TIRANE- Alfred Rushaj, ish-zv.ministër i Financash në qeverinë Berisha, ka akuzuar dje qeverinë Rama se nuk është në gjendje të mbajë shtetin pa rritur shumëfish borxhin publik, duke shkelur premtimet elektorale. "Të ardhurat në 8 muajt e parë të vitit janë realizuar në masën 93% të parashikimit ose e thënë në shifra 16 mld lekë. Ky deficit të ardhurash kompensohet për periudhën 8-mujore me 7 mld lekë, kursim përfundimtar shpenzimesh, 5 mld nga interesat e borxhit dhe 2 mld nga fondi i veçantë. Vetëm 6 mld lekë është efekti 8-mujor i ekzekutimit të buxhetit. Nga informacionet paraprake, vetëm muaji shtator krijon një deficit prej 5 mld në buxhetin qëndror dhe pritet që në çdo muaj deri në fund të vitit të jetë i njëjti ritëm mosrealizimi", ka thënë Rushaj në një konferencë para mediave.

"Deklarimi sot për rritje të deficitit me rreth 24 mld lekë, dmth 25 mln dollarë në 4 muaj në rastin më të mirë është paaftësi dhe në rastin më të keq një mekanizëm për mundësi abuzimi me fondet publike, me taksat dhe doganat në favor të klientelës”, tha ai.
“Në vitin 2005 realizimi 8-mujor i të ardhurave nga qeveria socialiste ishte vetëm 88% dhe kishte një vonesë pagesash 21 ditore në thesar”, shtoi ai.
Sipas Rushajt, nëse ndodh thellimi i deficitit vjetor për shkak të mosrealizimit të të ardhurave, është përgjegjësi direkte e kësaj qeverie, e cila duhet të përgjigjet për fondet publike.

Rushaj nuk dha asnjë koment lidhur me ndryshimin e shifrës së Prodhimit të Brendshëm Bruto nga qeveria e re. Ndërkohë, ai, si dhe ish-ministri i tij Ridvan Bode një ditë më parë, nuk shpjeguan pse qeveria Berisha u detyrua të heqë kufirin maksimal të borxhit publik, ndërkohë që grumbulloi edhe 600 miliona euro borxhe ndaj privatëve, që nuk përfshiheshin në deficit.  
 
Detyrimet
Rushaj, si ish-ministri i tij Bode një ditë më parë, nuk shpjeguan pse qeveria Berisha u detyrua të heqë kufirin maksimal të borxhit publik, ndërkohë që grumbulloi edhe 600 miliona euro borxhe ndaj privatëve, që nuk përfshiheshin në deficit

Shkrimi u publikua sot (11.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)