Zbulohet dosja sekrete: Tuk Jakova kishte si qëllim që të rrëzonte udhëheqjen e partisë dhe…/ Dokumentet e panjohura të ish-Sigurimit të Brendshëm për zëvendësin e Enver Hoxhës

Zbulohet dosja sekrete: Tuk Jakova kishte si qëllim që të rrëzonte udhëheqjen e partisë dhe…/ Dokumentet e panjohura të ish-Sigurimit të Brendshëm për zëvendësin e Enver Hoxhës

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj.

E gjithë dosja voluminoze (formularë dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën vëzhgim të rreptë?!

Pjesa e parë

Dokumenti i hartuar nga Drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Qarkut të Beratit, nënkolonel Zylfi Saliu, për verifikimin në Zyrën e Kartotekës të asaj drejtorie, nëse Tuk Jakova, figuronte i regjistruar aty dhe përgjigja e shefit të asaj zyre, Misto Sterjo

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

MINISTRA E PUNËVE TË BRENDSHME

DREJTORIA E PUNËVE TË BRENDSHME

Nr. Extra Në Berat më 19/7/1955

FLETË KONTROLLI

KARTOTEKËS I-rë dhe të II-të

Lutemi kontrolloni dhe na njoftoni, nëse figuron regjistruar i quajturi Tuk Jakova, i biri i Markut dhe i Çiles, i datëlindjes 1914 nga Shkodra, me banim në Berat me profesion zdrukthëtar.

Punëtori Operativ DREJTORI P. BRENDSHME

( ) N/Kolonel Zylfi Saliu

Njoftojmë se nuk figuron i regjistruar dhe materiali i tij gjendet në___________.

Përgjegjësi i Kartotekës

Misto Sterjo

Dokumenti sekret i hartuar nga oficeri i Sigurimit të Shtetit pranë Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Beratit, kapiten Vasil Shiko, me ekstraktin e nxjerrë nga vendimi i Plenumit të Komitetit Qendror të PPSh-së të qershorit të vitit 1955, “Mbi veprimtarinë anti-parti të Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut”!

NXJERRË NGA VENDIMI I PLENUMIT TË KOMITETIT QENDROR TË P.P.SH. 15 deri 17 QERSHOR 1955, MBI VEPRIMTARINË ANTI PARTI DHE ARMIQËSORE TË TUK JAKOVËS DHE BEDRI SPAHIUT.

Qysh nga formimi i Partisë dhe deri sot, kanë qenë në thelb e në opozicion me Partinë.

Veprimtaria e tyre në Parti karakterizohet nga oportunizmi i theksuara e konsekuent Social-Demokrat.

Qëllimi i fundit i tyre, ka qenë revizionimi i udhëheqjes ekzekutues të Partisë dhe zëvendësimi i kësaj udhëheqje Marksiste – Leniniste, me një tjetër anti – marksiste, që do të kryesohej për të goditur nga Partia si anti – parti, si: Bedri Spahiu, Kristo Themelko, Ramadan Çitaku etj.

Lidhur me situatën ndërkombëtare, Tuk Jakova ka pasë formuar bindje se duhej të përmbysej vija e drejtë e Partisë marksiste-leniniste dhe të zëvendësohej, me një vijë të përgjithshme Trockistë, nacionaliste, borgjeze dhe kapitullonjëse, që do të ndërtohej nga një udhëheqje anti – marksiste, me Tuk Jakovën në krye.

Në plenumin e Prillit 1955, Tuk Jakova, në mënyrë demonstroje, arrogante dhe agresive, sulmoi haptazi, udhëheqjen dhe vijën marksiste të Partisë, duke shtruar tezat e tija anti-parti, anti-marksiste, trockiste dhe revizioniste, për të cilat ka biseduar më parë me Bedri Spahiun. Ky bashkëpunim në mes të tyre, u mbajt i fshehtë nga Partia, deri sa u bë e pa mundur të mbahej më tej.

Në plenumin e prillit, Tuk Jakova, me ngutësi të madhe në mënyrë diversioni, me arrogancë dhe me këmbëngulje, ngriti tezat e tija të më poshtme:

Të revizionoheshin vendimet e Partisë dhe të Kongresit të I-rë të saj, në lidhje me vlerësimin e punës të grupeve komuniste, para formimit të Partisë, që si mbas tij, theksimi në këtë mënyrë i anëve negative të tyre, është i gabuar dhe kërkonte të zbuten. Qëllimi i tij ishte që të lante dhe të nxirrte në dukje grupin e Shkodrës, në të cilin për një kohë, ai ka qenë udhëheqës. Kjo vërteton atë që ai ka qenë opozicion me Partinë, qysh me formimin e sajë.
Të revizionohej gjithë vija politike dhe organizative e Partisë, pse sipas tij kjo nuk ishte përcaktuar drejtë dhe kishte shtrembërime të mëdha. Si mbas Tuk Jakovës, Partia ishte formuar nga disa njerëz të huaj, se shoku Enver Hoxha nuk ka qenë themeluesi i Partisë tonë, se vija e drejtë e Partisë, gjatë luftës u dedikohej të huajve dhe jo Komitetit Qendror të Partisë.
Si mbas Tuk Jakovës, të ndërrohej Byroja Politike e Komitetit Qendror, sepse sipas tij, asnjë nga anëtarët e Byrosë Politike ekzistuese, nuk ka qenë konsekuent në udhëheqjen e Partisë.
Të revizionohej vija e Partisë në lidhje me vendimet historike të spastrimit të radhëve të Partisë, në lidhje me vendimet historike të spastrimit të radhëve të Partisë, nga elementët trockistë, anti-parti dhe armiq, sepse si mbas tij, karshi elementëve të dënuar nga Partia, për fajet e tyre të rënda, anti-parti, duhet të rehabilitohen dhe fotografitë e tyre, të ekspozohen në të gjithë vendet e dukshme të muzeve, ekspozitave etj.
Me këtë, Tuk Jakova tregon se lufta e ashpër e Partisë, kundër elementëve devijatorë, fraksionistë anti-marksistë, anti-parti dhe trockiste etj., ka qenë një gabim i rëndë dhe me këtë ai është për shuarjen e luftës së ashpër, kundër ideologjive armike në Partinë tonë dhe përfundimisht, për shndërrimin e Partisë s’onë, në një Parti borgjeze dhe Social-Demokrate. Të revizionohej vija e Partisë, sipas Tuk Jakovës, në lidhje me luftën e klasave, mbasi gjoja janë duke u bërë gabime të rënda ekstreme, si p.sh., përjashtimi nga puna e një mbese të Patër Anton Arapit, kushërira e Tuk Jakovës.

5. Siç e ka pohuar vetë ai (Tuku), është i krimbur në një dozë të madhe lokalizmi të rrezikshme, duke u përpjekur për të ngjallur përçarjen në unitetin e popullit tonë. Kjo frymë e ka çuar atë, që të gjitha çështjet t’i shohë nën prizmin e parullës reaksionarë (gegë e toskë). Kjo u pohua prej tij duke folur për çështjen e gjuhës Shqipe dhe për tekstin e abetares, që përdoret në Veri, ku thotë se Dukagjinasi, dukagjinas do të mbetet.

Me këto teza armiqësore, trockiste dhe likuidatorë të Tuk Jakovës, ka qenë plotësisht dakord dhe Bedri Spahiu. Nga analiza e bërë nga Byroja Politike dhe Komitetit Qendror, u arrit në konkluzionin se Tuk Jakovës, i është lëkundur plotësisht besimi tek Partia dhe tek vija e saj e drejtë politike dhe organizative.

Të dy herët, Tuk Jakova, gaboi në të njëjtat drejtime dhe gabimet e tij kanë shkuar, duke u rritur e duke u thelluar shumë. Ka qenë i pa sinqertë dhe hipokrit në autokritikën e tij, ka jetuar vazhdimisht në kundërshtim të heshtur me Partinë.

Qëndrimi i tij para Byrosë Politike, ka qenë negative dhe u përpoq që gjërat dhe fajet e tij, t’i minimizonte (zvogëlonte) duke i fshehur kështu Partisë, qëllimet e tij të vërteta kundër Partisë.

Ai pohoi para Plenumit të Komitetit Qendror të qershorit, se ka patur pakënaqësira të mëdha kundrejt udhëheqjes të Partisë, që nga themelimi i saj dhe deri më sot dhe se këto pakënaqësi, ja ka fshehur Partisë automatikisht. Pohohet se të gjitha autokritikat e tija deri më sot, kanë qenë hipokrite për të fshehur qëllimet e tija anti-parti. E ka quajtur të pa drejtë vendimin e Plenumit të 9-të të Komitetit Qendror, për të hequr atë nga anëtari i Byrosë Politike.

Se pakënaqësitë e tij dhe urrejtja e tij, kanë qenë përqendruar sidomos kundër themeluesit dhe udhëheqësit të Partisë s’onë, shokut Enver Hoxha. Ai pohoi se zhvillimin e ngjarjeve ndërkombëtare, vitet e fundit e ka quajtur si anti-marksiste, se tash një vit ka filluar që po e revizionon praktikisht vijën e Partisë, fshehtas nga Partia, duke afruar dhe mbështetur elementët e goditur nga Partia, për punën e tyre anti-marksiste dhe anti parti, si: Krisot Themelko, Ramadan Çitaku dhe të tjerë.

Berat më 30.VI.1955 Kapiten

Vasil Shiko

Vërtetohet se është njëjtë me shënimet origjinale

Toger

(Nimet Meçani)

Dokumenti “Tepër sekret” i vitit 1955 i hartuar me Drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Qarkut të Beratit, nënkolonel Zylfi Saliu, me propozimin për ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës (në përpunim aktiv 2/A) dhe miratimi nga ana e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, gjeneral-major, Mihallaq Ziçishti

“APROVOHET” Tepër sekret

ZËV/MINISTËR I P. BRENDSHME

(GJENERAL – MAJOR)

MIHALLAQ ZIÇISHTI Tiranë me 13/VIII/1955

RAPORT – PROPOZIMI

Për marrjen në përpunim II-A të Tuk Jakovës

Për aktivitet anti-Parti dhe armiqësor, Tuk Jakova, duke qenë në udhëheqje të Partisë dhe të Shtetit, u hoq nga të gjitha postet që mbante, u përjashtua nga Partia dhe ditët e fundit u dërgua në Berat, me punë pran N.I.L. Prodhimeve të Ndryshme. Përsa sipër, propozoj që i përmenduri të merret në përpunim aktiv II/A, nga ana e jonë.

Tuk Jakova, i biri Markut dhe i Çiles, lindur në Shkodër më 20/II/1914, banues sot në Berat, me profesion kryesor, zdrukthëtar, sot përgjegjës i repartit prodhimit pranë zdrukthëtarisë të N.I.L. Prodhimeve Berat.

Veprimtaria e tij anti-Parti dhe armiqësore karakterizohet nga një oportunizëm i theksuar e konsekuent social-demokrat. Tuk Jakova, u vërtetua plotësisht se qysh me formimin e Partisë, ka qenë në thelb n’opozicion me të dhe qëllimi kryesor i tij ka qenë rrëzimi i udhëheqjes ekzistuese të Partisë dhe zëvendësimin e kësaj të fundit, me një tjetër anti – marksiste, që të kryesohej prej tij dhe të përbëhej nga të gjithë elementët kryesor, të goditur nga Partia, si anti-Parti.

Në Plenumin e Prillit 1955 të K.Q. të PPSH-së Tuk Jakova, duke qenë anëtar i tij, duke qenë i parapërgatiture, në marrëveshje të plotë me Bedri Spahiun, që më parë me këmbë ngulje të vendosur, ngriti tezat e tij anti – marksiste:

Të revizionoheshin vendimet e Partisë, në lidhje me vlerësimin e punës së grupeve të para Komuniste, në vendin t’onë dhe të zbutesh theksimi i anëve negative të tyre. Synimi i tij ishte të lante dhe të nxirrte në dukje, ‘Grupin e Shkodrës’, në të cilin ai për një kohë, ka qenë udhëheqës; qysh këtu del qëndrimi i tij n’opozicion me Partinë, që nga formimi i saj.
Të revizionohej e gjithë vija politike dhe organizative e Partisë, se sipas tij kishte shtrembërime të mëdha. Lidhur me këtë, ai thoshte se Partisë tonë gjatë Luftës, u dedikohej të huajve dhe jo Komitetit Qendror të Partisë tonë.
Sipas Tuk Jakovës, asnjë nga anëtarët e Byrosë Politike ekzistuese, nuk ka qenë konsekuent në udhëheqjen e Partisë.
Tuk Jakova kërkonte të revizionohej vija e Partisë në lidhje me vendimet e spastrimit të radhëve të saj nga elementët trockistë, anti-Parti dhe armiq, sepse sipas tij, këto vendime ishin të pa drejta dhe se të gjithë këta element, anti marksiste dhe anti-Parti, të rehabilitohen. Me këtë ai ishte për shuarjen e luftës së ashpër, kundër ideologjive borgjeze e armike, në Partinë t’onë.
Tuk Jakova kërkoi të revizionohej vija e Partisë, lidhur me luftën e klasave, mbasi gjoja janë duke u bërë gabime të rënda.
Tuk Jakova paraqitej me një dozë të madhe lokalizmi të rrezikshëm, duke u përpjekur për të ngjallur përçarje në unitetin e popullit t’onë dhe nën këtë prizëm, të gjithë çështjet ai i shihte me parullën reaksionare, “Gegë e Toskë”.
Tuk Jakova ka qenë i pa sinqertë dhe hipokrit para Partisë dhe vazhdimisht ka jetuar në kundërshtim të heshtur me Partinë. Nga vet pohimet e tij, dolli se të gjithë autokritikat e tij deri sot, kanë qenë hipokrite për t’i fshehur Partisë, veprimtarinë e tij anti-Parti dhe armiqësore. Zhvillimin e ngjarjeve ndërkombëtare, vjetët e fundit si i gjykonte, si anti-marksistë, se tash një vjet, si kish filluar dhe reviziononte vijën e Partisë, fshehurazi sajë, duke afruar dhe mbështetur elementët e goditur nga Partia, për punën e tyre anti-Marksiste dhe anti Parti, si: Kristo Themelko, Ramadan Çitaku e tjerë.

Për veprimtarinë e tij anti-Parti, anti-Marksistë dhe armiqësore, që përshkruhet më sipër, propozoi që i sipër përmenduri, të merret në përpunim aktiv, në kategorinë II/A, nga ana e jonë. Memorie.al

Berat 20/VII/1955 PROPOZUESI

N/Kolonel

Zylfi Saliu

“PËLQEHET”

KRYETAR I DEGËS SË III-të

N/KOLONEL (HALIM XHELO)

Tiranë me 12/VIII/1955

Vijon numrin e ardhshëm

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë