SHKODËR-  Ramazan Mataj kishte një lidhje të gjatë dashurie me një vajzë të fshatit Dragoç në Postribë të Shkodrës, dashuri e ndaluar kjo, pasi familja e kishte martuar të renë, 2 herë. Martesat dyshohet se janë prishur pikërisht prej historisë që të rinjtë nuk e ndalën, dhe që nuk u kalua lehtë nga vëllai i madh i vajzës, i cili siç tregoi në një rast i kishte parë bashkë.

Me këtë mllef të mbledhur, ndikuar nga mentaliteti dhe rrethi miqësor dhe me motrën të dëbuar nga familja, Arjon Hasaj 29 vjeç thuri planin për të vrarë 33-vjeçarin Ramazan Mataj, bashkëfshatarin e tij.

Hapi një profil fals në rrjetet sociale, dhe u shtir të ishte një vajzë që kishte ardhur në fshat tek tezja e saj. Me këtë skenar e ftoi në një takim të riun, aty ku edhe e vrau me breshëri kallashnikovi brenda makinës mbrëmjen e së shtunës

Pas dhjetëra të shoqëruarve, përfshirë edhe banorë që me dëshmitë e tyre ndihmuan hetuesit, policia arrestoi Arjonin bashkë me vëllain e tij, Klisman Hasaj, i cili e ndihmoi të fshehë armën e krimit.

“Pas krimit, dy vëllezërit e fshehën armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës”, tha Fatmir Lleshaj, drejtor i Policisë së Shkodrës.

Shtëpia e autorit dhe e viktimës në Dragoç të Shkodrës janë në distancë jo më shumë se 300 metra nga njëra-tjetra, dhe policia atje ka frikën e një hakmarrje të mundshme. Për këtë qëllim janë marrë masa për shtrimin e patrullimit në zonë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:54
Detaje të reja nga vrasja e Matajt në Shkodër, dyshohet se kishte lidhje intime me motrën e autorit! I riu rrëfen si inskenoi ekzekutimin

1736251599_arjonhasaj.jpg

Arjon Hasaj

Autori i vrasjes së Ramazan Matajt në Dragoç të Shkodrës, Arjon Hasaj, kishte dyshime se 33-vjeçari e kishte ndarë motrën e tij nga 2 marrëdhënie martesore që kishte pasur më herët. Dyshimet janë se Mataj ka pasur marrëdhënie intime me vajzën, ndërsa burime për gazetarin e Report Tv, Sokol Dema bëjnë me dije se në një rast Arjoni i ka gjetur të dy bashkë dhe për këtë arsye, prej kohësh, nuk e pranonin në shtëpi të motrën.

Ndikuar nga mentaliteti dhe rrethi miqësor, Arjon Hasaj, nuk ka duruar më dhe ka ndërmarr vendimin për eliminimin e Ramazan Matajt. Ai ka rrëfyer për grupin hetimor me detaje organizimin e vrasjes, që nga hapja e profileve false në rrjete sociale për të inskenuar vrasjen, e deri tek lënia e takimit me qëllim vrasjen. Për zbardhjen, hetuesit kanë pyetur me dhjetëra persona të zonës, të cilët dhanë indicie të konfliktit, si dhe komunikimi në celular në rrjete sociale, i cili i bindi se autori ishte banorë i zonës.

Në profilin fals Arjon Hasaj shtirej sikur të ishte vajzë që kishte tezen në Dragoç, në një shtëpi pranë ngjarjes dhe se do ta takonte Ramazanin diku në afërsi. Megjithatë, komunikimi ishte i detajuar për emërtimet e vendeve, çka i dha bindjen hetuesve që ishte i zonës.

Ora 14:00
Shkodër/ Vranë 33 vjeçarin se u prishi martesën e motrës, fotot e dy vëllezërve të arrestuar

1736255068_klismanhasajarjonhasaj.jpg

Foto: Klisman dhe Arjon Hasaj

Shqiptarja.com siguron foton e njërit prej vëllezërve, të arrestuar si autorë të vrasjes së Ramazan Matajt më 5 janar 2025 në fshatin Dragoç të Shkodrës.

Viktima dhe autorët ishin banorë të të njëjtit fshat. Sipas policisë vrasja kishte ndodhur pasi dyshohet sëe Ramazan Mataj kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve bashkëshortore të motrës së autorit. 

Pas krimit, dy vëllezërit e fshehën armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës.   

Ora 13:16
Vrasja e Ramazan Matajt, autori lëvizte me biçikletë, ja ku u fsheh arma e krimit (VIDEO)

Policia publikon pamjet e kamerave të sigurisë të cilët kanë kapur Arjon Hasajn, autorin e dyshuar të vrasjes së Ramazan Mataj teksa lëvizte me biçikletë. Ndërkohë kanë gjetur dhe vendin ku u gjet arma.

 

Ora 13:02
Drejtori i policisë Shkodër zbardh vrasjen në Dragoç: Ramazan Mataj u nxor në pritë me anë të një profili të rremë në rrjete sociale

Drejtori i Policisë së Shkodrës, Fatmir Lleshaj ka dhënë detaje në konferecnë për shtyp ditën e sotme, lidhur me ngjarjen e rëndë në Dragoç të Shkodrës ku mbeti i vrarë Ramazan Mataj, 33 vjeç.

Drejtori bën me dije se Mataj u vra nga Arjon Hasaj, 29 vjeç banues në Dragoç. Hasaj kishte krijuar një profil të rremë në rrjete sociale, për ta nxjerrë në pritë viktimën.

Për këtë është ndihmuar edhe nga vëllai Klisman Hasaj, i cili ka fshehur edhe armën e krimit.

Fjala e plotë e drejtorit të policisë Shkodër, Fatmir Lleshaj:

Jam sot, këtu, së bashku me zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimit Ledio Ibrahimi dhe me prokurorin e rrethit Albert Murçaj, për të bërë prezente rezultatet e një pune intensive hetimore të kryer në kuadër të operacionit policor të koduar “Profili i rremë”, për zbardhjen e autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 05.01.2025, në fshatin Dragoç, ku u vra me armë zjarri shtetasi Ramazan Mataj, 33 vjeç.

 Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, menjëherë pas njoftimit për ngjarjen e ndodhur në fshatin Dragoç, ngriti një grup të posaçëm hetimor dhe së bashku me shërbime të shumta të Policisë së Shkodrës, të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër dhe të Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, shkuan në vendin e ngjarjes.

Shërbimet e Policisë, pas veprimeve të shpejta në vendin e ngjarjes, shoqëruan në ambientet e Policisë, shumë shtetas, për t’i pyetur në lidhje me ngjarjen. 

Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e  Prokurorisë, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale, konkretisht me Drejtorinë për Hetimin e  Krimeve të Rënda dhe me Drejtorinë për Hetimin e  Krimeve Kibernetike, vijoi punën në mënyrë intensive për  të gjetur dhe fiksuar prova materiale që do t’i  shërbenin  hetimit për zbardhjen e ngjarjes.

Si rezultat i një hetimi intensive disaditor, në kuadër të operacionit policor të koduar “Profili i rremë”, grupi hetimor gjeti prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e  autorit. Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar dhe me disa pamje filmike ku shfaqej autori, duke ecur në rrugë. 

Nga hetimet rezultoi se shtetasi Arjon Hasaj, 29 vjeç, banues në Dragoç, për motive të dobëta, ka organizuar dhe ka kryer vrasjen e shtetasit Ramazan Mataj. 29-vjeçari, nëpërmjet llogarive të rreme në rrjete sociale, ka komunikuar me shtetasin Ramazan Mataj, për ta nxjerrë në pritë në fshatin Dragoç, ku dhe dyshohet se e ka vrarë. 

Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi Ramazan Mataj kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve bashkëshortore të motrës së autorit. 

Autori  i dyshuar është ndihmuar nga vëllai i tij, shtetasi Klisman Hasaj, për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe për të fshehur armën e krimit.  

Si rezultat i kontrolleve u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen. Pas krimit, dy vëllezërit e fshehën armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës.   

   Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi  i shtetasve:

Arjon Hasaj, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”;

Klisman Hasaj, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Theksojmë faktin se pas ngjarjes së ndodhur, në adresë të DVP Shkodër kanë ardhur shumë mesazhe nga qytetarët, për bashkëpunim dhe mbështetje, si dhe informacione, të cilat pavarësisht vlefshmërisë,  ishin inkurajuese për punën intensive që Policia kreu për të zbardhur këtë ngjarje me impakt publik.

Falënderoj qytetarët, për mbështetjen dhe besimin,  dhe  dua t’i siguroj ata se Policia e qarku Shkodër  është tërësisht e angazhuar për të  intensifikuar hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, identifikimin dhe arrestimin e autorëve.

I garantoj qytetarët se Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Shkodrës, është e angazhuar maksimalisht për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.

Duke i uruar qytetarët e qarkut Shkodër, për një vit sa më të mbarë, i ftoj edhe një herë të besojnë dhe të mbështetin më shumë Policinë e qarkut dhe atë të Kufirit, që bashkërisht të parandalojmë ngjarjet kriminale dhe paligjshmërinë, për të krijuar një imazh të ri për këtë qark, që simbolizon qytetarinë dhe garanton një ambient sa më të sigurtë për të ardhmen e fëmijëve tanë.