Zbardhet debati brenda PD, Leskaj dhe Noka kundër vendimit për përjashtimin e Berishës: Po i jepni Ramës atë që ai ëndërronte! Alibeaj: S’jemi në funeral, dielli do lindë sërish

Zbardhet debati brenda PD, Leskaj dhe Noka kundër vendimit për përjashtimin e Berishës: Po i jepni Ramës atë që ai ëndërronte! Alibeaj: S’jemi në funeral, dielli do lindë sërish

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Vendimi i Lulzim Bashës një ditë më parë solli përçarje mes demokratëve ku emra të njohur prej vitesh si të besuarit e Sali Berishës, kundërshtuan vendimin e kryedemokratit të ndërmarrë në mënyrë personale pa konsultim e partisë. Ndër më të acaruarit për këtë vendim ishin Bujar Leskaj e Flamur Noka të cilët e cilësuan përjashtimin e Berishës si realizimi i ëndrrës së Edi Ramës.

Bujar Leskaj e ka cilësuar vendimin e Bashës si të gabuar sepse vendimi duhet të ishte konsultuar me strukturat. Me tonë të larta ka folur edhe Noka, duke e cilësuar përjashtimin e Berishës si mohim të histrorisë së PD-së. Ndërsa për Luçiano Boçin vendimi duhej marrë nga jashtë partisë.

I ashpër është treguar edhe Tritan Shehu duke i thënë kreut të PD-së që ai nuk mund ta marrë këtë vendim i vetëm. Madje në një pjesë të bisedës mësohet se Shehu i thotë Bashës se është mundur disa herë ta kontaktojë atë, por kryedemokrati nuk i është përgjigjur.

Ndërkohë që nënkryetari i ri i PD-së, Enkelejd Alibeaj është pozicionuar qartë në krah të Lulzim Bashës, teksa ka thënë se “Sot nuk është funeral. Dielli do dalë serish nesër”.

DEBATI NË PD, DEPUTETET PRO BERISHËS

Bujar Leskaj: Ky është një vendim i gabuar. Kundërshtari ynë është Edi Rama dhe nuk duhet të shikojmë të gjejmë armiqtë brenda vetes. Ju jeni kryetari legjitim i Partisë Demokratike, por vendime të tilla duhet të jenë të konsultuara. Ne duhet të mbledhim forcat, t’i bashkojmë ato dhe jo të përçahemi. Vendimi që ke marrë e përçan Partinë Demokratike.

Jo vetëm me Berishën, po bëtë gabim edhe me largimet e tjera. Ju zhvilluat një garë brenda partisë me një program, platformë dhe jeni kryetari legjitim. Por vendimet e marra më pas duke përjashtuar edhe Presidentin Bujar Nishani janë të gabuara. Doktor Berisha e ka nisur betejën e tij dhe çështja e tij nuk e penalizonte marrëdhënien e PD-së me SHBA. Ne nuk duhet të pozicionohemi kundër SHBA, por nuk duhet të përçajmë PD.

Enkelejd Alibeaj: Sot nuk është funeral. Nesër do të ndriçojë dielli përsëri. Nuk jam dakord me parafolësit që kundërshtojnë vendimin. Vendimi duhej marrë dhe duhej marrë vetëm nga kryetari. Ky është një moment historik për PD dhe për ju si kryetar. Do të duhet ta kapërdijmë këtë moment, dielli lind përsëri.

Flamur Noka: Ta thashë edhe në zyrë (me tone të larta). Ky vendim që ke marrë ti, nuk i sjell asgjë të mirë Partisë Demokratike. Ky vendim e përçanë Partinë Demokratike. Ne nuk mund të fshijmë historinë e PD-së. Të mos harrojmë kontributin e Berishës në vendosjen e marrëdhënieve me SHBA. Mbi vlerat amerikane u themelua PD, jetoi 30 vjet. Busulla ka qenë një dhe një, e Sali Berishës dhe PD, orientimi euroatlantik.

Në lidhje me vendimin e sekretarit Blinken, Berisha mbajti një qëndrim të vetin. Ka kërkuar që të mos përfshihej PD në betejën e tij. Por largimi i Berishës është mohim i historisë. Është të mohosh suksesin e kësaj force politike. Është vendim individual, jo i PD-së. Mohimi i Sali Berishës është mohim i PD. Me këtë vendim, po i jepni PD goditje të rëndë. Po i jepni Ramës atë që ai ëndërronte. Vendimi duhet të shkojë për referendum në anëtarësi.

Luciano Boçi: Vendimi është i rëndë, por duhet të shohim çfarë të bëjmë nesër në kuptimin strategjik. Sepse vendimi mund të merrej jashtë partisë. Ta bënte KQZ dhe jo ne.

Tritan Shehu: Kam qenë kryetar i partisë, por të tilla vendime nuk duhet të merren nga 1 njeri, sepse vihet në dyshim ekzistenca e partisë. Këtë vendim nuk e merr dot ti, sepse PD ka forume. Ky është një gabim i madh për Partinë Demokratike. Nuk mund të marrësh ti vendime të tilla vetëm. Të kam marr në telefon dhe nuk ma ke hapur, të kam shkruar edhe mesazh, por sërish nuk më je përgjigjur. Nuk mund të marrësh vendime i vetëm.

Oerd Bylykbashi: Në zgjedhjet e 2013, ne humbëm zgjedhjet, por dolëm me kokën lart. Dolëm me kokën lart sepse në qeverisje kishim bërë shumë punë. Pikërisht kur në qeveri ishte Sali Berisha. Ndërkohë, ju keni marrë vetëm dy vendime personale: marrëveshja e 17 majit pas mbylljes së çadrës dhe vendimi për djegien e mandateve. Ndërkohë, tani edhe përjashtimin e Berishës. Vendimi do të sjellë përçarje, jo vetëm horizontale, por dhe vertikale, nga lart poshtë. Ne kemi marrë 622 mijë vota, por a na çon ky vendim te 750 mijë vota nesër, sepse do të ketë pasoja?

Lulzim Basha: Vendimi ndaj Berishës ka qenë vendimi më i vështirë për mua. Ju e dini shumë mirë marrëdhënien time ndër vite me Berishën. Kemi bërë disa arritje bashkë. Vendimi është marrë vetëm në të mirë të Partisë Demokratike. Unë nuk doja që të përçaja Partinë Demokratike, ndaj mora një vendim personal. Në këto dy muaj e gjysmë unë kam shfrytëzuar çdo resurs që kam në SHBA, bashkë me doktor Berishën, por nuk e zgjidhëm dot problemin.

Po ju them diçka që kam Gazment Bardhin dhe Jorida Tabakun dëshmitarë. Kur ka ardhur Philip Reeker që më ka takuar në seli, ka ardhur vetëm me kërkesën për të përjashtuar Berishën dhe nuk pranonte asnjë negociatë.

Na është bërë i qartë vendimi i DASH për këtë. Ka më shumë detaje që nuk janë bërë publike për këtë çështje, por që nuk kam ndërmend t’i ndaj me askënd, por ky është vendimi më i duhur për Berishën dhe familjen e tij. Sot ishte afati i fundit, kur PD duhet të shprehej. Ky vendim ishte si në interesin e PD, edhe të Sali Berishës.

Meqë ia premtova Sali Berishës, dua t’ju komunikoj se ky vendim nuk është i dakordësuar me të, pavarësisht përpjekjes sime për të arritur një dakordësi. Nëse nuk do ta merrja këtë vendim, nuk do të kishim asnjë interlokutor dhe nuk do të kishim ku kërkonim transparencë.

Një ditë më parë, në kufijtë e limitit kohor, Lulzim Basha vendosi përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlament i PD, vendim që e mori në mënyrë personale, pasi sipas tij nuk donte të nxiste përçarje në parti. Por përçarje pati, madje debate me tone të forta e akuzat nga të besuarit e Berishës si Flamur Noka, Tritan Shehu dhe Edi Paloka, të cilët e kundërshtuan atë. Madje sot ‘thyen’ urdhrin e Bashës duke u shfaqur krah Berishës dhe shoqëruar deri në sallën e Kuvendit. Vendim i Bashës u cilësua nga disa prej demokratëve si vendim prej skuthi ndaj njeriut që “i dhuroi” partinë që themeloi në 1990./Panorama

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Elsa: 11/09/2021 07:26

    Një lojë e stisur e të gjitha palëve. Këtë plakushin edhe pak dhe e hiqte zoti. Shumë zhurmë për asgjë. Punë shqiptarësh që për të ndërruar një kryetar duhet të bëjnë gjithë këtë shfaqe. Se të mendosh që Lulëza e bën që të marrë pikë si kryetar autoritar është shumë e bukur për të qenë e vërtetë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve