Festa e mësuesit duket se po e humbet simbolikën çdo vit e më tepër. Në vend të një kartoline a një luleje, edhe këtë 7 mars duket se do të dominojnë dhuratat. Të vënë para përgjegjësisë nga të vegjlit e tyre prindërit i kanë nisur blerjet dhe porositë ditë më parë.

“Një çantë, një kuletë”, tha një prind.

“Nuk e shohim fare pjesën e shpenzimeve, jo se kemi lekë, por janë disa gjëra që duhen”.

Pavarësisht situatës financiare të familjes, kur vjen puna për dhuratat e mësuesve nxënësit bëhen bashkë duke dhënë deri në 2 mijë lekë për t’i blerë mësuesve një dhuratë të kushtueshme.

“Ndonjë dhuratë, ose varëse. Ne fusim nga 20 mijë lekë secili, në klasë jemi 31 nxënës”, tha një nxënës.

“Kemi një nga mamatë e vajzave në klasën tonë që e bën çdo vit mbledhjen e parave dhe gjen një dhuratë shumë të bukur për mësuesen. Ne jemi 31 nxënës në klasë, zakonisht fusim nga 10 mijë lek secili dhe janë mbledhur goxha para. Pasi blejmë dhuratën, lekët që teprojnë ja japim në zarf", u shpreh një tjetër.

“Ne fusim nga 10 ose 20 mijë lekë”, shtoi më tej.

Për shumë të tjerë, lulet mbeten simbolikë e kësaj feste.

“Kemi menduar një kartolinë dhe një buqetë me lule”.

“Një tufë me lule apo një lule, sipas mundësive”.

“Kam menduar një pikturë dhe një tufë me lule”.

Por edhe në këtë rast gara se kush e blen buqetën më të madhe e të bukur, është e hapur! Të tjerë, nuk harrojnë të kujtojnë edhe ish-mësuesit.

“Minimumi është një ose dy lule që kushtojnë 5 mijë lekë, pastaj nëse flasim për buqetat varet nëse janë në shkollat private apo publike. Nëse flasim për shkollat private, natyrisht aty ka konkurrencë midis dhuratave që i bie vlera shkon goxha deri në 50 mijë lek. E quaj goxha, sepse është dhuratë shoqëruese, ka edhe diçka tjetër.

Janë shtuar shumë edhe ato që janë me transport, sepse nuk u dërgojnë vetëm atyre që janë në shkollë, por edhe ish-mësuesve që janë në pension”, tha luleshitësja.

Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij, ky vogëlush ka zgjedhur ta urojë kështu mësuesen.

 “Unë do t'i dhuroj një tufë me lule edhe një kartolinë që do ta shkruaj vetë. Në të do shkruaj mësuese gëzuar 7 marsin, të dua shumë dhe faleminderit për çdo gjë që më ke bërë”, u shpreh një nxënës.