Kjo vërehet nga programi qeverisës hartuar nga kryeministri Edi Rama.
Ambicja e shprehur në këtë program për 4 vitet e ardhshme është rritja ekonomike për ta çuar atë në nivelin 6% të PBB. Investimet e qeverisë për ekonominë do të jenë 100 miliardë lekë, teksa janë të vendosur për zbatimin e Partneritetit Publik – Privat për investime në infrastrukturë dhe shërbime publike.
25.5 miliardë lekë do të investohen në mbështetjen e sektorit bujqësor.
Në këtë mandate të dytë kryeministri Edi Rama do ti kushtojë një vëmendje të veçantë infrastrukturës duke nisur nga Rruga e Arbërit.
Ndër projektet më prioritare të Qeverisë Shqiptare do të jenë: rrjeti qendror TEN-T Core; korridori Adriatiko – Jonian; akset Fushë-Krujë – Shkodër , Thumanë-Kashar/Vorë; dhe by-pass -et Tepelenë, Lezhë dhe Tiranë; ROUTE 7: ndërtimi dhe dublimi i aksit Milot – Rrëshen; rrjeti kombëtar: përfundimi i bypass -it të Fierit dhe atij të Vlorës.
Në program shkruhet se do të konsolidohen 4 destinacione turistike kombëtare; Alpet Shqiptare, Jugu i Ri, Portet e Marinat dhe Tirana.
Në fushën e drejtësisë Qeveria në 4 vitet e ardhshme do të fokusohet në këto shtylla kryesore:
Jetësimi i reformës në drejtësi, nëpërmjet zbartimit të vettingut dhe ngrites së institucioneve të posaçme.
Qeveria synon krijimin e një sistemi drejtësie të pavarur, efiçent, të pakorruptuar, profesional dhe të aksesueshëm nga qytetarët.
Drejtësia për titujt e pronësisë do të përfshijë rregjistrimin, kthimin dhe kompensimin e pronave.
Parashikohet forcimi i kushteve dhe kriteret profesionale për noterinë, avokatinë dhe ndërmjetësimin.
Në program shkruhet se do të rishikohet mënyra e funksionimit dhe organizimit të sistemit të përmbarimit, duke përmirësuar mekanizmat kontrollues.
Për rregullin dhe sigurinë publike, qeveria ka prioritet luftën ndaj grupeve kriminale, ndaj kultivuesve të kanabisit dhe ndaj korrupsionit.
Modernizimi i shërbimeve publike është një prej prioriteteve kryesore të programit qeverisës, objektivi kryesor i të cilit është evitimi i sporteleve fizike, ku kërkohet dokumentacion që gjenerohet dhe administrohet nga vetë shteti e për rrjedhojë, thjeshtëzimi dhe lehtësimi i gjithë procesit falë infrastrukturës digjitale.
Arsim i lartë cilësor dhe i orientuar nga tregu i punës është gjithashtu një nga pikat kycce të planit të qeverisë.
Rama 2 parashikon të rrisë investimet në të gjithë sektorët që lidhen me shëndetin për të shkuar drejt shëndetësisë falas, të cilën e premtoi 4 vite më pare.
Programi i qeverisë për integrimin europian synon fillimin, sa më parë, të procesit të negociatave për anëtarësim dhe realizimin e aspiratës europiane të vendit.
Diplomacia ekonomike do të jetë rruga për përthithjen e investimeve të huaja dhe krijimit të vendeve të reja të punës, shkruhet në faqen e fundit të programit.
Në program shkruhet se mandati i parë i qeverisë Rama 2013- 2017, ishte mandati i jetëzimit të një ndryshimi të thellë, rrënjësor e të gjithanshëm.
Ndërkohë,Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar këtë të dielë kabinetin qeveritar "Rama 2".
Meta ka dekretuar 13 ministrat e qeverisë dhe zv/kryeministrin, ndërsa një ditë më parë, gjatë kohës kur po mbahej seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Gramoz Ruçit, dekretoi kryeministrin Edi Rama për formimin e qeverisë së re.
Rama çoi në Presidencë një javë më parë emrat e qeverisë së re, ndërsa sot kreu i shtetit ka dhënë firmën e tij.
Shqiptarja.com ka siguruar dekretin e Presidentit Meta emrat e 14 anëtarëve të kabinetit dhe të Edi Ramës si kryeministër.
KABINETI QEVERITAR "RAMA 2"
Kryeministër Edi Rama
Zv/ kryeministre Senida Mesi
Ministër i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko
Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrëseve Sonila Qato
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati
Ministria e Brendshme Fatmir Xhafaj
Ministria e Mbrojtjes Olta Xhaçka
Ministria e Drejtësisë Etilda Gjoni
Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro
Ministria e Financave, Ekonomisë e Punës Arben Ahemtaj
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lindita Nikolla
Ministria e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social Ogerta Manastirliu
Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi
Ditën e hënë Rama do të prezantojë në Kuvend programin dhe kabinetin e ri.
PS fitoi në zgjedhjet e 25 qershorit, 74 mandate duke formuar e vetme qeverinë për mandatin e dytë.
(Dekreti i Presidentit Ilir Meta)
Programi i qeverisë "Rama 2"
Shqiptarja.com ka arritur të zbardhë programin e plotë të qeverisë “Rama 2” për mandatin 2017-2021.
Në program, bëhet një përmbledhje e mandatit që sapo kaloi (2013-2017) ku shkruhet: “Mandati 2013-2017 ishte mandati i jetëzimit të një ndryshimi të thellë, rrënjësor e të gjithanshëm, për të cilin qytetarët shqiptarë, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, na dhanë besimin e plotë dhe njëkohësisht edhe përgjegjësinë për ta thelluar më tej dhe për ta materializuar në politika konkrete edhe të prekshme, në çdo ditë të qeverisjes sonë”.
Në program flitet për ndryshimet që pritet të sjellë qeveria në sektorë të ndryshëm si ekonomia, drejtësia, shëndetësia, turizmi e deri tek politikat e jashtme dhe integrimi europian.
Drejtësia
Në programin 28-faqësh në fushën e drejtësisë. Qeveria në 4 vitet e ardhshme do të fokusohet në këto shtylla kryesore: • Jetësimi i reformës në drejtësi, nëpërmjet ofrimit të gjithë mbështetjes së nevojshme të realizimit të procesit të vetting-ut me sukses, si dhe në procesin e ngritjes së institucioneve të reja qeverisëse dhe drejtuese të gjyqësorit dhe të prokurorisë, të domosdoshme për zbatimin e reformës në drejtësi. • Reformë në sistemin e hartimit të legjislacionit dhe në tërësi sistemin e kodifikimit. Do të përmirësohen kapacitetet njerëzore dhe profesionale të këtij sistemi, duke ndryshuar më së pari mënyrën e rekrutimit të personelit përbërës të këtij sistemi. • Reforma tërësore e shërbimeve publike që lidhen me drejtësinë për titujt e pronësisë duke përfshirë rregjistrimin e tyre dhe kthimin dhe kompensimin e pronave •Reforma e shërbimeve publike të ofruara nga profesionet e lira, (noteria, avokatia, ndërmjetësimi) do të synojë shërbime ligjore, sa më cilësore dhe profesionale për qytetarët.
Arsimi dhe Sporti
Në kapitullin e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, në programin e qeverisë shkruhet: Pas reformave të rëndësishme në arsim që u kryen në mandatin e parë, në këtë mandat të dytë, qeveria angazhohet të punojë për një sistem arsimor efiçent, i cili krijon mundësi të barabarta për shkollim cilësor të të gjithë fëmijëve, pavarësisht origjinës, gjinisë,vendbanimit dhe të ardhurave, duke siguruar një forcë pjesëmarrëse dhe të përgjegjshme, në tregun e punës dhe në shoqëri.
“Pas miratimit të Planit Kombëtar për Integrimin Europian 2017 – 2020, objektivi kryesor i qeverisë shqiptare vazhdon të mbetet përshpejtimi i integrimit të sistemit të transportit, si një parakusht për zhvillimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë”, shkruhet në kapitullin e Infrastrukturës.
Shëndetësia
Qeveria “Rama 2” shkruan në program se shëndetësia do të vazhdojë të jetë një nga sektorët ku do të punohet më shumë: Nën moton “shëndet për të gjithë” ne do të vazhdojmë të promovojmë jetën e shëndetshme, duke rritur investimet në të gjithë sektorët që lidhen me shëndetin për të shkuar kështu drejt shëndetësisë falas. Nën moton “më shumë vite jetës dhe më shumë shëndet viteve” ne do të vijojmë të mbështesim fort parandalimin dhe diagnostikimin.