Zbulohet “dosja e zezë” e Sigurimit, në ’45-’49: Vaska ka torturuar dhe pushkatuar të pafajshëm, ka kontrolluar postën e Komandantit, ka survejuar Mehmetin, Kolekën…

Zbulohet “dosja e zezë” e Sigurimit, në ’45-’49: Vaska ka torturuar dhe pushkatuar të pafajshëm, ka kontrolluar postën e Komandantit, ka survejuar Mehmetin, Kolekën…

Enver Hoxha

Pjesa e parë
Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin viteve 1945-1949, ku ndodhen disa raporte, informacione, relacione, njoftime, vendime, etj., të Komitetit të Partisë së Qarkut të Tiranës, të firmosura nga sekretarja e parë, Fiqret Shehu, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me propozimet e bëra në mbledhjet e organizatës bazë së partisë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, ku pasi u analizua “veprimtaria trockiste dhe armiqësore” e drejtuesve më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si: Koci Xoxe, Nesti Kerenxhi, Vaskë Koleci, Vango Mitrojorgji, Mihallaq Ziçishti dhe Myftar Tare, u dhanë motivacionet përkatëse për masat e marra dhe dënimet ndaj tyre.

Raport-informacioni i hartuar nga Fiqret Shehu, lidhur me mbledhjet e organizatës bazë të partisë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, ku diskutuan kuadrot më të lartë të të tij, si: Vaskë Koleci, Angji Faber, Nesti Kerenxhi, Vango Mitrojorgji, Siri Çarçani, Lefter Lakrori, Paskal Andoni, Isa Agoviku, Zymer Jerina, Nesti Kopali, Thoma Vangjeli, Strati Papa, Ali Kubati, Myftar Tare, Beqir Ndou, Uran Avdiu, Asllan Zyka, Mit’hat Bushati, Muharrem Lila, Skënder Konica, Pilo Shanto, Jani Naska, Petrit Arbana, Thoma Vangjeli, Zoi Shkurti, Vangjel Pecani, Dhosi Progri, Mihallaq Ziçishti, Sadik Bocaj, Sali Ormëni, etj.

Proces-verbalet e mbledhjeve të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, ku pjesa më e madhe e kuadrove drejtues që morën fjalën aty, diskutuan dhe analizuan veprimtarinë e punës së tyre për periudhën 1945-1949, duke evidentuar terrorin, persekutimet, internimet, arrestimet, burgosjet, torturat, pushkatimet, krimet, vrasjet me dhe pa gjyq, zhdukjen e personave, etj., etj. që kishin ndërmarrë kuadrot më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke filluar nga Koci Xoxe, Nesti Kerenxhi, Vango Mitrojorgji, Vaskë Koleci, Myftar Tare, Mihallaq Ziçishti, etj., të cilët veç të tjerash, u akuzuan se, në bashkëpunim me këshilltarët jugosllavë të UDB-së që ishin inkuadruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si koloneli famëkeq, Safet Filipoviç, majori Mirko, etj., kishin vënë organet e Sigurimit të Shtetit mbi Partinë, duke arritur deri aty sa të kontrollonin edhe postën e ‘Komandantit’ (Enver Hoxhës), si dhe të survejonin udhëheqësit kryesorë të Partisë dhe qeverisë, si: Mehmet Shehun, Spiro Kolekën, Bedri Spahiun, Nako Spiron, Njazi Islami, Spiro Gusho, etj.

Dokumenti me relacionin e hartuar nga sekretarja e Komitetit të Partisë së Tiranës, Fiqret Shehu, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me propozimet që ishin bërë nga ana e organizatës bazë të partisë të Drejtorisë, së Sigurimit të Shtetit, për masat e marra ndaj drejtuesve më të lartë të Ministrisë së Brendshme, si: Vaskë Koleci, Vango Mitrojorgji, Myftar Tare dhe Nesti Kerenxhi, të akuzuar për “veprimtari trockiste dhe armiqësore”

KOMITETI I P.P.SH. QYTETIT

PËR TIRANËN Tiranë, më 25.3.1959

Nr. 7/392

KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË

Tiranë

Bashkangjitur ju dërgojmë propozimet e organizatës bazë të Drejtorisë së Sigurimit, Nr. 1, në lidhje me masat që duhen marrë për shokët: Vaskë Koleci, Vangjo Mitrojorgji, Myftar Tare dhe Nesti Kerenxhi.

Mbasi i morri në shqyrtim, Komiteti i Partisë, për arsye që shënohen në motivacionet që u bashkëngjitim, aprovon që: Vaskë Koleci, të përjashtohet nga partia, Vangjo Mitrojorgji dhe Myftar Tare, t’i hiqet një vërejtje e rëndë.

Për Nesti Kerenxhin, mbasi ky s’ka bërë pjesë në organizatën tonë, vendos Komiteti Qendror, por sidoqoftë, Komiteti është i mendimit, se propozimi i organizatës bazë, është me vend.

Për shokun Mihallaq Ziçishti, në organizatë u propozua që t’i bëhet një vërejtje e lehtë përpara organizatës, por nga i deleguari i Komitetit, që ishte në këtë mbledhje, ne u njoftuam se mendimi i organizatës, qe, që ai të këshillohej në lidhje me disa gabime të tija, por ishte shprehur keq, në motivacion.

Komiteti i qytetit, është i mendimit, se: asnjë masë tjetër të mos merret, kundra shokut Mihallaq Ziçishti, përveç kritikës që i’u bë në organizatë në atë mbledhje speciale, duke qenë se shoku Mihallaq, pak kohë ka qenë në Sigurim, e se nuk ka bërë ndonjë gabim të veçantë, nga gabimet që kanë bërë gjithë shokët që kanë punuar në sektorin e Sigurimit, më parë.

Lutemi, na njoftoni mendimin e atij Komiteti

P/KOMITETIN E P.P.SH. SË QYTETIT

Fiqret Shehu

Dokumenti i hartuar nga Drejtoria e Organizim – Inspektimit pranë Komitetit Qendror të PPSh-së, Liri Belishova, lidhur me motivacionet e dënimit të drejtuesve kryesorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si: Vaskë Koleci, Vangjo Mitrojorgji, Myftar Tare dhe Nesti Kerenxhi.

MOTIVACIONI I DËNIMIT TË DISA SHOKËVE

1.VASKË KOLECI, është marrë në organet e Ministrisë Punëve të Brendshme që në Berat, prej Koci Xoxes, si element që do të zbatonte verbalisht, urdhrat e tij.

Si i tillë ka qenë gjithmonë në përgjegjësi kryesore në Sigurim, si sekretar i Përgjithshëm i Sigurimit. Shefi i Seksionit të II-të, dhe me ardhjen e tij nga Moska, mbas Plenumit të VIII-të, merr detyrën e Nd/Ministrit për Sigurimin.

Ka referuar që: në organizatën bazë të Sigurimit, të merrnin pjesë cilido prej shokëve të forumeve më të larta të Partisë, por, shokë të caktuar nga ai, vepër kjo, që ven Sigurimin, mbi Partinë.

Puna e tij në Sigurim, është prototip, i punës trockiste. Vaska, është përgjegjës kryesor, për krejt punën e poshtër, që kanë bërë organet e Sigurimit të Shtetit.

Me urdhrin dhe me firmën e tij, kanë dalë qarkore për kontrollimin e anëtarëve të partisë, d.m.th., ka shtruar vijën në organet e Sigurimit, për vënien e Partisë, nën kontrollin policor të Sigurimit.

Është një nga elementët që rëndon mbi atë, gabimi i rëndë për ngritjen e organeve të Sigurimit, mbi baza trockiste, të prura nga Majori, i OZNA-së Jugosllave, me të cilin, ka bashkëpunuar ngushtësisht.

Ka drejtuar operacione në shkallë të gjerë, duke i dhënë “karta bianka”, nga Koci Xoxe, si në Shkodër në janar të 1945-ës, – shtator 1946, Gjirokastër, (minoritetet), etj., ku me urdhër të tij, janë pushkatuar e torturuar, popull i pafajshëm, që si përfundim, ka sjellë armiqësinë e popullit me pushtetin, d.m.th., ka thyer rëndë vijën e Partisë.

Është përgjegjës për arrestime-dënime, të padrejta, si dhe torturime, në shkallë të gjerë, si për popull edhe për anëtarë të Partisë të pafajshëm. Duke zbatuar verbërisht urdhrat e Koci Xoxes, ka krijuar gjyqe jo të ligjshme, për zhdukjen misterioze të anëtarëve të Partisë.

Ka urdhëruar Komandën e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, etj., për ekzekutime pa gjyq, raste të cilat, kanë qenë të shumta.

Me urdhër të Vaskë Kolecit, janë vënë nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit, udhëheqës të Partisë e të Shtetit, si: shokët Mehmet Shehu, Bedri Spahiu, Spiro Koleka, etj., ka punuar për nxjerrjen të implikuar, si agjentë të S.B.S.-së, shokun Nako Spiro, ka kontrolluar postën e shokut komandant.

Është përgjegjës për politikën e poshtër të Kuadrit, që është bërë në Sigurim, politika e karakterizuar nga një sektarizëm i tepruar, gjë e cila ka shkaktuar largimin e kushedi sa shokëve të mirë, prej Sigurimit, pa asnjë arsye të drejtë. Me këtë, ka bërë që kuadri i Sigurimit, të ketë qenë i ndrydhur dhe gjithmonë nën frikën e përcjelljes.

Gjatë kohës që ka qenë me përgjegjësi kryesore në Sigurim, ka bashkëpunuar shumë ngushtë, me agjentët e spiunazhit jugosllav (UDB), si kolonelin famëkeq, Safet Filipoviç, majorin Mirko, etj., të cilët ishin bërë ata drejtues të Sigurimit në vendin tonë.

Atyre nuk u ka fshehur asgjë, ju ka dorëzuar dokumenta të rëndësishme, d.m.th., u ka dorëzuar trockistëve sekrete me rëndësi të shtetit.

Këtyre, me urdhër të tij, me anë relacionesh të përkthyera në jugosllavisht, u janë dhënë të gjitha problemet në ndjekje të Sigurimit, e në këtë mënyrë, përveçse u është lënë rruga e lirë për ngritjen e bazave të tyre të informacionit, por dhe janë ndihmuar me këtë mënyrë pune.

Përveçse nuk ka ndjekur problemet që ngriheshin nga organet e Sigurimit, në lidhje me sabotimet e hapta të trockistëve jugosllavë, në qendrat tona të punës, por këto, u a ka dorëzuar atyre.

Në punë e tij katër vjeçare në Sigurim, Vaskë Koleci, sidomos kohët e fundit, karakterizohet nga një frymë e theksuar anti-sovjetike. Qëndrimi i tij në Moskë, i dërguar atje për të përfituar nga eksperienca e shumë vlefshme sovjetike, karshi instruktorëve, duke i nënvleftësuar, përbuzur, akuzuar për vjedhje etj., qëndrimi i cili përfundoi, në raportin e poshtër “Përshtypje nga Moska”, të bërë nga ai atje, e tregojnë këtë.

Përveç kësaj, urdhrat e tij për kontrollin policor të kineastëve sovjetikë me në krye Kopalinin, për survejimin e personelit tjetër sovjetik në vendin tonë, përforcojnë këtë frymë që ka ekzistuar tek Vaska.

Në aktivitetin e punës së tij, antisovjetike, hyn dhe fakti se nuk ka vënë aspak në praktikë, çka u mësua prej shokëve që ishin në Moskë, dhe kur njëri e ka sugjeruar këtë, ai ka urdhëruar vazhdimin e punës në frymën e parë, d.m.th., në frymën trockiste, të prurë nga organet e Sigurimit, prej Jugosllavie.

Vaskë Koleci, për gjithë këtë aktivitet, fund e krye trockist, ka qenë krejtësisht, koshjent gjë e cila, tregohet qartë me qëndrimin e tij, kundrejt këtyre gabimeve të rënda.

Ai nuk ka kuptuar, ose më mirë, nuk ka dashur të kuptojë, letrat e Partisë Bolshevike, dhe Rezolucionin e Inform-Byrosë, dhe kjo tregohet nga fakti, se ka vazhduar dhe më pas këtyre, të eci me këtë frymë.

Autokritika e Vaskë Kolecit, që ka bërë në organizatën bazë për shumë orë rresht, nuk ka qenë gjë tjetër, veçse një frazeologji e sëmurë, për të shfajësuar veten, duke ngarkuar krejt këtë aktivitet trockist, të tjerëve, d.m.th., Koci Xoxes, i cili i ka urdhëruar, për këto veprime, duke lënë mënjanë, përgjegjësinë e tij të rëndë, për vënien në jetë të kësaj vije.

Për të gjitha këto, organizata bazë, me unanimitet, propozoi, përjashtimin e tij nga partia.

Vangjo Mitrojorgji, është marrë në organet e Sigurimit, si njeri i predispozuar, që do t’i shërbente vijës trockiste të Koci Xoxes dhe në bazë të njohurive personale. Ka zbatuar me koshiencë urdhrat e Kocit.
Nga seksioni i Sigurimit të Tiranës, si shef që ishte, ka survejuar dhe ka dhënë raporte me shkrim, për anëtarë partie.

Ka marrë pjesë në arrestime të padrejta dhe sikurse e thotë dhe ai vetë, “Ka qenë në garë se kush do të torturonte më shumë”.

Ka arrestuar me urdhër Galip Hatibin, dhe ka dijeni për zhdukjen e tij, me anë të një gjyqi special.

Gjatë kohës në Drejtori, nuk ka bashkëpunuar me Prokurorinë, dhe ka shkelur ligjet e pushtetit. Nga njëra anë, ka pasur takime me agjentin e OZNA-s, Safet Filipoviçin dhe i ka dhënë atij të gjitha sekretet e shtetit tonë, që ka pasur, nga ana tjetër, ka dhënë urdhër në Kuçovë, që të ruhen sekretet nga sovjetikët.

Këtu del qëndrimi i tij, antisovjetik. Këtë e forcon, edhe fakti se gjatë kohës që ka qenë në Bashkimin Sovjetik, ka përbuzur, njerzit sovjetik, dhe kur është kthyer këtu, së bashku me Vaskë Kolecin, i ka dhënë Koci Xoxes, një raport, antisovjetik, prej 30 faqesh.

Në sektorin e Vangjos, janë hapur shumë dosje të shokëve të Partisë. Kur janë arrestuar disa agjentë në procese, ka synuar të dalin të implikuar, shoku Spiro Koleka, e Nako Spiro. Bile me këta, ka punuar dhe mbas Rezolucionit të Informbyrosë e deri në Plenumin e XI-të. Mbas ardhjes nga Moska, nuk ka vënë në praktikë, udhëzimet sovjetike.

Ka përpiluar qarkoren, për kontrollimin e anëtarëve të Partisë, që është lëshuar nga Sigurimi. Ka bërë intriga, që të dilte shoku Beqir Ndou, nga Drejtoria, si njeri i kompromisit, Ka qenë i mendimit, që të vinin vetëm njerëz të caktuar për të kontrolluar, celulën e Sigurimit.

Ka bërë intriga, për shokët Spiro Gusho, e Njazi Islami.

Autokritika e shokut Vangjo Mitrojorgji, nuk ka qenë në lartësinë e duhur, por duke qenë se ka shpresa përmirësimi, dhe meqë përgjegjësia e tij në Drejtori, nuk është më kryesorja, organizata bazë, e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, propozon, t’i hiqet një vërejtje e rëndë. /Memorie.al/

Drejtorja e Organizim – Inspektimit

Liri Belishova

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • VFLP: 03/07/2022 15:44

    Nga te gjitha keto shkrime te arkives shum interessante kuptohet se te gjithe keta sherbetor te partise se leshit qe kan vra njerez te pafajshem,nje dite te bukur ose pun vitesh jan Burgos pushkatu per vedi!!qe na jep me kuptu qe zoti vonon por nuk harron,dhe ca te bash kan me ta ba.

    Përgjigju
  • Loni: 03/07/2022 15:36

    O kaloq edhe cia Guantanamo pervojen e shqiperis se kohes se enverit paska mart

    Përgjigju
  • 3D: 03/07/2022 14:47

    Nga emrat e tyre del se vija panortodoxe - pansllave në Shqipëri ka fuksionur dhefunksionon pa shkëputje kjo shifet edhe sotë ç ndaj agresionit rus ndaj popujve dhe shteteve të ndryshëme

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër