Dashurohemi

Dashurohemi

-Haj fiq. Këputi me dorën tënde. E kam lidhur qenin. Degët e fikut që varen jashtë gardhit janë të udhëtarit. Ju të qytetit kur vini në fshat hani fiq me dijeninë tonë. Ne të fshatit kur vijmë në qytet dashurojmë gratë tuaja pa dijeninë tuaj. Të dashurosh nuk është aq kollaj sa të hash fiq.

Ne të fshatit i duam gratë më tepër se ju të qytetit. Unë, për shembull, e dua gruan çmendurisht. Deri tani nuk kam vrarë e prerë asnjë për hatër të saj. Më vonë nuk i dihet. Varet nga ajo. Në fshatin tonë të gjithë i duan marrëzisht gratë. Për Dashurinë vrasin e vriten, rrahin e rrihen, vjedhin e vidhen. Vjehrri im, kur ishte ushtar në Shkodër dhe njohu vjehrrën, për hatër të saj rrahu një mëhallë të tërë. Kot. Ose si thuhet nëpër libra; Për Dashurinë e pakufishme ndaj saj. Ndërsa vëllai i tij kur u fejua në Librazhd vetëm pse iu duk se dikush i bëri një shenjë të fejuarës së tij, theu mbi dyqint krahë, këmbë, brinjë, kyçe, të atyre që i dolën përpara. Mos u habit. Haj fiq. Nuk e di pse po ndale ti së ngrëni fiq, më thahet qellza mua, ngec rrëfimi im. Po deshe ngjitu në fik të hash rehat. Ja një mesele tjetër nga ato me dashuri dhe gjak që ta bëjnë zemrën thërrime, nga ato që s'para besohen, por në katundin tonë janë më të shpeshta se në telenovelat turke.

Një djali i xhaxhait tim u marros pas një perrie në fshat. Babai i saj s'deshte që s'deshte. I thoshte "s'je i sërës". Ky i tha " E ke lexuar apo jo Romeon dhe Xhulietën ? S'pyet dashuria për sërë. Lëri nazet. Ma jep çupën". Babai i vajzës nuk u tund. Djali iku në kurbet. Punoi ca kohë. U kthye. Atë që s'e bëri dot Shekspiri, e bëri kurbeti. Me paratë e emigracionit ndërtoi vilë me katër kate, një kat më lart se babai kapriçioz, të cilit vajti i tha; Hë, po tani që unë vilën e kam me katër kate ti e ke me tre kate, kush është i sërës, unë apo ti ? Tjetri u bind. Ja dha çupën. U martuan. S'kaloi një vit, nga lodhja e tepër e kurbetit dhe e ndërtimit të vilës, burrit ju shpif një sëmundje e trurit që ja mpiu gjymtyrët. Zuri qoshen. Nusja "e sërës" e ndau. Burri mbeti mos o Zot. Ndërsa një tjetër fshatari ynë ja vuri synë një skraparlleshe. Mirpo e gjeti belaja. Nuk e dinte se skraparllesha kishte hapur fjalë; Ja marr burrë me shtatë çifligje, ja s'martohem kurrë. Dhanë e morën t'ja shkulnin nga mendja çifligjet, e çuan edhe në Alipostivan, meazallah. Djali u çmend. Skraparllesha ende pret në dritare me sytë nga infiniti. Ehu sa raste të tilla kemi ne në fshat. Ca që i deshën gratë aq tepër sa për tua plotsuar të gjitha tekat vodhën dhe sot janë në burg. Të tjerë që për për hir të grave, u morën me drogë, ndodhen gjithashtu në hapsanë. Ca nëpër spitale psikiatrike, ca që kanë marrë arratinë nëpër botë janë martuar me zezake dhe kineze, nuk numurohen të çmendurit nga Dashuria.

Jo pak të tjerë gjysëm të lojtur që na gënjen mendja se mund ti sjellim në vete i mbajmë në gjirin tonë. Para ca kohësh ndodhi diçka e padëgjuar. Dy burra, ndërkohë që vazhdonin ti dashuronin gratë e veta, ranë marrëzisht në sevda me gratë e njëri-tjetrit, ky me gruan e atij, ai me gruan e këtij. Përfundoi keq. Në pamundësi të një kombinacioni poligamik me dy gra dhe dy burra që mund të këmbeheshin sa herë të donin, çka nuk e pranon Kanuni i shqiptarit, pas një kohe, dy burrat pasi kryen nga një "krim pasioni", pra pasi vranë gratë e njëritjetrit, vranë njëritjetrin duke e zhdukur përgjithmonë nga fshati ynë rracën e ultraliberalëve. Duket sikur fshati jonë është plot me Romeo dhe Xhulieta. Të duket si të dojë. Dashurohemi "për vdekje" po aq sa edhe "për jetë", dashurohemi "jetevdekjepërqafuar". Jemi dhe incestualë. Një kushuriri im ra në dashuri me veten e vet. Nuk ka incest më të madh, apo jo ? Braktisi gjithçka, grua, fëmijë, shtëpi. Ka ikur rri i mbyllur në një kasolle në faqe të kodrës. Mban vetëm krëhër dhe pasqyrë. Asgjë tjetër. Nuk del kurrë nga kasollja. I çojnë për të ngrënë kush një tas me fasule kush një bidon me dhallë. Kemi një beqar që s'dihet pse s'i mbushet mendja të martohet. Është bestyt. Ka mësuar Kuranin përmendësh. Njerëzit e tij enden nëpër fallxhorë. Pinë kafe. Përmbysin filxhanin. Shohin çfarë thotë llumi për fatin e tij. Ai hiç. Jam martuar me Perëndinë, thotë. Ne nuk lexojmë gazeta, libra, revista, nuk shohim televizor. Ne vetëm mbjellim, prashitim, vaditim, korrim, rrihemi, vritemi, por sidomos dashurohemi nga gratë, dhe gratë na dashurojnë. Për arësye që nuk jam në gjendje ti zbërthej, edhe i rrahim nga pak. Haj fiq haj. Mos u habit që fshati ynë plot me raste të heroizmit dashuror fatkeq me peripecira, vuajtje, sakrifica, dhe ku kërrcet dajaku mbi kurrizin e grave si n'harradoz, nuk mposhtet, dashuron dhe do dashurojë. Ne dashurohemi rëndë.

Nuk duam të dashurohemi lehtë me dashurira që nisin urtë e vazhdojnë butë, që rrjedhin si mjaltë e rrëshqasin si gjalpë. Nuk janë të lezetshme ato lloj dashurish. Nuk janë të shijshme dhe as të bukura në fshatin tonë Skakar. Nuk e di si janë në fshatin tjetër, në Kapidh.
 

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK