Ylli Pata: Taktika e rikthimit të Sali Berishës e krahasimi me modelin e 2005-s

Ylli Pata: Taktika e rikthimit të Sali Berishës e krahasimi me modelin e 2005-s

Albana Vokshi dhe Sali Berisha

Ndërsa mbështetësit e Sali Berishës, siç pritej, e elozhojnë rikthimin e tij, madje edhe ata që kanë qenë kritikë të tij dikur: si Andi Bushati e Fatos Lubonja, kritikë të doktorit, i japin peshë të vogël specifike manovrës së re për të marrë PD-në.

Në këtë situatë, ku është bërë e qartë objektivi i Berishës për të marrë drejtimin e partisë që la para 9 vjetësh, edhe pse për shumë konsiderohet si një zhvillim pa sens, e jashtë dialektikës, sërisht pikëpyetja vjen spontane: ore pse Berisha e bën këtë luftë?

Në moshë të thyer, i ndëshkuar keqas nga SHBA, e natyrisht me minuse të mëdha politike, çfarë synon realisht Sali Berisha? Cili është realisht plani në kokën e tij, sa realist është mundësia e një fitoreje të opozitës, apo suksesi të saj me një kolateral problematic në krye të saj?

Natyrisht që të hysh në kokën e Berishës sot, është mjaft e vështirë, duke u nisur nga standardet normale të zhvillimeve dhe dialektikës politike.

Thuajse të gjithë vendet e Ballkanit kanë rinovuar klasën politike të saj, duke nisur nga fqinjët tanë si Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, e natyrisht vendet e tjera. Më i vjetri në Ballkan konsiderohet Milorad Dodik, i cili në politikë është një gjeneratë pas Sali Berishës.

Megjithatë, ka një aksiomë në politikën klasike, ku në Shqipëri është mjaft i ngulitur, e që lidhet me aksiomën tashmë mitike të Namik Hotit, kryetarit të Partisë Ekologjike Shqiptare.

I ndjeri Namik Hoti, një politikan, i cili ishte një personazh shumë interesant dhe argëtues, përveçse një njeri i lexuar, dha një përkufizim në vitin 1995, që rezultoi profetik.

I ftuar në një talk show televiziv që drejtohej nga Adi Krasta, Hoti, duke ju referuar Sali Berishës tha: “Ai është një malësor që nuk rrëzohet nga kali pa e vrarë”.

Të nesërmen, paramilitarët e Berishës e rrahën keqas Namik Hotin, i cili ishte njeri që nuk shante askënd dhe fliste vetëm qetë dhe me edukatë.

Por, në thelb, logjika e Namik Hotit ka si bazë konceptin feudal të pushtetit. Në mesjetë, feudali nuk ishte gjithmonë një “gjak blu”, por ai e lyente gjakun e tij, duke i shërbyer mbretit në luftë. E mbreti i jepte prona e pushtet, të cilët më pas feudali i trashëgonte brez pas brezi. Duke ruajtur, mbajtur e administruar feudin e tij, duke u bërë kështu një faktor, edhe në mos relevant, por i domosdoshëm për mbretin, perandorin sulltanin etj.

Që do të thotë, edhe nëse nuk është një faktor pozitiv e progresiv, të bëhet aq i bezdisshëm, sa të pranohet si e keqja, që për të mos e pasur kunërshtar, duhet mbajtur afër.

E këtu realisht është e gjithë kleçka e gjithë këtij konfiguracioni të një politike të tipit tribal në Shqipëri.

Që ka një histori tipike të imponimit të versionit negativ si një presion, që “po se pranove do ta kesh më keq”.

Siç thonë sot për rastin e Ukrainës disa zëra që nuk e quajnë veten putinistë: jepjani Putinit atë që do se “do na djegë Europën”. Edhe organizatat terroriste si Al Qaeda, apo edhe ISIS kryenin atentate të fantaksura, thjesht për tu kthyer në një “e keqe që duhet tu hapet rrugë”.

Realisht edhe Sali Berisha, në rrugëtimin politik në Shqipëri ka ecur me këtë taktikë, edhe pse zbatimi i saj i ka sjellë kaq të këqia e kobe Shqipërisë. Atij dhe klanit përreth tij i ka shtuar pushtetin e pasurinë pafund.

Kur PD u themelua në dhjetorin e vitit 1990, ajo nuk e kishte mundësinë që të fitonte zgjedhjet e shkurtit 1991, të cilat Ramiz Alia i kishte shpallur që pa u krijuar pluralizmi.

Pas rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991, PD kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare, e Alia i shtyu vetëm një muaj, pra u mbajtën më 31 mars 1991.

PD natyrisht që nuk mund të fitonte për pak muaj nga krijimi. Në zgjedhjet e 31 marsit PD arriti një sukses shumë të rëndësishëm politik; fitoi bindshëm në të gjitha qendrat e mëdha të Shqipërisë, përfshi Tiranën.

Pati një grup parlamentar të përbërë nga intelektualë të rëndësishëm që u imponuan në Kuvendin e ri. Për një muaj PD arriti të rrëzojë qeverinë e Fatos Nanos, e natyrisht edhe me influencën e Perëndimir, u arrit në ngritjen e një qeverie koalicioni PS-PD, ku zv.kryeministri Gramoz Pashko konsiderohej në publik edhe më i fuqishëm se kryeministri socialist Ylli Bufi. Megjithatë, ministrant edhe të PD edhe të PS shkuan shumë mirë me njëri –tjetrin. U krijua një klimë e paqtë, e cila kishte bekimin e plotë të SHBA.

Në këtë klimë, zv.kryeministri-i ndjeri Pashko, ministrat e PD-së dhe grupi parlamentar i opozitës krijuan një reputacion të rëndësishëm brenda dhe jashtë vendit. Opozita po përgatiste qetësisht terrenin drejt marrjes së pushtetit, në zgjedhjet e ardhshme. Ishte një panoramë që e shikonte çdokush. Por jo Sali Berisha. Pasi ai i shikonte të gjitha figurat e qeverisë së koalicionit, që quhej si “Qeveria e Stabilitetit”-të përkëdhelura nga Perëndimi si rivalë të egër të tij.

Ndaj dhe nxiti rënien e saj me akte të tmerrshme dhune, grabitje e rrëmujash në të gjithë vendib. Pas 5 muajsh, Berisha, pasi u zgjodh në një Kongres mjaft problematik të PD si kryetar, vendosi ta rrëzojë qeverinë e koalicionit. Duke çuar në zgjedhjet e parakohshme të 22 marsit 1992. Periudha tranzitore ishte një invasion barbar i tmerrshëm në vend: shkatërrime, vrasje, rrëmuja.

Një klimë që krijoi një terror masiv. Njerëz që para një viti kishin fotuar për PPSH, kryesisht në fshatra thanë “ta provojmë edhe një herë Salën se na çmendi”. Ashtu ndodhi, e ky mentalitet i dha “Salës” fuqinë për tu konsakruar si një “kalorës” i ri në Shqipërinë e viteve 90 që u kthye në feudalizëm politik.

Pas marrjes së pushtetit, Berisha nuk ndërmorri asnjë rrugë për të fuqizuar influencën politike në vend për të siguruar fitoren e radhës. Ai thjesht u angazhua në fuqizimin e krijimit të një “feudi” të tij që do ta kishte përjetë.

E ndaj bëri shumë armiq që në fillim të qeverisjes së tij. Nuk bëhet fjalë për armiq prej vendimeve të vështira që mund të ishin antipopullore si rritja e çmimit të bukës apo liberalizmi ekstrem në ekonomi.

Pori shin aktet e veprimet e frikshme që i dhanë identikitin e një “përbindshi politik” Arrestoi kreun e opozitës, lejoi kontrabandën e naftës me Jugosllavinë e Millosheviçit me vendimin e tij, pas negociatave me Momir Bullatoviçin, krijoi piramidat financiare, e më pas 1997. Një kob aq i madh, po aq i madh sa Shqipëria nuk është rikuperuar as sot nga pasojat e atij kobi. E ironikisht mbështetës të Berishës, sa herë duan të kërcënojnë kundërshtarët politikë, kërcënojnë me 1997.

Çfarë është kjo? Është pikërisht logjika e taktikës së të keqes. Të cilën Sali Berisha e ndoqi edhe pas 1997. Pasi menjëherë nisi një seri protestash të dhunshme, edhe pse me pak njerëz në Tiranë, në Shkodër organizoi rebelime të armatosura, më pas në Tropojë e Lazarat. Sulmonte qeverinë socialiste, duke përdorur një diversion mes palëve; herë sulmonte njërën e herë tjetrën. Natyrisht shpesh, sulmet e Berishës ishin të mirëpritura kur godiste korrupsionin qeveritar. Që e bënte duke siguruar informacion të saktë nga klanet kundërshtare në PS, që për të ngadhënjyer, përdornin Berishën si “gazetar investigative” apo “analist panelesh”.

E në fund, kur zullumi i dy mandateve të socialistëve që u grinë e u vranë me njëri-tjetrin, Berisha u ofrua si “ njeri i duarve të pastra” edhe pas fotove të një Berishe tjetër si fotografi i famës botërore Fadil Berisha, që u bë pjesë e PR të PD-së në fushatën e vitit 2005.

Sali Berisha e PD, siç dihet kryen një operacion të madh PR, rikthyen të larguarit nga partia, afruan të majtë të zhgënjyer nga Fatos Nano, e mbi të gjitha Ilir Meta i dha dorën më të madhe për të fituar zgjedhjet.

Por Berisha u rikthye pikërisht, duke u imponuar si një lojtar që “imponohet me forcë”, e pikërisht ky aspekt hiperbolizohet nga analistët mbështetës të tij. A thua se imponimi është vlerë. Po mirë çfarë sjell Berisha të re në politikë? Çfarë propozon si alternativë një njeri që ka bërë njëmijë të zezat në këtë vend? Natyrisht që Sali Berisha nuk ka ndonjë të re si propozim; ai shpall vetëm një formulë: “Revolucion apo përmbysje”. Po pasoja? Berisha! Për të satën herë?!/TemA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK