Ypi: Magelani Bedri Alimehmeti

Ypi: Magelani Bedri Alimehmeti

Librat shkruhen edhe me gjak, me plumba, me bomba, me tela me gjëmba. Por mjetet e zakonshme me të cilat mund të shkruhet një libër janë; me penë, me laps, me stilograf, me stilolaps, me kompjuter. Arsyet për të cilat shkruhet një libër mund të jenë; sepse do të shpallësh luftën, do ta pushtosh botën, do të skllavëroah njerëzit. Por arsyet normale pse shkruhet një libër janë; obligimi qytetar dhe atdhetar, për një Femër, për kënaqsi intelektuale, për qef, për interes të Kombit, për interes të vetes.

Libri "Brodueji i Tiranës" dedikuar rrugës aë famshme në Tiranë dhe autori Bedri Alimehmeti, nuk kanë lidhje me përcaktimet e mësipërme. Si mjet dhe arsye për me shkru atë libër autori ka përdorur një gjë të vetme; Dashurinë e pafundme që Bedri Alimehmeti ushqen për vendin e vet, qytetin e vet, jetën e vet.

Në ndryshim nga gjithë autorët e tjerë që kanë shkruar libra për të dëshmuar një periudhë kohore, Bedri Alimehmeti nuk sjell në rrëfimet e veta prova, dëshmi, dokumenta. Sensitivit Bedri Alimehmeti nuk i duhen dukumentat dhe dëshmirat. I mjaftojnë ndjeshmëria, dashuria, pasioni, përvoja. Pa sforcime të bezdisëshme, pa artifica të lodhëshme, pa aagjë të tepërt, Brodueji i Bedri Alimehmetit, si i dalë nga thellësia e shpirtit të tij, është i besueshëm dhe shterrues vetvetiu.

Autenticiteti i përmbajtjes dhe origjinaliteti i formës e bëjnë këtë libër aq të afërt dhe të ngrohtë sa lexuesi prek qiellin; qytetin prej tullash, asfalti, betoni, e ndjen si prej mishi, gjaku, kocke.

Aq të shumta janë faktet, aq cilësore dhe bindëse janë interpretimet, aq të qarta dhe të sakta janë detajet, dromcat, emrat, mbiemrat, datat, rrethanat, sa duket sikur tironci Bedri Alimehmeti menien e ka kompjutër, sytë kamera, veshët mikrofon.

Aq i vërtetë, aq autentik, aq bio, është ky libër, sa kur autori rrëfen për bisedat e veta, të vijnë të gjalla në memorie bisedat e tua, shetitjet e tij të kujtojnë shetitjet e tua, zborri i tij është edhe zborri yt, leximet e tij janë edhe leximet e tua, muzika që ka dëgjuar ai është muzika që dëgjoje ti.

Tek Brodueji i Bedri Alimehmetit të kalojnë para sysh gjithçka e atyre viteve; nga ngjarjet e rëndësishme planetare tek përditshmëria e një kryeqyteti që megjithse lëngon nën një diktaturë shtazarake, përpiqet dhe ja arrin të mbetet gjallë falë mundimeve dhe sakrificave të njerëzve të ndjeshëm si Bedri Alimehmeti.

Gjithçka që ndodh në atë libër është përcjellë aq mjeshtërisht dhe dhemshurisht sa lexuesi e ndjen aq thellë dhe tronditet aq tepër sa i bëhet të besojë se Brodueji i famshëm më tepër se i Tiranës ka qënë i Bedri Alimehmetit.

Bedri Alimehmeti është i vetmi autor që ja ka arrit të bëjë një libër të mrekullueshëm për një nga periudhat më intensive të historisë së diktaturës pa thënë gjys fjalë të keqe për askend. Si ja ka arrit Alimehmeti kësaj mrekullie në vendin ku shpifjja dhe përgojimi ishin dhe janë po aq jetike sa frymëmarrja, një Zot e di.

Në Broduejin e Bedri Alimehmetit ka lapsuse. Por nuk janë fare problem, nuk të dekurajojnë aspak. Përkundrazi, janë të këndëshme. Ta shtojnë simpatinë për autorin. Ta forcojnë besueshmërinë për autenticitetin e rrëfimit.

Bedri Alimehmeti i Broduejit përmend pafund emra të njohur ose më pak të njohur të kohës. Por asnjë konfident. Duket e pabesueshme. Por është e thjeshtë. Nuk ka pas një të dytë si Bedriu, ose të përafërt. Hypersensibiliteti e ka pengu Alimehmetin të kishte të ngjajshëm.

Shetitja nga Hotel Vjosa te Rruga e Barrikadave, pastaj djathtas, rretheqark Pazarit të Vjetër për me ardh përsëri te Vjosa, kjo shetitje e quajtur "Magelançe", është një kryevepër më vete që Bedri Alimehmeti e jep me përpikmëri llaftarisëse dhe bukuri rrënqethëse që të le pa fjalë dhe pa frymë.

Duke na rrëfyer për librat që lexonim, femrat që pëlqenim, muzikat që dëgjonim, frikërat që kishim, rreziqet që kalonim, libri mahnitës i Bedri Alimehmetit njëkohësisht edhe eksplorator edhe kronikan, edhe Magelan edhe Pigafetta, është më i plotë dhe më i vërtetë se të gjithë së bashku mijëra librat, filmat, fictionet, propagandat, që kanë rrahur të bëjnë të njëjtën gjë, me rezultatet katastrofike që dihen.

Libri i Magelanit Bedri është absolutisht një kryevepër e tillë që çdo shqiptar që ka një zemër që rreh duhet ta lexojë.

Libri i Magelanit Alimehmeti është aq prekës sa duket si i skalitur nga një njeri që di të shkruaj, për të bërë të lotojnë ata që dinë të lexojnë.

Duke i ra rretheqark Tiranës së asaj kohe nëpër detet, oqeanet, ngushticat, Tokat e Zjarrta të saj, Magelani Bedri Alimehmeti zbuloi se Diktatura ishte e rrumbullakët, por jo e përsosur, sidomos jo e pamposhtur.

"Brodueji i Tiranës" nga Bedri Alimehmeti është një libër-himn për papërkulshmërinë e njerëzve që dinjitetin e kanë më të rëndësishëm se banaliteti i rehative të përditshmërisë, në rrethanat më çnjerëzore dhe më të pashpresa gjejnë forcën, këpusin zinxhirët, zbardhin errësirën, nuk e lejojnë vdekjen ta mposhti Jetën.

Përfytyro mbresat e librit më të bukur dhe më prekës që ke lexuar. Shumzoi me dhjetë derisa të lagen sytë. Aq e bukur dhe mallëngjyese është kjo kryevepër nga Bedri Alimehmeti.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sot Kukësi sfidon Egnatian në finalen e Superkupës, rrogozhinasit kërkojnë 'tripletën'

Sot Kukësi sfidon Egnatian në finalen e Superkupës, rrogozhinasit kërkojnë 'tripletën'