Kur ishte publikuar fillimisht plani për riorganizimin e madhor të kryeqytetit maqedonas në vitin 2010, projekti i njohur si “Shkupi 2014” parashihte ndërtimin e rreth 40 monumenteve, skulpturave, fasadave dhe ndërtesave të reja.
Mirëpo, kur shihet në vitin 2015, numri i ndërtesave dhe monumenteve tani është trefishuar.
Hulumtimi i BIRN dëshmon që ndërkohë edhe çmimi për pamjen e re të Shkupit është rritur, duke e tejkaluar shumë çmimin e paralajmëruar fillimisht prej 80 milionë eurosh, në 560 milionë euro.
Hulumtimi tetëmujor mbështetet në të dhëna të marra përmes Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrtare, faqes zyrtare në internet të Byrosë së Prokurimit Publik, auditimit të projektit “Shkupi 2014” dhe një raportit të përbashkët të qeverisë, Bashkisë së Qendrës së Shkupit dhe Ministrisë së Kulturës, raport ky i prezantuar pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013.
Hulumtimi mbulon më shumë se 130 objekte, që të gjitha të financuara me para publike, dhe investitorë të të cilave janë Ministria e Kulturës, Byroja e Prokurimit, Bashkia e Qendrës, Qyteti i Shkupit si dhe bashkia të tjera e shoqëri aksionare ku shteti ka aksione.
Dokumentet e marra nga BIRN tregojnë se më shumë se 260 subjekte juridike dhe persona fizikë kanë marrë pjesë në riorganizimin e pamjes.
Dokumentet tregojnë që shumë prej tyre kanë marrë kontrata të shumëfishta dhe kanë ndërtuar disa objekte dhe monumente. Ato gjithashtu, dëshmojnë se autorët janë shpërblyer me shuma të majme për dizajnet e tyre.
Për herë të parë që nga promovimi zyrtar i Shkupit 2014, BIRN ka arritur të marrë kontratat me skulptorët të cilët e kanë formësuar këtë projekt.
Hulumtimi përfshin objektet e ndërtuara gjatë viteve të fundit që kanë pasur një rol jetik në ndryshimin e pamjes së kryeqytetit.
Disa si Filarmonia, zyrat qendrore të kompanisë shtetërore të energjisë, ELEM, Gjykatës Penale dhe pallati administrativ, “Lazar Pop Trajkov”, e disa të tjera, mbeten ende të papërfunduara.
Disa janë në fazë kur vetëm dizajnet janë përzgjedhur që ngrit dyshime që çmimi përfundimtar i këtij projekti kundërthënës në fund, mund të rritet edhe më shumë se 560 milionë euro.
Shpenzimet e sigurimit dhe mirëmbajtjes vazhdimisht po thithin edhe më shume fonde nga buxheti shtetëror.
Një kompani ka ndërtuar një të tretën e projektit
Një analizim i të dhënave të siguruara nga BIRN tregon që kompania ndërtimore Beton ka fituar shumicën e kontratave dhe ka ndërtuar shumicën e ndërtesave dhe skulpturave që formojnë Shkupin 2014.
Kjo kompani ka fituar 163 milionë euro, një të tretën e parave të përgjithshme të shpenzuara në riorganizimin e qytetit nga projekti.
Katër kompani të tjera ndërtimore janë lojtarët e tjerë të mëdhenj, përkatësisht kompanitë Granit, Strabag, Beton–Stip dhe Bauer BG.
Disa nga këto kompani ende nuk janë paguar plotësisht, prandaj në mungesë të të dhënave zyrtare të tjera, ky hulumtim ka përdorur shumat e vendosura në kontrata.
Profilet e kompanive që tregojnë se kush qëndron mbrapa tyre, zbulohet në një hulumtim të posaçëm të BIRN për këtë çështje.
Ministria e Kulturës dhe Byroja e Prokurimit Publik kanë shpenzuar më së shumti para në projektin Shkupi 2014.
Ata dëshmohen si investitorë në projektet më të mëdha si Muzeu i Luftës Maqedonase dhe VMRO, Teatri Kombëtar, Gjykata Kushtetuese, Filarmonia dhe zyrat qendrore të qeverisë të ridekoruara së fundmi.
Sipas dokumenteve, objekti më i kushtueshëm i projektit është Gjykata Kushtetuese, Muzeu Arkeologjik dhe Arkivi Shtetëror, që ka kushtuar mbi 42 milionë euro.
Filarmonia ka kushtuar 39 milionë euro, rreth 3 milionë euro më pak. Të dhënat tregojnë se Teatri Kombëtar ka kushtuar 37 milionë euro, para këto të shpenzuara në jo më pak se 85 kontrata të ndryshme.
Anekset e kontratave, kontratat shtesë, kontratat për punë ndërtimore të paparapara dhe shumë kontrata të tjera kanë përbërë rrugën deri te ndërtimi i Muzeut të Luftës Maqedonase dhe VMRO-së.
Sa i përket vetëm këtij objekti, BIRN ka siguruar mbi 90 dokumente dhe marrëveshje të nënshkruara me njerëz dhe kompani të ndryshme.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur në vitin 2013, Ministrja e Kulturës, Elizabeta Kanceska–Milevska, kryetari i atëhershëm në largim i komunës Qendra Vladimir Todorovic, dhe kryesuesi i Byrosë së Prokurimit, Vase Donevski, kanë thënë që shuma totale e projektit ishte 207 milionë euro.
Megjithatë, dëshmitë e dokumentuara të siguruara nga BIRN tregojnë që shuma reale e projektit është më shumë se dyfishi i këtij çmimi.
Tre autorët kryesorë kanë fituar 4.7 milionë euro
Një nga misteret e këtij riorganizimi përveç çmimit final që vazhdon të rritet, janë edhe shumat e dhëna autorëve si pagesë për monumentet dhe skulpturat.
Skulptorja Valentina Stevanovska ka lënë gjurmën më të madhe në Shkupi 2014.
Ajo ishte autore e harkut të triumfit “Maqedonia” që është 22 metra i lartë dhe “Kalorësit”, ngjashëm i madh me të parin, që gjenden në sheshin kryesor e që qartazi përshkruajnë Aleksandrin e Madh.
Ajo po ashtu është autore e statujës së madhe të quajtur “Luftëtari” që jozyrtarisht paraqet babain e Aleksandrit, Filipin, si dhe një kompleksi statujash e shatërvanesh që gjenden në sheshin e emëruar sipas mbretit të lashtë.
Stevanovska po ashtu ka dizajnuar shtatë statuja në urën për këmbësorë të njohur si “Syri”, monumetin me motive revolucionare të kohës osmane, Hristo Tatarcev, belvederin në sheshin kryesor dhe një monument tjetër të Filipit të Maqedonisë, po ashtu të emërtuar “Luftëtari”, i cili gjendet në komunën e Gazi Babës.
Siç shihet, autoritetet kanë zgjedhur të përdorin këto monumente të pacaktuara për të shmangur zemërimin e Greqisë fqinje, e cila pretendon se Filipi dhe Aleksandri janë heronj ekskluzivisht Helenë.
Dokumentet, të cilave u është qasur BIRN, dëshmojnë që Stevanovska ka pranuar gati 3 milionë euro për këto skulptura që kanë përfshirë edhe çmimin e ndërtimit të tyre.
Kompania Neimar Engineering, e cila ka numrin më të madh të kontratave të marra, vjen e dyta në radhë pas Stevanovskas, ngase është shpërblyer me kontrata për ndërtesa kyçe si Muzeu i Luftës Maqedonase, pallatit “Lazar-Pop Trajkov”, Teatri Kombëtar dhe harku i triumfit.
Të dhënat nga Regjistri Qendror tregojnë që pronarë të kompanisë janë Ana Kedeva–Petrova dhe burri i saj Zoran Petrov.
Ajo po ashtu është motra e kardiologut të mirënjohur Sasko Kedev që kishte garuar si kandidat për president për partinë në pushtet VMRO DPMNE në zgjedhjet e vitit 2014 dhe është një ish-deputet i partisë VMRO DPMNE.
Firma e Ana Kedeva-Petrova, që me profesion është oftamologe, ka fituar kontrata në vlerë prej 1.1 milionë euro për projektin Shkupi 2014.
Zarko Causevski, një arkitekt i ri dhe kompania Arhitektonika, drejtor i së cilës është ai dhe pronar është vëllai i tij Nikola, ka lënë një nga gjurmët më të mëdha në fasadat të cilat kanë ndryshuar pamjen e kryeqytetit.
Dizajni i Qendrës Tregtare të Qytetit të vitit 1970 me fasadë imituese të stilit barok, fasada e re e qeverisë, zyrat qendrore të kompanisë së ujit të Shkupit, dhe dizajnimi i ndërtesës administrative në rrugën Bihacka, të gjitha këto janë punë të vëllezërve Causevski. Dokumentet tregojnë që ata janë paguar mbi gjysmë milioni euro.
Dokumentet zbulojnë që autoritetet shtetërore u janë shmangur nënshkrimit të kontratave të veçanta me autorë, të cilat specifikisht do të zbulonin pagesat e tyre. Në vend të kësaj, ata kanë nënshkruar kontrata që përmendin të gjitha punët ndërtimore që kërkohen për ndërtimin e skulpturave.
Për shembull, grafiku i pagesës së autorësisë në kontratën e Stevanovskas për “Kalorësin” përfshin çmimet për dizajn, materialin, fuqinë punëtore, hapësirën, transportin, suvatimin, argjilën dhe gjëra të tjera.
Ish-kryetari i Qendrës, Vladimir Todorovic, në konferencën për shtyp të vitit 2013 për projektin Shkupi 2014, ka pranuar që është e vështirë të dëshmohet nëse autorët me të vërtetë po i shpenzonin paratë e marra nga ta në atë mënyrë s’i pretendojnë në deklaratat e tyre financiare.
Duke folur për monumentet e revolucionarëve të kohës osmane Goce Delcev dhe Dame Gruev, Todorovic ka thënë që kur autori i ka paraqitur shpenzimet e tij, ai ka dhënë një shumë totale prej 300.000 mijë eurosh.
Ai shtoi se “Këto janë shpenzimet që ai na i ka treguar dhe ne nuk jemi duke i kontrolluar nëse janë të vërteta apo jo. Por, gjatë negociatave, komisioni (nga bashkia) gjithmonë mundohet që t’i zvogëlojë ato [shpenzimet]”.
Todorovic ka vazhduar duke thënë se ai shpreson që “të gjithë autorët kanë qenë të sinqertë”.
Autorët kryesorë të veprave për Shkupi 2014, Stevanovska, Causevski dhe firmat Arhitektonika dhe Neimar Engineering, kanë marrë një shumë totale prej 4.7 milionë eurosh nga buxheti. Të gjithë autorët së bashku për të gjithë projektin janë paguar një shumë totale të kombinuar prej 15 milionë eurosh.
Përgatitjet datojnë që nga viti 2006
Për herë të parë, projekti është prezantuar publikisht me 4 shkurt 2010, kur Todorovic, Kancecka–Milevska dhe kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski, prezantuan një video që përmbajtje prezantimin vizual të pamjes se si do të dukej Shkupi në vitin 2014 që ishte gjeneruar me kompjuter.
Atëbotë, asnjë çmim nuk ishte përmendur. Ata vetëm përmendën ndërtimin e nja dhjetë objekteve, rreth 20 monumenteve të reja, ridizajnimin e fasadave dhe urave të reja.
“Shkupi është kryeqyteti ku duhet të ndjehet shpirti i hisotirsë së Maqedonise dhe kulturës së saj. Ne do të bëjmë më të mirën tonë për t’i nderuar ata që e bënë këtë”, ka thënë Todorovic, duke folur në kapacitetin e tij si kryetar i Qendrës.
“Zona e qendrës [së Shkupit] duhet të transformohet plotësisht në një zonë të kompletuar urbane dhe arkitekturale që do t’i jepte qytetit një pamje të re artistike”, shtoi ai.
“Ne do t’i zhvillojmë të gjitha projektet në mënyrë transparente dhe do t’i verifikojmë duke përdorur opinionet e ekspertëve kredibilit”, kishte shtuar Kanceska-Milevska, duke theksuar që ata tashmë “na kanë dhënë përkrahje të jashtëzakonshme si anëtarë të komisioneve të ekspertëve për përzgjedhjen e veprave”.
Vizualizimi i pamjes së re të Shkupit ishte pritur me reagime të përziera që nga fillimi, që kishin qenë që nga një mosbesim i madh dhe zemërim për stilet e përzgjedhura artistike e deri te përkrahja e pakushtëzuar për to.
Me 6 janar 2012, gjatë promovimit zyrtar të harkut të triumfit, Kryeministri Nikola Gruevski ka thënë që ai vetë ishte fuqia shtytëse e fshehtë e këtij projekti.
“Unë jam mbrapa këtij projekti. Mendoj që është shumë i mirë, kualitet [i lartë] dhe i vyer dhe nuk ka asgjë që nuk shkon me këtë projekt. Po, e mbështes dhe do të vazhdoj ta mbështes këtë projekt”, tha Gruevski.
Dokumentet zyrtare zbulojnë që rrënjët e këtij projekti datojnë qysh në vitin 2006, kur Violeta Alarova ishte kryetare e Qendrës nga VMRO DPMNE dhe kur Gruevski u bë Kryeministër.
Në atë kohë, bashkia e Qendrës kishte përpiluar dokumentin e parë për vendimin për të filluar procedurën për të ngritur monumentin e Aleksandrit të Madh. Ky ka qenë monumenti në sheshin kryesor që më vonë është emërtuar si “Kalorësi”.
Autoritetet atëbotë kishin parashikuar të shpenzojnë 32.000 mijë euro për skicën e monumentit.
Thirrja për propozime për projektim ishte publikuar në vitin 2007. Bashkia nuk kishte shpërblyer një çmim të parë por çmimi i dytë i ishte dhënë Stevanovska’s që morri 6000 euro.
Në vitin 2008, ajo kishte dorëzuar çmimin e përafërt për ndërtimin e statujës së kalorësit – që deri atëherë zyrtarisht nuk i referoheshin në dokumente si Aleksandri i Madh – fontanat përcjellëse dhe skulpturat e luanëve dhe luftëtarëve.
Çmimi i përafërt final që përfshinte blerjen e materialeve, transportin e allçisë, punëtorët, hapësirën për punë si dhe derdhjen në allçi dhe në poliestër, kishte qenë 649 mijë euro.
Stevanovska nuk e kishte përmendur se sa nga këto para do t’i mbeteshin asaj si pagesë.
Databaza e ridizajnimit të Shkupi 2014 zbulon shifra të jashtëzakonshme të projektit.
Rreth 61 për qind e të gjithë projektit ka shkuar në ndërtimin e objekteve të reja të cilat e kanë ndryshuar pamjen e Shkupit në mënyrë dramatike dhe kanë kushtuar gati 340 milionë euro.
Fasada më e shtrenjtë sipas dokumente që janë bërë të qasshme për BIRN, është ajo që mbështjell zyrat qendrore të qeverisë me pamje moderne por me ornamente klasike.
Çmimet e përafërta tregojnë që vetëm kjo fasadë ka kushtuar mbi 15 milionë euro, e që ka qenë trefish më i madh se çmimi e ridizajnimit të të gjitha fasadave që gjenden në qendrën e qytetit.
Një nga detyrat më të vështira me të cilat është përballur BIRN gjatë punës në databazë ka qenë gjetja e lokacioneve aktuale të disa prej skulpturave të para që kanë qenë pjesë e ridizajnimit.
Disa nga to, si skulptura “Një vajzë” janë hequr tashmë.
Një skulpturë tjetër, “Cosmo Integral”, po ashtu i është ndërruar lokacioni dhe tani është vendosur mbrapa ndërtesës së Baletit Kombëtar. BIRN nuk ka qenë në gjendje të gjejë dhe të fotografojë disa nga këto skulptura ngase askush nuk ka qenë në gjendje të shpjegojë nëse ato vetëm janë hequr apo janë shkatërruar
Gjatë hulumtimit, BIRN ka dërguar rreth 150 kërkesa për qasje në dokumente zyrtare në kërkim të të dhënave për projektin. Gati të gjitha institucionet janë përgjigjur pozitivisht megjithëse disa kanë shkelur afatet ligjore që i obligojnë ata për kthyer informacionin e kërkuar brenda 30 ditësh.
BIRN ka dërguar rreth 10 ankesa, prej të cilave për katër tashmë janë marrë përgjigjet. Në kohën e publikimit, vetëm Ministria e Drejtësisë ka dështuar të përgjigjet në pyetjet tona për kontratat fillestare të ndërtimimit të Gjykatës Penale.
Databaza e BIRN është krijuar duke përdorur vetëm dokumente zyrtare dhe raporte të auditorit nga kryesuesi i komunës së Qendrës, Ministrisë së Kulturës dhe Qeverisë./BIRN/
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)