TIRANE- Shërbimi Social Shtetëror i Ministrisë së Mirëqenies Sociale kallëzon në Prokurori 623 raste abuzive në ndihmën ekonomike në paskuqan. Dje u denoncuan në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, zyrtarë të Komunës Paskuqan me motivacionin për shpërdorim detyre me administrimin e fondit të ndihmës ekonomike. Nga kontrolli i ushtruar nga ekipi i auditit të Shërbimit Social Shtetëror në Komunën e Paskuqanit u konstatua se 623 persona përfitonin ndihmë ekonomike në shkelje të kritereve ligjore për përfitimin e saj.
Nga verifikimet e kryera u dol në përfundimin se dhjetra familje që ishin regjistruar si përfituese në skemën e ndihmës ekonomike, rezultuan të punësuar ose si zotërues pronash përtej kritereve të përcaktuara për personat që duhet të marrin ndihmë ekonomike. Sipas një vlerësimi paraprak të dëmit që i është shkaktuar buxhetit të shtetit rezulton se vlera shkon deri në 2.759.884 lekë.

Në përfundim të këtij kontrolli, Shërbimi Social Shtetëror ka kërkuar regjistrimin e procedimit penal ndaj administratorëve socialë të Komunës Paskuqan dhe personave të tjerë që mund të rezultojnë përgjegjës gjatë hetimeve.
Pjesa më e madhe e denoncimeve për Komunën e Paskuqanit kanë ardhur nga vetë qytetarët, të cilët kanë denoncuar rastet në faqen e internetit e hapur nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë si një dritare transparence për të gjitha rastet e korrupsionit lidhur me ndihmën ekonomike dhe pagesat e aftësisë së kufizuar.
Shërbimi Social Shtetëror vazhdon kontrollet e skemës së pagesave të aftësisë së kufizuar dhe ndihmës ekonomike.

Ky denoncim për komunën e pakuqanit vjen pas atyre në Elbasan dhe në Fier. Ministri i Mirqenies Sociale ka deklaruar se po hetohet në të gjitha rrethet për të denoncuar rastet abuzive dhe se në këtë pikë nuk do të tolerohet askush. Me hyrjen në fuqi të skemës së re paratë nuk do të shkojnë më në xhepat e abuzuesve por vetëm tek familjet në nevojë. Këto abuzime ndër vite kanë bërë që të mos përfitojnë familjet në nevojë dhe personat me aftësi të kufizuar si dhe kanë sjellë dëme të kunsiderueshme në buxhetin e shtetit për këtë kategori personash. Edhe Kryeministri ka mbështetur skemën e re dhe është shprehur se kjo skemë nuk ka vend për abuzime. Skema e re e dixhitalizuar do të bëjë të mundur eleminimin e këtyre rasteve abuzive duke qenë se do jetë gjithçka transparente dhe do të jetë më e thjeshtë për të qenë nën kontroll.
 
Shkrimi u publikua sot (13.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)