Ypi: Shkrim e Këndim

Ypi: Shkrim e Këndim

"Shkrim e Këndim", pra fjalë dhe këngë, tekst dhe muzikë, arsyetim dhe ndjenjë, përmbajtje dhe formë, ekziston vetëm në Shqip, dhe në asnjë gjuhë tjetër. Gjuhët e tjera kanë Shkrim e Lexim. E vetmja gjuhë që "shkruhet" dhe "nuk lexohet" por "këndohet", është Gjuha Shqipe. Gjuhët e tjera thjesht "shkruhen", dhe edhe më thjesht se "shkruhen", "lexohen". Shqipja nuk e ka të përcaktur ku mbaron shkrimi e ku nis këndimi, leximi muzikor. Gjuhët e tjera e kanë të ndarë.

Jo për të gjithë. Vetëm për pakicën e lumtur që di "Shkrim e Këndim" Shqip, që di të shkruaj, dhe ka aftësinë t'ja dëgjojë shkrimit muzikën, di t'ja ndjejë tekstit këngën.
Të dish "Shkrim e Këndim" është zotësi, fat, talent.
Të dish Shkrim e Këndim nuk mund të jesh i palumtur, i pafat, i pashëndetshëm.
Nëse di "Shkrim e Këndim", di gjithçka, ke gjithçka, bën gjithçka, asgjë nuk të është e largët, asgjë nuk të është e pamundur.
Të dish Shkrim e Këndim veç e veç, pra vetëm shkrim ose vetëm këndim, është e vështirë, e rrallë, dramatikisht e mangët, jo kushedi çë.
Të dish ti bësh të dyja, të shkruash dhe të këndosh, qiellin ke kap.
S'ka rëndësi kush shkruan e kush këndon, çfarë shkruajnë e çfarë këndojnë, dhe sa janë. Rëndësi ka që ajo që shkruhet të ketë brenda muzikë, të jetë e këndueshme, të këndohet, jo domosdoshmërisht me zë.

Diçka që shkruhet por nuk këndohet, në Shqip nuk vlen. Për një arësye të thjeshtë që autorët mediokër nuk kanë për ta kuptuar kurrë; Sepse nuk udhëton. Shkrimi që nuk udhëton, pra shkrimi që nuk këndon, nuk është shkrim, është shurrë që mbetet aty ku derdhet për shkak të paaftësisë rekreative të prostatës autoriale.
Këndim pa shkrim ka. Zogu në degë, dallga që rreh bregun, përroi që rrjedh tatëpjetë etj. janë të tillë. E tillë është edhe Letërsia gojore, legjendat, epet, që përcillen nga brezi në brez duke u ndryshuar e lëmuar pa u shkruajtur. Këndimi pa shkrim, sado sugjestiv dhe marramendës, sado që ka rezistur nëpër shekuj, nuk mahnit më, i ka kaluar koha, e ka mposhtur rrebeshi i shpejtësisë dhe koncizitetit të informacionit global.

Ajo që edhe shkruhet edhe këndohet mrekullisht, është vetëm 1, Gjuha Shqipe.
Mëso "Shkrim e Këndim" Shqip, dhe vdis.
Shkrim e Këndim, pra fjalë që lexohen dhe njëkohësisht këndohen, nuk ka vetëm Shqip shkruar në kartë dhe kënduar brenda gjoksit.
Shkruan toka, këndon hëna.
Këndon bubullima, Shkruan rrufeja.
Shkruan shiu, këndon era.
Këndon Pranvera, shkruan dimri.
Shkruan toka, këndon qielli.
Këndon Poezia, Shkruan Proza.
Shkruan pena, këndon mendja.
Këndon filani, shkruan fisteku.
Shkruan i patalentuari, këndon askushi.
Këndon njerzia, shkruan Lasgushi.
Bota lexon. Shqiptari këndon. Bota kanë "Libra Leximi". Shqiptarët kanë "Libra Këndimi". Ndryshim kolosal.
"Shkrim e Këndim". Ç'marramendje e paçmuar që na e kanë zili. Si quhet Rilindasi që këtë mrekulli të pashoqe e shpiku ? Ku e ka varrin t'ja bëjmë prej floriri ?

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Rijetëzimi i zonës së Zdrales, nis restaurimi i fasadave të banesave

Shkodër/ Rijetëzimi i zonës së Zdrales, nis restaurimi i fasadave të banesave