TIRANË- Arena Kombëtare do të hapë dyert për tifozët me një ndeshje simbolike më 3 nëntor. Për herë të parë, tapetin e gjelbër të stadiumit kombëtar shqiptar do e shkelin femrat, dhe më saktësisht ato të Vllaznisë dhe Apolonisë. 

Sipas FSHF ndeshja është zgjedhur pas hedhjes së shortit dhe do të luhet në mbrëmje, në orën 20:00 ku do të testohet edhe ndriçimi i stadiumit. Vllaznia- Apolonia, luhet dy javë para ndeshjes Shqipëri- Francë, e cila është planifikuar të jetë ndeshja e parë zyrtare e kombëtares por edhe e një niveli të lartë futbollistik. Kuqezinjtë shpresojnë që atë ditë debutimi ta kthejnë edhe në një festë të madhe në qoftë se sigurojnë kualifikimin për në EURO 2020.

Ndeshja me femrat do të shërbejë si një lloj testi për të parë të gjitha kushtet teknike të cilat ofron Arena Kombëtare.

Njoftim i Federatës Shqiptare të Futbollit

Historike, Stadiumi i Ri Kombëtar hap dyert me ndeshjen Vllaznia- Apoloni për femra

Stadiumi i Ri Kombëtar është në detajet e fundit përpara ceremonisë inauguruese, e cila do të zhvillohet në ndeshjen me Francën më datë 17 Nëntor. Punimet janë drejt fundit dhe gjithçka do jetë ne perfeksion për ndeshjen e fundit eliminatore për Euro 2020.

Federata Shqiptare e Futbollit ka përcaktuar ditën e sotme, gjatë hedhjes së shortit të kampionatit të futbollit të femrave, se ndeshja testuese e Stadiumi të Ri Kombëtar, e cila është e detyruar sipas rregullave të UEFA-s, do të jetë Vllaznia-Apolonia. Kjo ndeshje do të zhvillohet më datë 3 Nëntor, në mbrëmje. Kjo do të jetë dhe ndeshja e parë ku tifozët do të kenë mundësinë të shikojnë nga afër një ndeshje në investimin më të madh të realizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Kampionati i femrave do të fillojë këtë fundjavë dhe më poshtë janë ndeshjet e javës së parë:

Tirana AS – Bilisht Sport

Kinostudio- Juban Danja

Apollonia – Dajti

Maliqi- AAS

Teuta – Vllaznia