Yzeiri: Demokracia është plagosur, por nuk ka rrezik për jetën

Yzeiri: Demokracia është plagosur, por nuk ka rrezik për jetën

Zgjedhjet e 30 qershorit e shpëtuan demokracinë shqiptare nga kaosi, dhuna dhe humbja e arsyes dhe ecja në terr. Zgjedhjet e së dielës për pushtetin vendor në Shqipëri ishin projektuar nga opozita shqiptare dhe nga Ilir Meta si një përplasje e dhunshme në mënyrë që aksioni i shkatërrimit të sistemit, i nisur nga PD-LSI-ja që në muajin shkurt, të finalizohej me një përplasje civile në kutitë e votimit dhe, kështu, vendi të futej në kaos dhe opozita të ngrohej në zjarrin e shkaktuar dhe të krijonte kushtet për një qeveri tranzitore.

Krerët e opozitës që dalin e recitojnë para kamerave si të ishin bilbilë-gjyzarë, kujtojnë se publiku shqiptar e ka humbur memorien dhe harroi se këta drejtues qesharakë politikë, deri në datën 21 qershor, kërcënonin që zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë, se vendi do të shkojë në përplasje civile, se opozita nuk do të lejojë të bëhen zgjedhje e kështu me radhë. Për këtë qëllim, PD, madje, organizoi dhe komitetet e mbrojtjes së demokracisë që do të ishin njëfarëlloj detashmenti me njerëz të dhunshëm që do të përlesheshein me votuesit e krahut tjetër në qendrat e votimit në mënyrë që këto «zgjedhje farsë», siç ju pëlqen atyre t’i quajnë ato, të mos ndodhnin.

Krerët e opozitës që sot ligjërojnë si bilbilë-gjyzarë harrojnë se nën nxitjen e tyre, vetëm disa ditë para zgjedhjeve, militantët e dhunshëm të saj iu turrën disa KZAZ-ve dhe dogjën materialet zgjedhore. Pamjet filmike kur digjeshin shkollat në Shkodër e në Bushat bënë xhiron e botës. Këto e shumë të tjera, kishte parasysh zj Glover kur deklaroi se ne monitorojmë edhe procesin para zgjedhjeve.

Demokracia shqiptare është plagosur sepse një detashment i dhunshëm me në krye Bashën, Kryemadhin, Metën e Berishën kanë vendosur që ta hedhin në erë sistemin duke ndërmarrë aksione ekstreme dhe duke përjashtuar subjektet e tyre nga të gjitha rolet kushtetuese. Duke menduar se dhuna në protesta të vazhdueshme dhe retorika e shpifjeve, fyerjeve dhe bllokimi i rrugëve ku kalonte kryeministri do të sillnin rrëzimin e qeverisë, katërshja e mësipërme i mbajti të ngarkuar militantët e saj deri në ditën kur SHBA-ja dhe BE-ja, përmes përfaqësuesve të tyre këtu dhe përmes intervistës së zotit Palmer nga SHBA-ja, i kërcënuan këta liderë delirantë, duke iu thënë hapur se në qoftë që do të ketë shfaqje dhune deri më 1 korrik SHBA-ja do të ndërpresë çdo marrëdhënie me ju.

Kërcënimi se partitë e opozitës do të klasifikoheshin si organizata të dhunshme u përhap me shpejtësi vetëm disa ditë para zgjedhjve të 30 qershorit. Dhe pas këtij kërcënimi, dhe duke injoruar dekret-çdekretet e Ilir Metës, SHBA-të dhe BE-ja bën thirrje të hapur që zgjedhjet të mbahen më 30 qershor. Madje një bisedë telefonike e zotit Reeker me kryeministrin shqiptar vulosi mbështetjen perëndimore për aksionin e qeverisë shqiptare që zgjedhjet të mbahen në këtë datë, pavarësisht se Ilir Meta i kishte çdekretuar dhe kishte dekretuar një datë tjetër.

Mirëpo opozitarët tanë që sot ligjërojnë si bilbil-gjyzarë janë ngazëllyer nga numurimi i defekteve që pati ky proces zgjedhor dhe harrojnë se ato defekte apo ato plagë u shkaktuan nga aksionet e dhunshme të këtyre opozitarëve që sot rrijnë e numurojnë zgjedhësit. Në raportin paraprak që lexoi zj Glover në qendër është votuesi dhe ky raport paraprak ka treguar me vërtetësi se votuesit nuk ishin të lirë dhe se ata u gjendën mes dy zjarresh dhe ishin nën presion nga të gjitha anët. Si mund ta marrësh këtë konstatim si një shenjë pozitive për retorikën opozitare? Ky është kulmi i cinizmit.

Po harruan këta bilbilë-gjyzarë që ligjërojnë sot si ëngjëj se në një qendër votimi u fut një militant i opozitës me kallashnikov njësoj si në Afganistan, njësoj si taleban se ashtu ishte frymëzuar nga ligjërimi i Lulit. Ato pamje u përhapën me shpejtësi dhe pas kësaj si mendojnë këtë liderë që thërrasin se kanë fituar, si do të ndjeheshin zgjedhësit, si do të shkonin të votonin ? Harruan këta frymëzues të dhunës se situata e tensionuar që ata kishin krijuar, natyrisht, që do t’i penalizonte votuesit.

Zgjedhjet e 30 qershorit treguan se shqiptarët nuk kanë frikë të mbrojnë demokracinë. Ata votues që, përkundër dhunës fizike e verbale, u ngritën dhe shkuan të votojnë duke sfiduar ulërimat dhe shantazhet e opozitës, meritojnë respektin më të madh sepse ata e mbajtën gjallë demokracinë e plagosur shqiptare dhe nuk e lanë të asfisksohet.

Demokracia shqiptare natyrisht është e plagosur sepse njëri krah i saj është mpirë dhe nuk funksionon. Fatkeqësia nuk është ajo që ndodhi. Fazën e parë të kësaj traume e përballoi votuesi i guximshëm dhe i qartë shqiptar që votoi më 30 qershor. Por e ndihmoi këtë proces edhe ajo masë e madhe votuesish që me dinjitet nuk votuan, por as nuk i penguan të tjerët të votojnë. Kjo aleancë e heshtur me votuesve të të dyja krahëve politikë është oksigjeni që e mban në jetë demokracinë e plagosur shqiptare.

Mirëpo sëmundja duket se do vazhdojë dhe lëngimi do të jetë i gjatë. Sinjalin e parë e dha opozita e vjetër e cila jo vetëm që nuk po e lexon si duhet datën 30 qershor, por vazhdon ligjërimin e saj me tingujt e Requiemit të saj.

Personalisht jam i pafuqishëm të mendoj se liderët e kësaj opozite do të shpëtojnë të djathtën shqiptare. Deri tani askush nuk sheh një dritë në fund të tunelit ku Lulëzim Basha e ka futur popullin opozitar. Refuzimi për të marrë pjesë në zgjedhje dhe kushti për ta rrëzuar Edi Ramën në tavolinë e mori një përgjigje të rreptë nga SHBA-ja dhe BE-ja që nuk ka gjasë të ndodhë.

Askush nuk duhet të ketë iluzion se nëse Luli e Monika me Berishën e Metën do të refuzojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme politike, përsëri SHBA-ja dhe BE-ja do t’i bëjnë presion Edi Ramës që në zgjedhje të futet i vetëm. Si më 30 qershor.(TemA)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës