TIRANË- 3 miliardë lekë do të jetë fondi në dispozicion për të gjitha bizneset përfaqësues të zinxhirit të furnizimit me mallrat e shportës, që do të duan të përfitojnë nga kjo kredi me garantues shtetin, me qëllim mbulimin e kapitalit qarkullues për lëndët dhe ushqimet bazë.

Garancia sovrane për importuesit e produkteve të shportës do të bëhet me qëllimin që bizneset të rrisin rezervat, në mënyrë që të mos ketë mungesë të produktit si pasojë e luftës në Ukrainë, që do të sillte për rrjedhojë edhe një rritje stratosferike të çmimeve. Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë nuk janë saktësuar edhe kushtet që do të zbatojnë banka, por që garant do të jetë shteti.

Garancia sovrane për bizneset që tregojnë produktet e shportës u paralajmërua 3 ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, ku saktësoi se nëse mallrat nuk do u shiten, stokun do ua blejë qeveria.