Dy persona janë vënë nën hetim nga policia, pasi kishin zënë hapësirën publike duke vënë çadra dhe shezlongë në mënyrë të paligjshme në plazhet e Ksamilit.

Administratorë të dy bizneseve që kishin vendosur shezlongë dhe çadra jashtë lejes nga autoritetet, u vunë në hetim, pasi policia zbuloi shkeljet gjatë operacionit të koduar “Plazh i lirë” në Ksamil.

Gjatë aksionit u sekuestruan 432 shezlongë dhe 216 çadra që ishin vënë pa autorizim tek “Pema e Thatë” dhe “Laguna”.

Administatorët e stacioneve të plazhit ndër të tjera nuk deklaronin të ardhurat që gjeneronin nga ky aktivitet dhe siç bën të ditur policia, ata do të hetohen për dy vepra penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.