Yuri Kim, homazh Krujës dhe Skënderbeut përmes vargjeve të poetit të njohur amerikan: Yll mëngjesi mi të ndrit...

Yuri Kim, homazh Krujës dhe Skënderbeut përmes vargjeve të poetit të njohur amerikan: Yll mëngjesi mi të ndrit...

Përmes një poezie të botuar në vitin 1873 nga poeti i shquar amerikan, Henry Ëadsëorth Longfelloë, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka postuar foto nga vizita e saj në qytetin e Krujës duke i bërë homazh këtij qyteti dhe Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

 “Kthimi i Skënderbeut në Krujë” është poezia e poetit Longfellow. ". Vargjet e zgjedhura nga ambasadorja Kim: Dhe me zemrën plot gëzim; Kapërceu lumin Drin; Dhe u-gdhi e n'agullim; Pa kështjellën Ak-Hissar*; Krujën, ah atë qytet; Rreth me mur e me hendek, tek u-lint e tek u-rrit; Yll mëngjezi mi të ndrit.

 

Më poshtë shqipërimi i Fan S. Nolit në vitin 1916, shqipërim të cilin ai ia kushtonte atë kohë Faik Konicës dhe e botoi nё njё vёllim mё vete nё Boston tё Shteteve tё Bashkuara:

Lëfton luftën dhe fiton

Mbreti Ladisllav* gjëmon,

Djek si Ferr, si vdekje pret

Ditën e Rushajevet*,

Dhe nga fush' e kuqe gjak

Ikën, rent përpara tij

E Muratit* ushtëri

Që shpëtoj e s'ra në lak.

 

Kur u-ngrys e kur u-err,

Skënderbeu, nder, lavdi

I asqerit* Osmanlli

Tok me Turqit krismën merr,

Si lëfton e si humbet

Ditën e Rushajevet.

 

 

Mbet e vdekur prapa tij

E Muratit ushtëri,

Kryerojtja* udhën hap,

Praparojtja* rent me vrap,

Dhe armiku gjakësor

Si me drapër grin e kor.

 

Po kujdes ay s'të ka

As për Bej as për Pasha,

Edhe natën tek' po shkon

Yjt' e fatit po shikon

Që i ndritnin n'udhëtim;

Edhe kalit tij i ra,

Nënëqeshi edhe tha:

"Është koha për gëzim".

 

Mez' i natës kur afroj,

Ikja e rreptë kur pushoj,

Një Qatip* na vjen i Mbretit*

Me myhyrin e Dovletit*

Edhe tha me zëmërim:

"Njoll' e parë t'u-vu sot

N'emër, o Gjergj Kastriot!

Pse kështu? Oh, mjerë ne!

Ushtërinë pse e le

Therrur fushës për vajtim?"

 

U-përgjeq Skënderi, e tha:

"Dergjen mbytur nëpër gjak.

Thembr' e kalit i ka prak,

Po kështu e shkruar qe

Nga i Madhi Zot atje

Q'urdhëron çdo ushtëri.

Dhe ku kemi ne fuqi

Kur ngre dorën kundër nesh

Dhe na grryen si rrebesh?

 

"Lidheni, tha, me litar

Shkronjësin me kallamar*!"

Dhe Qatipi tha: "Po ç'faj

Paskam bërë që Pashaj

M'a bën mua këtë gjë?"

U-përgjeq Skënderi e tha:

"Faj s'ke bërë asnonjë,

Po që të mos na shpëtosh,

Dhe të fshihesh e të shkosh,

Përandaj t'a bënj këtë."

 

Tani shkrua-më një shkrim

-Dhe për fis e paç bekim!

Me myhyrin* e Dovletit

Për Mytesarifn* e Mbretit

Që mban Krujën, një qytet

Rreth me mur e me hendek,

Të m'a kthenjë gjën' e atit

N'emrin e Sulltan Muratit;

Se çdo urdhër që të japë

Kurrë nukë merret prapë.

 

Dhe Qatipi u-krrus prej tmerrit

Dhe kështu i tha Skënderit:

"O Allah i math, i naltë,

Që të jemi hi e baltë!

Qysh t'i shkruanj këto shkrime

Kur e di që kokën time

Po m'a pret ay Dovlet?"

 

Shpejt ahere si një yll

Që këputet lark nga qjelli

Çpallet nga i arti myll

Një hanxhar me reze djelli

Dhe gjëmon Skënderi: "Shkruaj!"

Dhe Qatipi i tmerruar

Shkroj në dritën e drithmuar

Afër zjarrit, i dërmuar,

Flokë-bardhë, kokë-ngrirë,

Nga e ftohta i mërdhirë,

Zëmër-prerë, vdekje-grirë.

 

Dhe Skënderi prapë tha:

"Tani eja pas me mua

Se të mbetesh këtu s'dua

Do t'të kem si mik e vlla,

Gjithënjë do t'të nderonj

Me kujdes do t'të rrethonj

Sa të rrosh në këtë botë."

U përgjeq Qatipi e thotë:

"Udha jonë këtu ndahet,

Shoqëria jonë s'mbahet."

 

Pa mbaruar këtë fjalë

Një hanxhar i rëndë ra,

Kur s'ish afër asnjë tjatër

Dhe Qatipi po përmbyset

Si një gur që rrugulliset

Në liqen të zi dhe shket

Tatëpjetë dhe humbet;

Edhe rreth në qetësi

Asnjë pipëtim s'u-ndi

Përveç kalit Skënderbeut

Që përpjet' u-hodh prej dheut.

 

Pastaj sulet si shigjeta

Me tre qint pothua veta

Nëpër lum' e pyll e garth

Përmi malet Argjendar*;

Dhe me zemrën plot gëzim

Kapërceu lumin Drin

Dhe u-gdhi e n'agullim

Pa kështjellën Ak-Hissar*,

Krujën, ah atë qytet

Rreth me mur e me hendek,

Tek u-lint e tek u-rrit,

Yll mëngjezi mi të ndrit.

 

Dhe ahere trumbetarët

Brirëve t'argjëntë u bien

Edhe togje rreth i mblidhen

Turqit bashkë me Shqiptarët

Që dëgjuan atë thirrje.

Dhe kremtoj me miqt' e tij

Dhe u-ngrohnë me dolli.

 

Dhe u thotë: "Miqt' e mi,

Shihni fati ç'na dërgon,

Perëndia ç'na bekon!

Mbret Murati urdhëron

Mall' i gjërë i tim-eti,

Vend' i terë dhe qyteti

Të më jipen nga Dovleti."

 

Dhe pastaj me salltanet,

Veshur armët si një mbret,

Shkon kaluar në kështjellë

Edhe hyn nga port' e gjerë

Dhe pashajt që urdhëron

Përmi Kruj' i dorëzon

Urdhërin e Murat Mbretit

Me myhyrin e Dovletit.

Dhe Pashaj, si heshti, tha:

"Lavdi pastë Perëndia,

Ja ku hiqem nga fuqia.

Merr-e vendin dhe qytetin;

Kush lëfton dot me kësmetin?"

 

Nga kështjella shpejt ka rënë

Flamuri me gjysmë-hënë

Edhe populli shikon

Që në vënt të tij valon

Flamur' i Skënderit n'erë

Shkab' e zezë me dy krerë.

 

Dhe një thirrje lart-u-ngrit,

Se çdo zëmër e çdo shpirt

U-mërzit nga Turku i lik,

Q'e kish bërë atë Krujë

Zi, murtajë dhe rrëmujë.

Ay zë me gas me bujë

Q'oshëtin nga breg në breg

Është: "Rrofsh, o Skanderbeg!"

 

Ja kështu Skënderi trim

Mori Krujën me rrëmbim;

Edhe lajma u-përhap

Si një flagë, si një zjarr

Q'i fryn era në behar

Dhe qytetet afër larg,

Thotë Ben Isa Ben Miri*

Në Qitap*, të tij fakiri*

"Binin m'atë lehtësi

Që zë burri veshn' e tij".

 

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 02/05/2021 04:56

    Ju faleminderit //Shqiptarja// per poemthin.Njerezit kane nevoje per me shume poezi e kulture, per me shume momente te tilla ne jete.

    Përgjigju
  • Ergys: 01/05/2021 18:04

    ShBA jane miqte e shqiptareve qe nga koha e presidentit Wilson qe ishte ne krah te Shqiperise per te patur te drejten e shtetformimit dhe qe frenoi ambicjet e fqinjeve se me keq do kishte shkuar puna nga oreksi i fqinjeve nga te kater anet

    Përgjigju
  • Shqipe: 01/05/2021 16:21

    Faleminderit zonja ambasadore

    Përgjigju
  • Like: 01/05/2021 15:45

    Bravo zonja Ambasadore e Amerikes per njohjen qe keni per shtetin Shqiptare. Jam e sigurt qe e njihni shume me mire se pjesa e madhe e pseudo politikane shqiptare

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI