Zbulohet dokumenti sekret: Në vitin 1965, Kadri Hazbiu thirri në Ministrinë e Brendshme, gruan e Myslym Ketës dhe i kërkoj asaj...

Zbulohet dokumenti sekret: Në vitin 1965, Kadri Hazbiu thirri në Ministrinë e Brendshme, gruan e Myslym Ketës dhe i kërkoj asaj...

Kadri Hazbiu

Grupi Operativ Special që u krijua menjëherë pas arrestimit të ish-Ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehut, në mesin e muajit tetor të vitit 1982, në krye të të cilit ishte zv/ministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, (njëkohësisht mbante edhe funksionin e Drejtorit të Sigurimit të Shtetit) dhe si vartës të tij kishte Enver Zenelin e Hasan Ulqinakun, ndërmjet masave të tjera, siç ishin; studimi dhe analiza e një numër të madh dosjesh arkivore që i përkisnin një periudhe të gjatë kohe, (1945-1982), u bëri thirrje dhe u kërkoi edhe disave prej ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes së PPSh-së dhe ish-kuadrove të lartë drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, oficerëve të Sigurimit të Shtetit, etj., që të jepnin me shkrim, ato që ata dinin, apo kishin dyshime, lidhur me “veprimtarinë armiqësore”, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, apo dhe personave të tjerë, me të cilët ata i kishte lidhur puna apo jo, gjatë periudhës që ata kishin shërbyer pranë asaj ministrie, apo në Degët e Brendshme në rrethe, në sektorin e Zbulimit Politik, pranë përfaqësive tona diplomatike të akredituara në shtete të ndryshme të botës, etj.

Ndër ish-funksionarët e lartë të PPSh-së dhe kuadrot drejtuese e oficerët e Sigurimit të Shtetit, etj., që iu përgjigjën kësaj thirrje, duke dhënë dëshmitë e tyre me shkrim pranë Grupit Operativ Special, ishin: Liri Belishova, (ish-anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së), Nesti Kerenxhi, (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Punëve të Brendshme), Xhule Çiraku (ish-gjeneral-leitnant, Drejtor i Drejtorisë së Dytë të Sigurimit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Rexhep Kolli (ish-gjeneral-leitnant, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Zija Kambo (ish-gjeneral-major dhe komandant i Gardës së Republikës), Zoi Themeli (ish-gjeneral-leitnant, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Myftar Tare, (ish-kolonel dhe zv/ministër për Zbulimin Politik, i arrestuar në vitin 1949 dhe nxjerrë në lirim), Nevzat Haznedari, (ish-gjeneral-major dhe Kryetari i Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme), Hekuran Pobrati (ish-kolonel dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit), Feti Smokthina (ish-kolonel dhe Komandant i Gardës së Republikës), Zylfi Saliu (ish-kolonel, oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit, kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe, e deputet i Kuvendit Popullor), Lelo Sinaj, (ish-oficer madhor dhe Drejtor i Sigurimit të Shtetit), Halil Zeneli (ish-kolonel i Sigurimit dhe kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe), Ilo Manushi (oficer madhor dhe drejtor i Drejtorisë së Kuadrit të Ministrisë së Brendshme), Mark Dodani (ish-nënkolonel, oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit dhe zv/kryetar i Degës së Brendshme Sarandë), Xhemal Bejto Fasllia, (ish-gjykatës dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme), Ibrahim Kubati (ish-agronom i diplomuar në Bullgari, drejtor i rezervateve të gjuetisë në disa rrethe të vendit, ku shkonte udhëheqja e lartë e PPSh-së për gjueti, i dënuar me pesë vjet burg politik), Ali Kubati, (ish-oficer i Zbulimit Politik në disa shtete të botës dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës), Nexhip Pajo, ish-oficer i Drejtorisë së II-të të Sigurimit të Shtetit (që merrej me ruajtjen dhe sigurinë fizike të udhëheqjes së lartë),  në grupin e shoqërimit të Hysni Kapos, etj.

Nga letrat në fjalë të dërguara në adresë të Grupit Operativ Special pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo personalisht ministrit Hekuran Isai, në vitet 1982-1983, në numrat e kaluar, kemi publikuar letrat e Liri Belishovës, Hekuran Pobratit, Xhule Çirakut, Mark Dodanit, Ibrahim Kubatit, dhe Nexhip Pajos, kurse në këtë shkrim, kemi përzgjedhur për botim, një raport-informacion të Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Koço Eftimi, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dajti”, i cili në vitet 1973-1974, kishte raportuar mbi një darkë që kishte zhvilluar në shtëpinë e tij, ushtaraku i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, Andon Sheti, (asokohe mbante detyrën e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë), ku kishin marrë pjesë edhe ministrat Beqir Balluku e Kadri Hazbiu, si dhe disa nga oficerët madhorë, ish-gjeneralë, si: Petrit Dume, Rrahman Parllaku, Thoma Xhixho, Mendu Backa, Vehbi Hoxha, Muharrem Kokomani, Tanush Shyti, Arif Hasko, etj. Siç do të shohim në dokumentin në fjalë, bashkëpunëtori i Sigurimit “Dajti”, (i cili ishte me profesion hidraulik dhe futej për arsye “pune” në shtëpitë ve vilat e udhëheqjes dhe funksionarëve të lartë të PPSH-së), përveçse informatave rreth asaj darke, ka raportuar edhe për një bisedë që ka bërë më Bardhyl Manon, (i njohur si Lola Mano), i cili i ka treguar për një takim që ka bërë Kadri Hazbiut, në ministrinë e Punëve të Brendshme, me bashkëshorten e Myslym Ketës, (“Hero i Popullit”) i vdekur në një aksident automobilistik në vitin 1966, në rrugën nacionale Pukë-Fushë-Arrëz, në rrethana ende të paqarta edhe sot pas gati gjashtë dekadash.

Lidhur me misterin e vdekjes së kolonel Myslym Ketës, përveç një letre të gjatë të ish-nënkolonel Mark Dodanit, dërguar ministrit Hekuran Isai në vitin 1982, jemi njohur edhe me dëshmitë e Ibrahim Kubatit, i arrestuar në fundin e vitit 1980, si pjesë e një “grupi armiqësor”, ku bënin pjesë edhe i vëllai i tij, Ali Kubati (ish-oficer i Zbulimit Politik në disa shtete të botës dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tiranës), Bardhyl Mano, ose siç njihej ndryshe si; Lola Mano (ish-funksionar i lartë me disa detyra shtetërore), Edip Ohri, (ish-kolonel, komandant i Aviacionit Luftarak të Shqipërisë dhe deputet në Kuvendin Popullor), Sabri Pilkati (ish-prokuror dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës), Shyqëri Këllezi, (djali i xhaxhait të Abdyl Këllezit, ish-shoqërues personal i Enver Hoxhës gjatë Luftës dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave), të cilët u dënuan me vite të gjata burgu politik.

Pjesëtarët e këtij “grupi armiqësor”, përveç miqësisë së ngushtë me njëri tjetrin, kishin edhe lidhje krushqie, pasi Sabri Pilkati, kishte për grua motrën e Myslym Ketës, Edip Ohri, kishte për grua, motrën e Ali dhe Ibrahim Kubatit, kurse Myslym Keta, kishte për grua, motrën e Bardhyl Manos. Po kështu të gjithë këta, kishin qenë edhe shokët dhe miqtë më të ngushtë të Myslym Ketës, (“Hero i Popullit”), që nga periudha e Luftës, si pjesëtarë të njësiteve guerile të Tiranës e formacioneve partizane, miqësi të cilën e kishin ruajtur edhe pas vdekjes “aksidentale” të tij (në 1966), duke e vazhduar atë, deri ditën që u arrestuan. Në këtë grup shokësh, bënin pjesë edhe kolonel Adnan Qatipi dhe Safet Kurti, (ish-pjesëtarë të njësiteve guerile me Myslym Ketën) të cilët nuk u arrestuan si të tjerët, (gjë e cila, edhe për shkak të intrigave të Sigurimit, bëri që të hidheshin hije dyshimi mbi ta), por patën dhe ata probleme, duke u shkarkuar nga detyrat që kishin, apo duke i nxjerrë në pension, (Safet Kurti), ende pa mbushur 50 vjeç!

Ndërsa me këto jemi njohur edhe në numrat e kaluar, në këtë shkrim, po publikojmë raport-informacionit e vitit 1982, (të Punëtorit Operativ, Koço Eftimi), ku do të shohim se Myslym Keta, jo vetëm se ka qenë i ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit shumë kohë para vdekjes së tij “aksidentale”, por ministri Kadri Kazbiu, ka thirrur në ministri bashkëshorten e tij., dhe e ka porositur, që t’i rrinte parën Lymit, pasi ai ishte në pozita antiparti. Për më shumë rreth kësaj etj, na njeh dokumenti në fjalë që po publikojmë në këtë shkrim (i cili është pjesë e një dosje voluminoze që ndodhet në fondin e Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), që publikohet nga Memorie.al

DOKUMENTI SEKRET I PËRPILUAR NGA PUNËTORI OPERATIV, KOÇO EFTIMI, ME TË DHËNAT E BASHKËPUNËTORIT TË SIGURIMIT TË SHTETIT, ME PSEUDONIMIN “DAJTI”, PËR DARKËN E ZHVILLUAR NË VITIN 1974, NË SHTËPINË E ANDON SHETIT DHE TAKIMI I KADRI HAZBIUT ME GRUAN E MYSLYM KETËS

Marrë P.Op. Koço Eftimi

Dhënë: B.p. “Dajti”

Takim në zyrë

 

Raport i datës 22 tetor, 1982

Burimi nga të dhënat që ka, raporton:

Me rastin e 50 vjetorit të ditëlindjes së Andon Shetit (1973 apo 1974), në shtëpinë e Andonit, është bërë ceremoni e madhe:

Personalisht nga Beqir Balluku, ju dërgua një mesazh, ku flitet për kontributin e Andonit, dhënë në Ushtri (elozhe të shumta).

Në darkë është bërë pritje dhe përcjellje e madhe deri në orët e vona të ditës së nesërme, ku ka asistuar, Beqir Balluku me të shoqen, Mendu Backa me të shoqen, etj. (ai këtë gjë, e ka marrë vesh nga tregimet e Mendu Backës).

Ditën e ditëlindjes u shtrua një banket i madh, ku u pinë me dhjetëra litra raki. Në këtë banket, ishin shumë oficerë të (M.M.P.), Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, nga të cilët ai mban mënd disa prej tyre, si; Petrit Dumja, Rrahman Parllaku, Thoma Xhixho, Mendu Backa, Vehbi Hoxha, Muharrem Kokomani, Tanush Shyti, Arif Hasko, etj.

Ishte dhe Kadri Hazbiu dhe Petrit Dume, të cilët ishin ulur pranë njëri-tjetrit. Kur pirja kishte kaluar kufijtë, sidomos Petriti, Kadriu, Rrahmani, e Thoma Xhixho, filluan duke qarë me lot dhe me të madhe, (dënesë).

Kadriu në këtë situatë, ju thërret me zë, Petritit, Rrahmanit dhe Thomait: “pushoni”, “pushoni” dhe ata seç biseduan me njëri me tjetrin dhe filluan të pushojnë. Mbas pak u largua Mendui dhe kështu, ku një e nga një e, ku dy nga dy, u larguan. Ai mban mënd se në fund, mbetën Kadriu, Petriti, Rrahmani, Thomai, etj.

Në vitin 1965, Kadri Hazbiu ka thirrur gruan e Myslym Ketës, në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ka biseduar me të, (sipas bisedës që ka zhvilluar ai me Lola Manon, ky material ndodhet tek juve, mbi raportet për Lola Manon), për Lymin që ta ketë në kujdes dhe të rrijë më afër, (pranë), pasi Lymi, nuk po qëndron mirë, nga ana politike.

Ai në dy takime në qytet (Tiranë), me Qamil Podën, ndër të tjera, Qamili i ka thënë; se dola në pension, por ministri (Kadri Hazbiu) më ka thirrur dy herë dhe më ka thënë se; vazhdo të punosh dhe dy tre muaj të tjerë, pavarësisht që ke dalë në pension.

Nga njerëzit që flitnin, thonin se Beqiri me Kadriun, shoqërohen shumë, si në gjueti dhe tek njeri tjetri, në shtëpira dhe në vizita. Ai ka pas shikuar se Kadriu vinte shpesh në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore dhe takohej me Beqirin.

Karakteristikë ishte, se kur ata rrinin vetëm për vetëm në zyrë dhe që rrinin shumë, tek Beqiri nuk mund të hynte asnjeri tjetër më, qoftë dhe për punë, mbasi Beqiri nuk i pranonte, njerëzit rrinin në paradhomë dhe prisnin kur do të dalë Kadriu.

Kur Beqiri nuk ndodhej, Kadriu shkonte tek Petriti. Atëhere flitej: Si merren vesht këta të dy (Kadriu me Petritin), mbasi të dy vijnë nga shtresa të pasura, të dy janë që nuk i lëshojnë rrugë (vend) njeri-tjetrit?! Por ai ka parë disa raste që i ka parë të dy, si në zyrën e Petritit, ashtu dhe nëpër korridorin e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, në humor.

 

Ai kujton një rast, kur Petriti dha urdhër që një pjesë e makinash nga Ushtria, t’i jepen Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai i kujton Petritit, se duhet urdhëri i titullarit të dikasterit (Ministrit), Petriti i thotë se, jemi marrë vesh, si me Beqirin, ashtu dhe me Kadriun (ai punonte atëhere, në shërbimin automobilistik).

Ai ka pas dëgjuar nga goja e Edip Ohrit, se me urdhër personalisht të Mehmet Shehut, pensionistët: Arif Hasko, Vehbi Hoxha, Thoma Xhixho, Abdi Mati dhe Edip Ohri, të punojnë në Akademinë Ushtarake, duke u marrë me shkrime, për tema ushtarake të caktuara, dhe këta kështu kanë vepruar.

Por akoma vazhdojnë të punojnë, Vehbi Hoxha dhe Thoma Xhixho, marrin edhe stimuj material (nga 100 lekë të reja në muaj). Këto pesë vjet, janë thirrur dhe kanë marrë pjesë edhe në mbledhjet ushtarake-shkencore në shkallë ministrie, me kuadrot kryesorë.

“Dajti”

Sqarimi: Raporti përmban kujtime dhe ngjarje nga jeta dhe puna e B.p., për armiqtë: Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Arif Hasko, Andon Sheti, e lidhjet e tyre të cilat iu kërkuan nga ana jonë, për t’i rikujtuar.

Vlerësimi: Raporti ka vlerë operative, mbasi dalin momente të ndryshme, lidhjet që kanë pasur me njëri-tjetrin këta armiq dhe me persona të tjerë.

Detyrat: Të mundohesh të rikujtosh momente të dyshimta nga veprimtaria komplotuese e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, e pasuesve të tyre. Në të njëjtën kohë, kontakto me oficerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, që janë goditur nga Partia në vitin 1975-1976, si reagojnë në drejtim të këtyre komplotistëve dhe çfarë faktesh konkrete mund të dinë, për aktivitetin armiqësor të këtyre komplotistëve, duke i nxitur që t’i shkruajnë Partisë.

Masat Operative: Raporti të shtypet në dy kopje, njëra për Grupin Operativ dhe tjetra për në dosjen e drejtimit, në ministri.

Punëtori Operativ

                            Koço Eftimi

SHËNIMI ME SHKRIM DORE NGA NËNKRYETARI I GRUPIT OPERATIV SPECIAL, ENVER ZENELI, ME UDHËZIMET PËR OFICERIN E SIGURIMIT, YLLI BIRÇE

Shoku Ylli

T’u jepen pjesët që u takojnë shokëve.

Të sqarojmë se kush ka qenë tjetër në këtë mbrëmje dhe përse qajnë këta armiq?!

Pika 3, të në sillet neve ekstrakt./Memorie.al

 29.11.1982                          Enver Zeneli

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Shoku: 06/09/2023 06:34

    Disa nga keto mbiemra jane sot ne pushtet akoma,

    Përgjigju
  • Mirditori: 05/09/2023 08:14

    Mjaftë,mjaftë se çështë bërë nuk çbëhet,POR NUK ËSHTË ashtu.Unë këtë periudh e njohë.Nuk e bënë pisë atë EPOKË TË LAVDISHME TË SHQIPËRIS.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore