Zbulohen katër vepra të panjohura të skulptorit Odhise Paskali (FOTO)

Zbulohen katër vepra të panjohura të skulptorit Odhise Paskali (FOTO)

Vepra Luftëtari dhe Odhise Paskali

Ai ishte shkrimtar, gazetar, përkthyes, piktor, mbi të gjitha skulptor, por Odhise Paskali (1903 -1985) nuk arriti kurrë të realizonte ëndrrën e tij për të studiuar për skulpturë, pavarësisht kërkesave të shumta. Studimet e larta i kishte mbaruar për filozofi dhe letërsi në Torino, Itali, dhe gjatë këtyre studimeve kishte shfaqur edhe pasionin për artin e skulpturës. Falë gjithë këtij diapazioni shprehës e krijues, në fillimin e viteve ’20, Odhise Paskali shquhej si një nga intelektualët më të mëdhenj të kohës. Ndërsa botonte esetë e tij në shtypin e kohës, nuk linte mënjanë edhe pikturën e skulpturën. U shqua për vepra me karakter dhe të veçanta, për cilësi shprehëse që mbizotëronin me një gjenialitet të rrallë materialet e ngurta,  duke i bërë ato aq bukur “të lexueshme” nga sytë e njerëzve.

Ja, pikërisht në vitin 1924, skulptura e tij e rrallë “I urituri”, do ta bënte të njohur si artistin më të rrallë në rininë e tij. Pas kësaj vepre, ai ishte skulptori që iu besuan veprat më të rëndësishme me vlerë kombëtare, por edhe plot të tjera të karakterit idilik dhe lirik. Është ai autori i monumentit të Çerçiz Topullit në Gjirokastër, dhe të dhjetëra monumenteve luftëtarëve të lirisë, si "Luftëtari Kombëtar" e të tjera që janë realizuar para viteve ’40. Dhe pas shumë prej tyre, vjen edhe një ndër kryeveprat e tij Portreti i Skënderbeut, e cila konsiderohet si më e plota për Heroin Kombëtar. Ndërsa në periudhën 1932-1937, në disa qytete të Shqipërisë, u ngritën disa monumente skulpturore, punime të autorit. “Flamurtari” në Vlorë”; “Jeronim De Rada”, “Naim Frashëri”, janë vepra të Odhise Paskalit.

Por, midis qindra krijimeve të tij, ka shumë që janë zhdukur. Mjafton të kujtojmë veprat “I urituri” dhe “Fytyrë vajze”, të cilat kanë qëndruar në Pallatin e Mbretit Zog I dhe më pas përfunduan në Itali. Kjo është arsyeja që veprat e gjetura në “Minervën” e qershorit tw vitit 1935 të jenë mbresëlënëse dhe të na çojnë në gjurmët e tyre. Bëhet fjalë për vepra origjinale, të arrira dhe që sot nuk dihet se ku gjenden. Janë vepra që janë vlerësuar që në kohën e realizimit, ku vihet gjithashtu në dukje edhe talenti i padiskutueshëm i skulptorit më të madh shqiptar.

Shkrimi në “Minerva”, qershor 1935 për veprat e Odhise Paskalit

Në gazetën “Minerva”, tw muajit qershor tw vitit 1935, shkrimi i titulluar “5 Vepra t'Odhise Paskalit” paraqit ndër to katër vepra të reja, që saktësojnë edhe kohën kur i ka bërë autori, ndërsa na njeh edhe me imazhin e tyre. Ndërsa më mënyrë të veçantë flitet edhe për veprën e Luftëtarit-monument, ku botohet vetëm një fragment i saj. Ja çfarë shkruhet në “Minerva”:

“Këtu poshtë po botojmë katër vepra të ra të skulptorit t'onë Odhise Paskali bashkë me kokën e Luftëtari-t që sundon rrugën kryesore të Korçës.

Jemi të bindur se shumica e madhe e njerëzve që e shohin monumentin në Korçë, nuk mund të mos ndjejnë sesa e përsosur është kjo vepër e Paskalit. Për të parë të tërë bukurinë e një vepre skulpturore, duhet të dish të shëkosh, me fjalë të tjera duhet të kesh një edukatë të mjaftueshme artistike. Ekspresionin e fytyrës së Luftëtarit, në tërësinë e tij e shohim në fotografinë që botojmë këtu: syri i objektivës së fotografit - që në këtë rast është vetë Odhiseu - i ka kapur të gjitha hollësitë e këtij ekspresioni. Me të vërtetë, pa hijen që na shfaq fotografia, sytë e Luftëtarit nuk do t'ishin kaq depërtonjës e kaq dinamikë, dhe pa hijen që shihet nën hundë dhe nën buzët, fytyra nuk do ta kish atë ekspresion të shqiptarit trim e vullnetplotë që është dhënë pas një ideali-Krijimin e Shqipërisë së Lirë e lndipendente. Dhe Luftëtari shqiptar, ay që, me pushkë në dorë e duke hequr dorë nga çdo të mirë të kësaj bote, si familje, pozitë, komoditet e të tjera, i është koneakeuar Çështjes Kombëtare, nuk mund të kish, në konsepsionin e një artisti me talent e me shpirt, veçse këtë fytyrë fisnike, të ngjallur po n'atë kohë me dinamizmin vullnet-plotë dhe me seriozitetin ekstrem e melankolik që shihet në veprën e admiruarshme të Artistit t'onë. Luftëtar i i Paskalit përjetëson, gjatë brezave, të vetmen epope t'onë kombëtare të para-indipendencës, na e tregon gjallë përfaqësonjësin e lëvizjes trimnore t'idealistëve që punuan dhe u bënë fli për të siguruar Lirinë dhe lndipendencën që ëndërronin për neve e të paardhurit e tyre”

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën