Kylian Mbappe ka katër muaj për të vendosur nëse dëshiron të aktivizojë klauzolën e rinovimit njëvjeçar në kontratën e tij aktuale me Paris Saint Germain. Sulmuesi 24-vjeçar nënshkroi një marrëveshje të re majin e kaluar, e cila fillimisht u raportua se do të skadonte në vitin 2025, megjithatë, mendohet se do të skadojë një vit më parë.
Francezi kishte kërkesa nga Real Madridi dhe Liverpooli përpara se të vendoste të qëndronte te PSG në një kontratë me vlerë 700 mijë euro në javë.
Sipas L’Equipe, Mbappe ka mundësinë të zgjasë marrëveshjen e tij me PSG-në edhe për 12 muaj të tjerë përtej datës së skadimit të vitit 2024 , por ka vetëm katër muaj për të aktivizuar atë klauzolë. Kjo do të thotë se fituesi i Kupës së Botës ka kohë deri në fund të qershorit për të vendosur nëse dëshiron të sigurojë një vit tjetër në kontratën e tij.
Nëse jo, atëherë Mbappe mund të kërkojë një transferim janarin e ardhshëm përpara se të largohet i lirë në verë. Sulmuesi i PSG-së ka qenë në formë fantastike këtë sezon, duke shënuar 29 gola në 29 ndeshje për parisienët në të gjitha garat.