Policia greke në Janinë ka zbuluar dhe goditur tentativën e trafikimit të emigrantëve të paligjshëm për në Shqipëri përmes pikës kufitare të Kakavijës.

5 anëtarë të grupit u arrestuan ndërsa u parandalua trafiku i 17 emigrantëve nga Lindja e Mesme, me kamion nga Greqia në Shqipëri. Sipas policisë greke u sekuestruan më shumë se 12 mijë euro të paguara nga emigrantët për kalimin e paligjshëm.

Kamioni i drejtuar nga shtetas grekë, po shkonte në drejtim të Kakavijes dhe gjatë kontrollit u gjetën në të 8 emigrantë të paligjshëm. 9 emigrantë të tjerë u gjetën ende në shtëpitë e tyre, në pritje për t’u transportuar nga trafikantët.

Hetimi policor që pasoi, zbuloi ekzistencën e një qarku, anëtarët e të cilit, të paktën gjatë muajit të fundit, ishin aktivë në trafikimin e paligjshëm të të huajve përmes kufirit Greko-Shqiptar.

Policia greke ka zbërthyer dhe skemën si funksiononte grupi.

FIllimisht gjendeshin emigrantët, u sigurohej strehim duke i fshehur në shtëpitë e tyre, më tej shtetas grekë transportonin me kamionë në kufirin me Shqipërinë dhe aty dy bashkëpunëtorë shqiptarë, i prisnin duke i kaluar në këmbë në territorin shqiptar.

Çmimi që një emigrant paguante arrinte deir në -200- euro, gjysma e të cilave merrej nga "transportuesi".