Mbi 200 vrapues nga vendi por dhe shtete fqinje si Maqedonia e Veriut, Italia, Greqia morën pjesë në mini maratonën “Voskopoja Wolf Trail” për disiplinat: 5,10 dhe 21 km.
“Ky është edicioni I 5-të që ne organizojmë. Është një kënaqësi që jemi rikthyer sërish. Vitet e fundit na janë bashkuar dhe shumë vrapues nga rajoni. Sivjet janë rreth 200-220 vrapues të ndarë në tre kategori: 5 km, 10 km dhe 21 km nga Maqedonia e Veriut, Greqia, Italia. Pra, është një gjysmë maratone që bëhet në mal. Kjo është një traditë dhe një mundësi që njerëzit të shikojnë dhe natyrën por të bëjnë dhe një turizëm malor”, thotë organizatori Altin Sholla.
Fitues për kategorinë 10 km u shpall Bledar Mesi, ushtarak i Forcave të Armatosura dhe njëkohësisht atlet profesionist ndërsa për kategorinë 21 km, shiritin e preku i pari atleti Ilir Këllëzi.
“Jam përfaqësues I forcave të armatosura. Jemi një ekip I plotë që marrim pjesë gjithmonë në këto lloj garash. Kam qenë prej vitesh një atlet profesionist për vite të tëra, pavarësisht moshës 41 vjeç, po vazhdoj akoma. Kam marrë pjesë në kampionate botërore dhe europiane por edhe lojërat olimpike ushtarake” u shpreh Mesi.
Ky aktivitet sportiv ishte pjesë e eventit “Zbulo Voskopojën” kthyer tashmë në traditë në fshatin turistik të juglindjes.