Zbulime arkeologjike të kohëve të fundit nga misioni italo-shqiptar pranë qytetit antik të Butrintit, teknologji moderne (FOTO)

Prej vitit 2015 misioni arkeologjik italo-shqiptar pranë qytetit antik të Butrintit, në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Tiranë dhe me mbështetjen e domosdoshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës së Italisë, është angazhuar në vend në mënyrë aktive për të sjellë në dritë historinë e këtij siti të mahnitshëm. Të pajisur me përvojën e arritur në kuadër të Planit për Njohjen e Pompeit, drejtuesit e Misionit, Enrico Giorgi i Universitetit të Bologna-s dhe Belisa Muka e Institutit Arkeologjik të Tiranës, ndërthurën gërmimet arkeologjike tradicionale dhe hulumtimet në territor me potencialet që lidhen me përdorimin e teknologjisë më moderne Laser Scanning për studimin e gjetjeve arkeologjike. Rezultatet ishin premtuese: njohuritë mbi gjendjen aktuale të ruajtjes dhe degradimit të Tempullit të Askpelit dhe të murit rrethues të qytetit kanë bërë hapa përpara.

Pavarësisht vitit të pazakontë, duket se qyteti i Butrintit ka qenë protagonist i një zbulimi të madh i kryer, në mënyrë të jashtwzakonshme, në distancë. Autore e kësaj risie të mrekullueshme është Simona Antolini, drejtuese e katedrës së shkrimit latin pranë Universitetit të Macerata-s.

“Duke biseduar me Mjeshtrin tim, Gianfranco Paci, rreth angazhimit në projektitn e Butrintit, mësova se diku në laboratorin e Arkeologjisë të Universitetit gjendeshin të ruajtura dhjetra kopje të shkrimeve mbi teatrin. Ai vetë i kishte marrë disa dekada më parë nga Antonino Di Vita, Drejtori i Shkollës së Arkeologjisë së Athinës në atë periudhë, ndërsa kishte menduar t’i studionte me qetësi në një moment tjetër. Nuk qe e vështirë t’i gjeje këto thesare, para syve të të gjithëve, por tashmë pothuajse të harruara në disa çanta në kasafortë”, është shprehur ajo. “Bëhet fjalë për më shumë se gjashtëdhjetë kopje të realizuara në shekullin e kaluar nga Luigi Morricone, epigrafisti i misionit të parë arkeologjik italian në Butrint i drejtuar nga Luigi Maria Ugolini. Jemi shumë entuziastë për këtë zbulim dhe për gjithë mundësitë që na ofron. Në fakt, pavarësisht këtyre shkrimeve, të cilat përfaqësojnë një prej burimeve më të rëndësishme të informacionit mbi historinë e Butrintit, që janë të botuara dhe mund të shihen ende, ky dokumentacion i jashtëzakonshëm na ofron padyshim hollësi mbi gjendjen e ruajtjes, duke bërë të shpresojmë se një analizë e këtij dokumentacioni, mund të na udhëheqë, në një farë mënyrë, drejt një interpretimi dhe integrimi më të mirë të këtyre shkrimeve. Këto kopje përfaqësojnë gjithashtu një kapitull të rëndësishëm të historisë së arkeologjisë i denjë për t’u treguar dhe jemi të lumtur t’i thellojmë së bashku më tej njohuritë.”

Pandemia e Coronavirusit, krahas kësaj risie, ka shkaktuar edhe disa ndryshime të papritura të programit, por Projekti i Butrintit ka qenë në gjendje t’i bëjë ballë ndërprerjes së përkohshme të veprimtarive në terren, është shprehur Enrico Giorgi.

“Historia dhe arkeologjia na mësojnë se çdo moment krize mund të shërbejë, shumë mire, si një mundësi për të eksperimentuar rrugë të reja. Pas çorientimit të fillimit, vendosëm se ishte pikërisht kjo strategjia që duhej ndjekur, duke shfrytëzuar mundësitë për të thelluar më tej punën kërkimore si dhe për t’u ndalur në një analizë më të hollësishme që ndër vite, për arsye kohe, nuk kishim mundur t’i realizonim. Përuruam një faqe web kushtuar Misionit arkeologjik me qëllim përditësimin e veprimtarive tona (https://site.unibo.it/butrint/en). Në bashkëpunim me Ambasadën dhe me kolegë të tjerë të angazhuar në kërkimet arkeologjike në Shqipëri, iu dha udhë dy cikleve të Webinar për të krijuar një moment të ri dialogu dhe përballjeje përsa i përket vlerësimit dhe mbrojtjes së siteve në territorin shqiptar, ku prej vitesh jemi të angazhuar në studime dhe hulumtime. Një prej tyre, në proces realizimi, po shërben si një mundësi përditësimi edhe për kolegët shqiptarë  (https://tinyurl.com/y4treog6).

Megjithatë, falë edhe angazhimit të kolegëve shqiptarë, kemi qenë shumë me fat që në 2020 nuk hoqëm dorë krejtësisht nga veprimtaritë në terren.

‘Pavarësisht vështirësive të krijuara nga masat kufizuese shëndetësore”, rrëfen Belisa Muka, drejtuese e projektit për Institutin e Arkeologjisë së Tiranës, ‘arritëm të kryejmë disa veprimtari arkeologjike të domosdoshme për konsolidimin e strukturave të nxjerra në dritë në akropoli të Butrintit gjatë gërmimeve të vitit të kaluar. Në fakt, në vitin 2019 patëm nxjerrë në dritë mbetje qeramike të qytetit arkaik si dhe një seri strukturash që i përkasin periudhës romake perandorake dhe mesjetës së vonë, të cilat kërkojnë një ruajtje të veçantë për t’u mbrojtur nga klima e ashpër e dimrit. Një rezultat shumë i mirë që do të bëjë të mundur një ruajtje më të mirë të zonës në pritje të nisjes së fushatës të 2021, çka vë edhe një herë në dukje se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi italo – shqiptar.”

Pikërisht, lidhur me veprimtaritë e vitit të ardhshëm, zbulimi i kopjeve të shkrimeve me siguri që ka tërhequr një interes të madh, sikurse thekson edhe një herë Simona Antolini, e na shtyn përpara të shqyrtojmë dokumentacionin shkrimor edhe nën dritën e të dhënave të reja.

“Shpresojmë të rikthehemi së shpejti në terren për të vijuar me veprimtaritë e gërmimit, hulumtimit dhe gjetjes të cilat kanë qenë edhe pikat kulmore të misionit tonë, por nuk e fshehim se kemi shumë ide se si mund ta bëjmë më të dukshëm këtë zbulim dhe se si mund të zhvillojmë më tej informacionet që shpresojmë të mund të na ofrojnë këto shkrime. Jemi të vetëdijshëm se për arritjen e rezultateve të kënaqshme nevojitet kohë, jemi gjithashtu të vendosur të kryejmë një veprimtari kërkimore sa më të saktë e të hollësishme. Ndaj i jemi përveshur punës për bashkërendimin e veprimtarive të restaurimit, kemi kontaktuar edhe ekspertë të jashtëm, me përvojë në trajtimin e cartonnages të çmuara të mumjeve egjiptiane të Muzeut të Torino-s. Besojmë se mund të sjellim ndonjë risi, në mos si dhuratë për Krishtlindje, të paktën për muajt e parë të vitit të ardhshëm!”

K.T./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë