TIRANE - Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se sot në Komandën e Forcave Speciale në Zall-Herr do të zhvillohet një demonstrim i mjetit të blinduar “ARAVIS”.

Më tej njoftimi në fjalë vijon me pjesëmarrësit në këtë aktivitet, ku nuk do të mungojnë drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, si dhe ambasadorja franceze në Tiranë, Christine Moro.

Në këtë njoftim të ministrisë së Mbrojtjes nuk shpjegohet se ç'është ky autoblind i quajtur “ARAVIS”, por A1Report pas një investigimi sjell pamje të këtij automjeti i cili ka një kosto e cila varion nga 1 milionë euro në versionin e thjeshtë, deri në 3 milionë euro.

“ARAVIS” është një automjet i blinduar ushtarak që përdoret në ambiente si terreni ekstrem ashtu dhe në terren urban, mban 4 ushtarë, dhe është i pajisur me armatim të rëndë dhe të lehtë, pajisje përgjimi, komunikimi si dhe është i mbrojtur nga raketat anti-tank dhe minat shpërthyese.

Ministria e Mbrojtjes ende nuk ka sqaruar sa mjete të blinduara “ARAVIS” janë blerë dhe pse ishte i nevojshëm në këtë moment blerja e tij. Ndërsa mbetet gjithashtu e pasqaruar se çfarë po bëhet me kontratën e helikopterëve, që vendi ynë do të blinte nga Franca. Pak kohë më parë njëri prej tyre u rrëzua në alpet e Francës, aksident që shkaktoi vdekjen e gjithë ekuipazhit të tij.

(gre.m/shqiptarja.com)