Ylli Pata: Rama në Kosovë, përtej protokollit

Ylli Pata: Rama në Kosovë, përtej protokollit

Kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Vizita e Edi Ramës në Prishtinë, direkt nga Nju Jorku, ku kërkoi anëtarësmin e Kosovës në OKB ishte një sinjal politik i fortë. Ka të drëjtë Besnik Mustafaj, kur tha sot që prej vitit 2008, të gjithë përfaqësuesit e Shqipërisë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator kanë hënë gjithmonë që Kosova duhet të anëtarësohet. Por në dritën e zhvillimeve agresive në veri të Kosovës, lëvizje e Edi Ramës ishte më shumë se adekuate; ishte në kohën e vendin e duhur.

Plus mesazhit dhe qëndrimit që u dha në konferencën me Albin Kurtin që ishte më shumë se mbështetje e Tiranës zyrtare; një rreshtim i qartë, i plotë i dy shteteve në një llogore; sot diplomatike, e ndoshta nesër nëse ndodh si në 1999, edhe më shumë se kaq.

Vizita e Ramës pati edhe pjesën e nderimit të Rexhep Qoses, që ka qenë gjithmonë një intelektual i admiruar në Shqipëri e jashtë, e veçanërisht nga Edi Rama. Madje në fjalimin e tij të parë në vizitën e parë zyrtare në Kosovë, në Parlamentin e vendit citoi Qosen, duke mërzitur LDK-në se nuk e bëri këtë citim për Rugovën, që ata e konsiderojnë më shumë se lider-një profet.

Në thelb, vizita e Edi Ramës në Kosovë shkriu gjithë akujt e tij me Albin Kurtin dhe ktheu, natyrisht jo krejt, marrëdhënien e vjetër mes tyre. Një zhvillim pozitiv pasi tensionoi një mjedis artificial e të rrezikshëm mes dy vendesh. Ishte një zhvillim i dobishëm, për të mos thënë fjalë të tjera që në këtë rast nga kundërshtarët e palëve merren si anësi apo lavdërime të tepërta.

Megjithatë, një nga lajmet e shumta të vizitës së Ramës në Prishtinë ishte takimi i kryeministrit shqiptar me Ramush Haradinajn. Ku u duk se e gjithë epoka e zymtë mes tyre nuk kishte ekzistuar. Kortezi, mikpritje, protokoll perfekt siç di të bëjë një “zviceran” si Ramushi, e natyrisht korrektesë institucionale.

Rama takoi edhe Behgjet Pacollin, me të cilin kanë edhe një raport institucional e kjo u duk natyrshëm në takim, e Fatmir Limajn.

Më pas, kryeministri shkoi në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës. E këtu realisht ndodhi lajmi real i vizitës së Ramës në Prishtinë. PDK, për PS-në është homologia, partia “motër”, ku relacionet kanë qenë më shumë se politike. E këtë e ka thënë me gojën e vet Edi Ramë disa herë. Në mes të fushatës elektorale, nga Kukësi, ai përmendi e falënderoi Hashim Thaçin, i cili nga Haga i ktheu përshëndetjet me nëj letër të shkruar bukur kur Rama mori mandatin e tretë.

E sot kur Edi Rama mbërriti në selinë e njohur për çdo të majtë që shkon në Prishtinë, në bulevardin “Nëna Terezë”, nuk takoi asnjë “shenjë” me peshë të Uashtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo PDK-së reale, por vetëm Memli Krasniqin, Abelard Tahirin, një vajzë të re dhe sfondin blu ku ishte shkruar PDK.

Dy vite më parë, kur kryeministri i Kosovës vrapoi në Prishtinë pas aktakuzës ndaj Thaçit, takoi në PDK Kadri Veselin, një nga krerët e UÇK-së, Xhavit Halitin, një emër mitik e faktik i drejtimit të Luftës Çlirimtare, plus grupit të famshëm të Rambujesë.

E sot PDK-ja e re e Memlit, një reper shumë popullor, që babain, një publiçist të njohur shqiptar, e ka pasur themelues të LDK-së e bashkëpunëtor të afërt të Ibrahim Rugovës, nuk kishte asnjë shenjë jo thjesht nga partia e Hashim Thaçit, po as nga ajo stemë që gjithsesi është ende hitt në mediat ndërkombëtare.

Në fakt ky ishte lajmi real i vizitës së Edi Ramës në Prishtinë, një transformim i PDK-së jashtë çdo imagjinate që dikush e ka menduar. Një parti blu, që si ideolog ka profesorin nga Shqipëria Adri Nurellari, një konservator djathtist, që ka ndihmuar shumë që PDK-së t’i hiqet e shkuara marksiste e saj.

Por që brenda Kosovës, të gjitha votat “”marksiste” i kanë shkuar e sipas gjasave do t’i shkojnë Albin Kurtit. E kundërshtia e Memlit e profesor Nurellarit kundrejt Albinit do të vijojë në Facebook, me citate të antimarksistëve më të famshëm të botës.

E në Kosovë, pas Prizrenit, Mitrovicës, bastione të vjetra të UÇK-së jo thjesht prej luftës por edhe prej figurave mitike si Bajram Rexhepi, edhe Drenica, shtylla kurrizore e partisë së Hashim Thaçit mund të fitohet në zgjedhjet e tetorit nga Vetëvendosja. E ky është jo vetëm lajmi, por realisht drama e zhvillimeve politike të Kosovës. Natyrisht në radhë të parë për faj të Hashim Thaçit e Kadri Veselit…/ Gazeta "Tema"

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë