YRSHEK - Ndërhyrja e një kompanie ndërtimi në shpatin e një mali në fshatin Katund të ri të komunës së Yrshekut ka përmbytur një shtëpi.

Kryefamiljari Bashkim Doku denoncon për median se shembja e dherave i ka mbuluar ambientet e oborrit dhe të gjitha dhomat duke bërë të papërdorshme të gjitha orenditë shtëpiake.

Kryefamiljari thotë se është ankuar pranë komunës ndërsa ka telefonuar edhe policinë por deri më tani nuk ka pasur asnjë ndërhyrje.

Kompania e cila ka kryer punimet në shpatin e malit mësohet se është duke ndërtuar një kompleks ndërsa nuk ka marrë masat për të parandaluar ngjarje të tilla.

(Shqiptarja.com)