Ylli Pata: Reaksioni zinxhir i riciklimit që sollën Berisha e Meta!

Ylli Pata: Reaksioni zinxhir i riciklimit që sollën Berisha e Meta!

Sali Berisha dhe Ylli Pata

Debatet, pakënaqësitë, apo mërzitjet e mbështetësve mediatikë të Ilir Metës dhe Sali Berishën, që po vihet re këto ditë, ishte një proces i pritshëm, edhe pse i vonuar. Mos tani, dikur do të nisë ai procesi normal i reflektimit apo diskutimit të një situate që më shumë se stanjacion është ecje prapa me slow motion-s. Një lloj sequel alla shqiptar i sagës së “Back to the Future” të Robert Zemeckis. 

Në të gjitha ekranizimet e “udhëtimeve në kohë” që janë shumë e gjithmonë të pëlqyera, heroi kthehet në kohë për të rregulluar ato gjëra që i ka bërë gabim në kohën ekzakte. Një ëndërr për gjithkënd që thotë me vete: “ah sikur të kthehesha e ta ndreqja atë që djallosa”.

Ndërkaq, version shqiptar i “udhëtimit në kohë” e kthen përmbys këtë ndjesi që është e lashtë sa bota. Ky version që po përjetojmë, konsiston në ardhjen në kohën e sotme që ecën vazhdimisht përpara, të personazheve të lashta nga e shkuara. Megjithatë, edhe për këtë version, letërsia dhe kinemaja ka sjellë mjaft variante që sot i njohim me zhanrin “zombie”.

E siç ndodh edhe në këtë letërsi fantastiko-shkencore, e cila preardhjen e ka nga cartoons apo fumetti, ballafaqimi apo përballja me personazhet e të shkuarës është gjithmonë traumatike, e sjell mjaft përsthjellime.

Në fakt, një ditë do të vinim te ky ballafaqim, siç po e shikon në lëkurën e tij Ilir Meta, i cili po fshikullohet nga njerëzit që e kanë mbrojtur më fort gjithë këto vite. Natyrisht kjo përballje është kurioze më shumë për të parë një fenomen interesant, ku personazhe të njohur kthejnë xhaketën nga ana tjetër, por që për në Shqipëri nuk se ka lindur sot.

Ajo që duket se është më trishtuesja, e natyrisht më e dëmshmja për të ardhmen, është pikërisht reaksioni zinxhir që po prodhon riciklimi i Berishës dhe Metës në politikën aktive. Shembulli më i freskët: Rasti i Zef Hilës dhe Xhelal Mziut. Dy emra shumë të njohur të Partisë Demokratike, zyrtarë e drejtues vendorë për disa mandate në Bushat e Kamëz, bastione fanatike të PD-së. Hila e Mziu, pas përvojës së gjatë në drejtimin e komunave apo bashkive të tyre, kanë kryer një evolucion normal dhe për karrierën e tyre pozitiv në politikë, duhet thënë falë edhe Lulzim Bashës.

Mziu për herë të parë u zgjodh deputet, duke qenë edhe drejtues politik i qarkut të Dibrës, një zonë ku PD ka gjithmonë pretendime të rëndësishme. Kurse Zef Hila ishte deputet për të mbrojtur avancimin e PS-së dhe PSD-së së Tom Doshit në territorin që ka qenë kryetar komune. 

E në fakt, të dy kanë arritur rezultate aspak të këqija, krahasuar për shembull me rezultate deludente si ai i Tiranës, Durrësit apo edhe zona të tjera të vendit më 25 prill. Po përse kur karriera e tyre ndërkohë që po ecte përpara, ata rikthehen mbrapsht në kohë për të rimarrë bashkitë që i kanë drejtuar për më shumë se 3 mandate?

Përveç të tjerave, duket se fryma që po sjellin Berisha e Meta në opozitë po e nxit një sulm apo afrim me elektoratin radikal, atë fanatik që nuk luan nga istikami për të arritur rezultate politike. Një elektorat, që politikanë territoresh si Hila apo Mziu e kanë menaxhuar me vite e vite, dhe e njohin ndoshta edhe më shumë se Meta, pasi Sali Berisha në këtë  sektor është big master.

Prej 25 prillit Mziu nuk ishte ai politikani skifter dhe me gjuhë të ashpër, apo me tupan në dorë rrugëve të Bathores, por një politikan që veshi kostumin, e madje bën garë në studio televizive me kundërshtarët e tij për sjellje apo frymë intelektuale. 

Nuk është se ishte përmbysur bota, por evolucioni është gjithsesi progres. Ndërsa inversioni, kthimi mbrapsht i bën gjërat lëmsh gjithmonë. Këto dy raste janë pjesë e një fenomeni që po ndodh, e ka rrëzik të ndikojë edhe më shumë.  Në bastione, pra aty ku fitoren e ka në xhep, PD mund të promovojë figura të reja, të një niveli krejt tjetër dhe me formim të lartë intelektuale, për të sjellë një model ndryshe në burimet njerëzore. Pasi në bastione ka edhe më shumë mudnësi të ketë një qarkullim dhe konkurrencë të aktivistëve politikë që janë më shumë se në vendet ku PD humb gjithmonë.

Rasti i Bardh Spahisë në Shkodër, ku Meta duhet thënë se preferonte Voltana Ademin, ka pasur peshën e vet edhe për rifreskimin e kreut të bashkisë që PD e merr me sy mbyllur kurdo dhe si e do. Rikthimi i Hilës e Mziut në të shkuarën e tyre, natyrisht duke veshur maskat e mizanskenat e një kohe tjetër, nuk bën gjë tjetër veçse lëshon sinjal se karriera në PD jo vetëm që nuk është e lehtë, por është fjalë e huaj. Siç ndodhi edhe me Belind Këlliçin e postin e tij të kreut të Komisionit të Themelimit, të cilin as nuk janë mend kush.

E ku kandidatura e tij për bashkinë Tiranë, të paktën deri dje po mbahej peng nga një prej serive të ekranizimit: “Meta kryebashkiak”, që si duket synonte të çiftëzohej me serinë tjetër të filmave të shanrit zombie: “Berisha-kryeministër”. E mendo të gjithë energjinë e shpenzuar për 1 vit rresht për të promovuar këta “rioshat” nga mbështetësit mediatikë, që sot e gjejnë veten gafil të zhgënjyer me “talentet e reja” që ju kanë mbirë në bark miletit sot e 30 vjet pa ndarë…

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet miratuar rezoluta anti-korrupsion e propozuar nga PS?



×

Lajmi i fundit

Sara Gjordeni: Jam në një proces gjyqësor me dy persona

Sara Gjordeni: Jam në një proces gjyqësor me dy persona