TIRANE - Pas tryezës së reformës në drejtësi, mbledhur pak ditë më parë nga presidenti Bujar Nishani, konferenca Gjyqësore Kombëtare ka shprehur mbështetjen e saj të fortë për këtë reformë. Në përfundim të punimeve të sotme, konferenca Gjyqësore Kombëtare ka dalë me një rezolutë, ku theksohet se ajo do të përkrahë fuqimisht çdo iniciativë që synon forcimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, duke u kërkuar palëve që të angazhohen seriozisht për realizimin e kësaj reforme. Në këtë linjë është shprehur edhe kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, i cili tha se duhet forcuar pavarësia në gjyqësor.

Zaganjori, i cili celi punimet e kësaj konference vlerësoi tryezën e drejtësisë që thirri presidenti Nishani më 6 tetor, si një mundësi për të garantuar një reformë substanciale në drejtësi.

Duke iu referuar edhe progres raportit të publikuar së fundi nga Komisioni Europian, i cili ngre shqetësim për korrupsionin në sistemin e drejtësisë, Zaganjori tha se gjyqësori ka nevojë për përmirësim andaj sipas tij, reforma është e domosdoshme.

“Tani kemi edhe besim për një reformë substanciale por sigurisht që duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Ne duhet të kontribuojmë shumë më tepër në këtë drejtim se c'kemi bërë deri tani. E mbështesim reformën se jemi një komunitet i ndërgjegjshëm, duam forcimin e demokracisë, duam të përfshihemi në reformë dhe të kontribuojmë substancialisht në këtë reformë. Ka shumë vend për të rritur transparencën e punës sonë. Kemi vend shumë më tepër për tu përmirësuar”, tha Zaganjori.