TIRANE - Tetë arreste kardiake që ka pësuar në sallën e operacionit, i kanë marrë jetën të miturit nga rrethinat e Tiranës, D.A, i cili një javë më parë iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale estetike në sy, në shërbimin e Okulistikës në QSUT. Të paktën kështu pretendojnë të afërmit e tij se shënohet në skedën e vdekjes së 11-vjeçarit, që është një dokument i cili u jepet të gjithë të afërmve, pasi pacienti ndërron jetë, dokument që prindërit e të miturit e kanë në dorë dhe që e kanë publikuar dje në emisionin "Urbanika" të Tv A1 Report, që drejtohet nga Mirjeta Ngjela. Mësohet se i mituri ka pësuar komplikacione në mes të ndërhyrjes kirurgjikale, shoqëruar me hipertermi malinje, me temperaturë mbi 42 gradë, që pavarësisht se mjekët kanë bërë maksimumin, i mituri nuk ka reaguar. Më pas ka ardhur edhe pjesa më e vështirë, ku i sëmurë ka pësuar tetë arreste kardiake një pas një, dhe pavarësisht se ai është munduar të sillet në jetë me anë të defibrilatorit, mjekët kanë dështuar. Në skedën e vdekjes të lëshuar nga spitali, dhe që është një dokument që do i bashkohet raportit të dalë nga mjekësia ligjore pas autopsisë, thuhet qartë se vdekja e vogëlushit ishte një aksident mjekësor. Më poshtë, mjekët, të cilët kanë pasur nën vëzhgim 11 vjeçarin kanë shënuar se vdekja e të sëmurit ka ardhur si pasojë e një "reaksioni anormal tek i sëmuri nga ndërlikimi gjatë ndërhyrjes kirurgjikale". Megjithatë mjekët nuk shpjegojnë se kush ia ka shkaktuar këtë ndërlikim, që deri më tani dyshohet se ia ka shkaktuar anestezia. Gjithashtu në këtë skedë shënohet se i mituri ka pësuar hipertermi malinje.

Akuzat
I ati i 11-vjeçarit, Fatmir Alimadhi, thotë se mjekët nuk u kishin thënë se mungonte ky medikament, pasi në të kundërt nuk do ta kishin futur në operacion. "Doktori na dha garanci 100% dhe është hedhur firma, doktori tha është operacion estetik dhe 100% rregullohet. Mjekët nuk na tha që mungon medikamenti, nëse do na kishin thënë ne nuk do e fusnim çunin në sallë të operacionit. Ata të na thoshin që ne të prisnim ose ta gjenim vetë ilaçin sepse djali nuk kishte asnjë lloj shqetësimi dhe ne mund të prisnim", - ka deklaruar i ati, Fatmir Alimadhi. Megjithatë të afërmit e 11-vjeçarit këmbëngulin të sqarojnë nëse medikamenti që mungonte ishte pjesë e protokollit mjekësor apo jo. Ata shprehen se mjekët irlandezë e kanë trajtuar shumë mirë të birin dhe s'duan të fajësojnë më kot dikë, por kjo, sipas tyre, nuk hedh dritë mbi faktin se a është i përfshirë dantroleni në protokollin mjekësor. "Për një gjë ne si familje jemi të ndërgjegjshëm: që predispozicioni i ekipit mjekësor, që ka asistuar në këtë lloj operacioni ka qenë maksimal. Urojmë që organet e drejtësisë të bëjnë hetim të saktë, sepse ne nuk duam të penalizojmë më kot dikë. Ne duam vetëm të dalë e vërteta, që edhe ne të qetësohemi. Këtë e kërkon familja, e ëma, i ati, motrat. Ne duam një sqarim: si ka mundësi që dantroleni nuk është në protokollet tona, që shteti ynë se paska këtë ilaç, kur ai është shpikur që në vitin 1966 dhe efektet e tij njihen që në vitin 1973. Kaq duam ne", - ka deklaruar daja i të miturit, Maliq Hasmuça.

Dyshimi
I ati i 11-vjeçarit, deklaron se para operacionit askush nuk i ka pyetur për peshën e të miturit, kur dihet që doza e anestezisë jepet në varësi të peshës. “Pasi ndërroi jetë na ka pyetur përkthyesja sa kg mund të peshonte Denisi. I thashë që nuk e di, se tani afër nuk ishte peshuar. Pesha nuk na ishte kërkuar asnjëherë”, - ka deklaruar Fatmir Alimadhi.

Shkrimi u botua sot në gazetën SHQIPTARJA.com

(eç/shqiptarja.com)