GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka kaluar për gjykim dosjen për 32 të pandehur, të akuzuar për trafik emigrantësh, falsifikim dokumentesh dhe grup kriminal.
Bëhet fjalë për shtetasit: Njazi Ademaj, Ylli Brahimaj, Rrezart Domi, Osman Luca, Artur Mici, Arsen Caka, Jugert Gashi, Emiljan Marashi, Amarildo Luca, Robert Gjika, Roland Islamaj, Xhelal Krasniqi, Fitim Rama, Gridi Elezi, Maksim Domi, Dritan Cena, Redi Salaj, Behar Nuhiallari, Behar Rexha, Deila Qama, Arnold Shahu, Ylli Çaushaj, Artid Shtylla, Murat Gjuniku, Bardhyl Imeri, Bajram Xhaja, Besnik Lumaj, Altin Neli, Fatmir Stankova, Arben Rushiti, Leonardo Lama, Xhelil Alla, Perlat Canaj.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve", "Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave", "Grupi strukturuar kriminal", "Kryerja e veprës penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal" dhe "Shpërdorim detyre". 29 prej tyre kanë kërkuar gjykim të shkurtuar.
6 prej tyre, Dritan Cena, Redi Salaj, Behar Nuhiallari, Arben Rushiti, Perlat Canaj dhe Amarildo Luca, kishin kërkuar shpalljen e moskompetencës së GJKKO për gjykimin e çështjes, por kërkesa e tyre u rrëzua.
SPAK i akuzon këta persona se gjatë viteve 2022–2024 kanë organizuar kalimin e paligjshëm të shqiptarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar, SHBA dhe Kanadasë. Grupi siguronte dokumente të falsifikuara dhe, me ndihmën e ndërmjetësve, i dërgonte shtetasit shqiptarë në rrugë tokësore, ajrore dhe detare. Për transportimin e personave dhe dokumenteve ata përdornin agjencitë “Domi Travel” dhe “Boris Travel”, të cilat bashkëpunonin me njëra-tjetrën në këtë aktivitet të paligjshëm.
Pagesat shkonin nga 3 mijë deri në 10 mijë euro dhe bëheshin pasi mbërrinim në destinacionet finale. Dokumentet false prodhoheshin në Tiranë, në një ambient të posaçëm të pajisur me kompjuterë, printera dhe materiale të tjera. Brenda ambientit u gjetën 37 vula të institucioneve private dhe shtetërore që shërbenin për falsifikime të ndryshme, përfshirë aplikime vizash, si dhe një shumë e konsiderueshme parash.
Ndër personat e goditur si pjesë e këtij grupi ishte edhe 65-vjeçari Ylli Ibrahimaj, i cili u la në arrest shtëpie, por e vijonte prodhimin e dokumenteve të falsifikuara nga banesa bashkë me të birin, ku kishte ngritur një laborator të mirëfilltë për këtë qëllim.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente










