Dy të rinj janë arrestuar në Shkodër, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pas zbulimit të një ambienti të marrë me qira që përdorej për fshehjen dhe përgatitjen e lëndëve narkotike për shitje.
Operacioni i koduar “Target Group” çoi në prangosjen në flagrancë të një 18-vjeçari dhe një 20-vjeçari në lagjen “Manush Alimani”, ku u kapën me doza kokaine dhe kanabisi, gati për t’u shitur kryesisht tek të rinjtë.
Sipas hetimeve, 23-vjeçari i shpallur në kërkim, kishte marrë me qira ambientin ku, në bashkëpunim me dy të arrestuarit, fshihej lënda narkotike dhe përgatitej në doza për treg.
Gjatë kontrollit u sekuestruan sasi të konsiderueshme kokaine dhe kanabisi, qindra qese për paketim, 5 peshore elektronike, 2 telefona, një shkop metalik, një motomjet dhe një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga kjo veprimtari.
“Shkodër/Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Zbulohet një ambient i marrë me qira,ku shërbente për të fshehur lëndën narkotike dhe për përgatiteje për shitje.
Kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas.
Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.
Sekuestrohen lëndë narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa, qese farmaceutike për paketimin e tyre, 5 peshore elektronike, 1 armë e ftohtë, 1 motomjet që përdorej për këtë veprimtari kriminale dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar prej saj.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin e Mbështetjes Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara për shitje të lëndëve narkotike në qytetin e Shkodrës, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Target Group”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan shtetasit N. F., 18 vjeç dhe K. Z., 20 vjeç, të dy banues në Shkodër. Ata u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në lagjen “Manush Alimani”, me doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa, të cilat i posedonin me qëllim shitjen, kryesisht tek moshat e reja.
Gjithashtu, u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi L. A., 23 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas kishte marrë me qira një ambient në lagjen “Manush Alimani”, ku, bashkë me dy shtetasit e arrestuar, fshihnin lëndën narkotike dhe e përgatitnin në doza për shitje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi e madhe dozash të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa, qindra qese farmaceutike për paketimin e tyre, 5 peshore elektronike, 2 celularë, 1 armë e ftohtë (shkop metalik), 1 motomjet që përdorej për këtë veprimtari kriminale dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar prej saj.
Vijon puna për kapjen e shtetasit në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore”, thuhet në njoftimin e policisë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










