TIRANE- Ylljet Aliçka, shkrimtar dhe skenarist i njohur në një intervistë për Shqiptarja.com rrëfen për përfshirjen e kinemasë shqiptare në rrjetin Eurimage, sponsorin më të madh të kinemasë evropiane. Më një buxhet në krizë dhe me inflacionin e projekteve që janë realizuar nga Qendra Kombëtare e Filmit prej vitesh, është vështirë të krijosh një profil të qartë të kinematografisë shqiptare në mozaikun e madh të kinemasë europiane. Por shkrimtari Aliçka rrëfen se kinematografia shqiptare ka pasur megjithatë një mbështetje nga Eurimage, ku ka pasur një përfaqësi edhe me “avokatët” e saj, si Roland Sejko e Xhevdet Ferri.

Tashmë shkrimtari i njohur është një nga përfaqësuesit e rinj të Shqipërisë në Eurimage, një “avokat” mbrojtës siç na la të kuptojmë. Në rastin konkret Ylljet Aliçka ka qenë edhe përfaqësues në komitetin e Këshillit të Eruropës, ku ka origjinën Eurimage, por dhe në jurinë e disa festivaleve.

Falë këtyre përvojave, ai thotë se e konsideron detyrën e re si një mision, ku deklaron se përpiqet që t’i krijojë shanse çdo projekti shqiptar për t’u mbështetur nga sponsori më i madh i kinemasë europiane. Duke biseduar me shkrimtarin, mësojmë edhe lajmet e reja për fatin e krijimtarisë së tij. Çfarë ndodh me veprat e shkruara, përkthimet në gjuhë të huaja dhe si perceptohen veprat e shkrimtarit shqiptar nga lexuesit ndërkombëtarë.