trazimin e ujrave brenda Partisë Demokratike.

Pavarësisht se shumë prej tyre nuk se kishin shumë shpresë se do të arrinin ndonjë gjë, apo se vërtetë doktori do të ndihmonte kësaj radhe për të krijuar një elitë brenda PD-së, prishja e status quosë së krijuar nga lidershipi i gjatë i Lulzim Bashës, është synim apo ide krejt e logjikshme.

Pasi ndjenja në vend, duke pritur indulgjencat që vijnë nga lart, jo vetëm që ka shkaktuar këtë moçal në politikën shqiptare, por një opozitë vdes nëse ushqen sedentarizmin e idulaturën e ushqimit nga sqepi siç ndodh me zogjtë ndaj të vegjëlve.

Ishte e parashikuar dhe e parashikueshme një lëvizje jo e frytshme bashkimi me foltoren i çdo aspirant për tu aktivizuar në politikën e opozitës. Por më mirë se të rrish pa lëvizur, një hedhje në rrjedhën që lëvizte vrullshëm pas humbjes së tretë radhazi, edhe ja vlente të provohej. Madje ishte shumë mirë, pasi vulosi përfundimisht që Berisha, edhe kur është në epilogun e jetës së tij politike, mbetet ai harpagon që nuk hap zemrën e foltoren për ata që duan të aktivizohen në politikën e opozitës.

Natyrisht që edhe kjo ka shpjegim, pasi paranoja sa vjen e rritet, sidomos pas asaj goditje të fortë nga SHBA. E ku çdo interes legjitim nga kushdo për të ndërvepruar e për ta përdorur influencën e plakut, merret si arrivizëm, egoizëm apo karrierizëm. Kur në fakt është interesi, ingranazhi më i fuqishëm që ka lëvizur botën në gjithë historinë e saj.

Berisha mbajti rreth vetes vetëm një grup të afërt klanor e politik, që ishte i bindur se nuk do ta ta braktisnin në luftën e tij me Amerikën dhe Perëndimin.

Pra, edhe pse pritej ky përfundim, përpjekja e të gjithë atyre që hynë në foltore për të trazuar ujrat brenda mjedisit të opozitës shqiptare, ishte e rëndësishme, pikërisht për të treguar se Sali Berisha nuk ka mundësi, arsye dhe fuqi potenciale për të çuar politikisht gjërat përpara. Joshja që ju dha foltoristëve jo fanatikë për të shpërndarë pushtet kishte tjetër synim, për t’i përdorur si opinion dhe mjedis në luftën civile në PD për ta pastruar fushën që të rrinte vetë në krye.

Deklaratat e forta të foltoristëve të fillimit kundër Berishës për afrimin e tij me Gaz Bardhin, janë një zhvillim i rëndësishëm, e artikulimi për ditë më shumë i tezave të tilla do të japë pasoja, por edhe vrull në zhvillimin gjithnjë e më vibrant në mjedisin opozitar.

Ku relevanca e dinosaurve po zbret vrullshëm drejt vlerave sa më të vogla të bushtit numerik.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK