Zbulohet jeta e dyfishtë e Enverit në Francë: Nga pseudonimi 'Lulo Malësori', te betimi si komunist dhe puna në shërbim të Mbretit Zog

Zbulohet jeta e dyfishtë e Enverit në Francë: Nga pseudonimi 'Lulo Malësori', te betimi si komunist dhe puna në shërbim të Mbretit Zog

Enver Hoxha

TIRANË- Publikohen detaje të panjohura për jetën e Enver Hoxhës në Francë, ku sipas biografisë së rrallë të Thomas Schreiber diktatori kur ishte student bënte një jetë të dyfishtë. Para revolucionarëve që bëri miq në Francë e Belgjikë betohej si komunist “deri në vdekje”, ndërsa për mbijetesë si student i dështuar dhe pa diplomë u jepte mësim diplomatëve në legatën e Mbretërisë Shqiptare, derisa arriti edhe vetë të punësohej aty.

Kjo është një pjesë nga faqet e përzgjedhura për sot nga libri i rrallë për Enver Hoxhën nga autori francez me origjinë hungareze, Thomas Schreiber. Një rrëfim për diktatorin shqiptar nga lindja në vdekje, i shkruar duke përballur faktet e dëshmitë, por edhe ironinë.

“Enver Hoxha – sulltani i kuq” është biografia e ish-udhëheqësit komunist që u botua në vitin 1994 nga Schreiber, gazetar, publicist, diplomat dhe specialist për çështjet e Europës Qendrore e Lindore, në veçanti për Shqipërinë. Autori është gjithashtu gazetari i parë francez që ka vizituar vendin tonë në vitin 1981, por në vepër nuk përfshin përshtypjet e tij personale. Ai merret vetëm me zbërthimin e karakterit të “sulltanit të kuq”, Enver Hoxha, duke iu referuar tregimeve të vjetra të bashkëkohësve të diktatorit, dokumentacioneve, letërkëmbimeve, medias, librave etj., të cilat i shtjellon me anë të bibliografisë, veçmas, në fund të librit. Rrëfimi vjen i thjeshtë duke përdorur kohën e tashme, ndërsa në shumë episode autori lë pa shpjeguar “moralin e fabulës“, duke ia lënë interpretimin në dorë vetë lexuesit, sipas dëshirës. Vepra është e shkruar në frëngjisht dhe nuk është përkthyer ndonjëherë në gjuhën shqipe.

Që nga koha e publikimit në një numër të kufizuar kopjesh, biografia nuk u ribotua më as në frëngjisht duke u zhdukur edhe nga libraritë. Në ato pak deklarime që pati dhënë Thomas Schreiber pas publikimit, theksoi se libri asokohe nuk ngjalli interes në Shqipëri, pasi ishin vitet kur veprat e diktatorit dhe për diktatorin, gjithçka rreth tij, grisej ose digjej. Kjo kopje e biografisë është gjetur në një bibliotekë në Francë. Në disa ditë radhazi, Gazeta “Panorama.al” ka përzgjedhur për përkthim faktet e reja nga jeta e Enver Hoxhës në vitet 1930-1933, ku flitej kryesisht për atë që cilësohet si pjesa më e errët sa i përket jetës së tij në Francë; tri vitet e studimit në Monpelje (Montpellier).

Gjatë kësaj kohe, sipas autorit Thomas Schreiber, rezultoi se të riut Enver Hoxha i pëlqenin djemtë muskulozë dhe biondë, argëtohej netëve të vona me ta, duke aluduar për prirje homoseksuale. Por paralelisht biografi zbardh për herë të parë edhe lidhjen sentimentale të studentit shqiptar me një vajzë franceze me emrin Luiza. Në numrin e dytë që ishte dje, gazeta vijoi përkthimin e librit me pjesët ku theksohet mbijetesa e Enver Hoxhës me para borxh dhe transferimi nga Monpelje në Sorbonë, ku nis punë si “kopjues adresash”. Sot, në numrin e tretë historia vijon kështu…

***

Para hapjes, konsulli i ardhshëm (George Marothi) dhe atasheu donin të mësonin shqipen. Të bënin dy orë mësim në javë dhe janë gati të paguajnë 20 franga për një orë e gjysmë. Për Enver Hoxhën, sekretarin e konsullatës, ky ishte një shans i mirë. Me 40 frangat e kursit dhe 60 frangat e adresave ai mund të siguronte mjaftueshëm lekë. Por pa folur për të ardhmen. Një revolucionar, a mund t’i shërbejë aparatit të regjimit shqiptar? Çështja ende nuk është prekur. Ndoshta ndryshe nga legjendat e mëpastajme, Hoxha asokohe ende nuk ishte militant komunist. Thjesht një i ri në kërkim të aventurës. Dy javë më vonë, ai njihet me konsullin, punëdhënësin e tij të ardhshëm. Mësimi kryhej me një manual që i ishte marrë hua një pjesëtari të legatës, aty ku zhvillohej dhe kursi.

Duke pasur shumë kohë të lirë, me gjithë shkrimin e zarfeve, ai bridhte rrugëve të Parisit. Ai e kalon kohën duke shfletuar librat për revolucionin francez, një zakon i vjetër. Por më shumë dëshirë kishte kur shkonte në rrugën “Rivoli”, aty ku disa vite më parë, Avni Rustemi, një demokrat dhe patriot, i dha fund “tradhtarit” Esat Pashë Toptani. Madje, shumë herë kalonte përpara hotelit dhe imagjinonte pozicionin e Rustemit në momentin e gjuajtjes. Ai e quajti këtë akt një veprim që tërhoqi dhe vëmendjen e popullit francez për situatën e shqiptarëve dhe e habiste fakti që përse aty nuk kishte një pllakë apo një monument për t’u kujtuar francezëve “aktin fisnik” të Avniut. Por një gjë e tillë nuk e pengonte të frekuentonte legatën mbretërore dhe t’i jepte mësime konsullit të ardhshëm…

Ai vazhdonte të mbante lidhje me Marselin, i cili vinte shpesh ta vizitonte në Paris (Marseli ishte miku më i mirë i fëmijërisë së Luizës, militant i degës së Partisë Komuniste franceze. Pasi e bëri vetë mik, Hoxha shkëputi marrëdhëniet intime dhe shoqërinë me Luizën). Një ditë, Marseli e futi Enverin në klubin e leximit të Partisë Komuniste franceze. Aty ai takohet me kryeredaktorin e “Humanité”, Paul Vaillant-Couturier. Gjatë bisedës, Hoxha i pohon atij se së shpejti do të jetë sekretar në konsullatën shqiptare në Bruksel. Pastaj papritur deklarohet komunist me gjithë shpirt dhe pohon se donte të bëhej i dobishëm për këtë kauzë. Duke parë lajmet nga Shqipëria dhe me qëllim demaskimin e regjimit feudal të Zogut, a nuk do ishte mirë të bënte ndonjë shkrim herë pas here? Pasi mori përgjigjen pozitive të kryeredaktorit, i cili i thotë që të përdorë një pseudonim për të parandaluar pasojat.

Ai do të quhej “Lulo Malësori“. Para se të largohej, Vaillant i thotë: Duaje komunizmin dhe bëj gjithçka për të. “Do të luftoj deri në vdekje për komunizmin”, i përgjigjet Enveri shumë i prekur. Për këtë mund të themi se ky është momenti kur ai nis të punojë për komunizmin. Besojmë se Enveri duke qenë shumë dinak, i shkathët dhe oportunist, ai përdor gjithçka për të përfituar nga situatat e paqarta dhe duke mbajtur marrëdhënie të mira me legatën mbretërore dhe rrethin e refugjatëve politikë. Me këta të fundit ai luan poker dhe ndjek mësime. I riu gjithnjë elegant do të vihet në shërbim dhe është shumë popullor mes bashkatdhetarëve. Ndërkohë që ata e kanë shumë zili për suksesin e tij me femrat dhe i komentonte ato. Sigurisht këto suksese ishin të shkurtra, pasi atij nuk i njihet asnjë lidhje e zgjatur në kohë. Disa prej tyre pohojnë se e kishin parë nëpër kafene e restorante në shoqërinë e burrave në moshë dhe banorë të lagjeve të bukura…

***

Muajt kalojnë dhe Enveri pa lekë në xhep i drejtohej të motrës, Fahrijes, që jetonte në Bari, t’i dërgonte 200 franga. Me këto të holla ai bleu një palë këpucë dhe këmisha ngjyrë blu, duke mbajtur këmishën e tij të vetme ngjyrë të bardhë, e hekurosur bukur për të shkuar në kursin e shqipes në legatë. Në javën e parë të muajit prill, konsulli i bën me dije lajmin e shumëpritur se “gjithçka është gati, hapja do bëhet sa më shpejt”. Enveri merr dy rroga paradhënie një pasuri, me të cilat blen një biletë të klasit të dytë për të shkuar në kryeqytetin belg. Paga mujore ishte fiksuar për 600 franga belge dhe ai do të flinte në konsullatë. Në të njëjtën mbrëmje, sekretari i ri fton për darkë Qemalin dhe doktor Ficon për të festuar lajmin e mirë.

Kështu merr fund dhe qëndrimi i Hoxhës në Francë. Me gjithë regjistrimet e shumta në universitetet franceze, si në Monpelie ashtu dhe në Paris, ai nuk i përfundoi asnjëherë studimet dhe nuk mori asnjë diplomë. Enveri kishte mbërritur në Paris me një tren të natës, i uritur dhe kishte marrë metronë për të shkuar në Quartier Latin. Ai largohet përfundimisht dhe shkon në Bruksel. Këtë herë “Zoti sekretar i konsullatës shqiptare” është edhe korrespondent sekret i të përditshmes komuniste “Humanité”. Ai zbarkon në Gare du Midi dhe merr një taksi që do ta çonte në zemër të qytetit. Në katin e katërt të një ndërtese borgjeze, ai takohet me një grua në moshë, e cila i drejtohet me fjalët “zoti Hoxha”. I tregon shtëpinë që do t’i fshijë menjëherë kujtimin e shëmtuar të papafingos në Paris. Qysh pasdite, ai takohet me konsullin dhe atasheun e shtypit, në zyrën e kancelarisë, që do të bëhej zyra e tij. Është një zyrë e madhe, plot diell dhe me pamje mbi Bruksel.

Vetëm një keqardhje: aty qëndron një portret i madh i Mbretit Zog. I gjori Enver: Kur ngre kokën është i detyruar të shohë “xhelatin e popullit të tij”. Zoti Hoxha e kupton se konsulli dhe atasheu shpeshherë nuk do të jenë në Bruksel dhe ai do të jetë vetë në krye të punëve. Atij i duhet të paraqitet te ministri i Jashtëm belg për t’u akredituar zyrtarisht si kancelar. Konsulli i kërkon të bëjë kujdes në dhënien e vizave: asnjë komunist nuk duhet të figurojë në listën e biznesmenëve apo turistëve që duan të shkojnë në Shqipëri. Më pas, konsulli Marothi i tregon pullat dhe vulat kancelarit që do t’i duheshin për të kryer detyrën e re.

“Enver Hoxha Sulltani i Kuq”/ Kush është autori Thomas Schreiber
I lindur në Budapest dhe i shkolluar në Paris, në rini ai bëri një jetë të dyfishtë mes këtyre dy shteteve, derisa u vendos përfundimisht në Francë. Gazetar, diplomat, publicist e shkrimtar, specialist për çështjet e Europës Qendrore e Lindore, ku në fokusin e tij ka qenë veçanërisht Shqipëria. Ka tentuar disa herë të vijë në vendin tonë gjatë regjimit komunist, duke e plotësuar dëshirën e tij në vitin 1981. Thomas Schreiber është autor i dhjetëra artikujve në frëngjisht, hungarisht dhe anglisht.

Ka punuar për gazetat “L’express”, “Le Monde” etj. Ka qenë kolumnist për një kohë të gjatë për RFI, Radio France Internationale dhe vazhdon të publikojë pikëpamjet e tij në “Le Monde Diplomatique”. Disa nga librat e Thomas Schreiber janë: “Veprimet e Francës në Lindje që nga viti 1920”, “Harmattani, sekretari i Përgjithshëm në Belfond”, “Enver Hoxha Sulltani i Kuq”, “Hungaria apo tranzicion paqësor”, si dhe plot broshura të tjera për tranzicionin në Europë. Aktualisht është në pension, por jep mësim me kohë të pjesshme në një universitet shumë të njohur në Paris./Panorama.al

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave