Një operacion i gjerë antidrogë i zhvilluar nga Njësia e Antidrogës e Policisë greke në zonat e Loutsës, Pikermit dhe Menidit ka çuar në arrestimin e dy shtetasve shqiptarë dhe një greku, ndërsa janë sekuestruar sasi të mëdha kokaine dhe kanabisi. Sipas autoriteteve greke, vlera e drogës në treg llogaritet të arrinte rreth 2.5 milionë euro.

Sipas hetimeve, ngarkesa dyshohet se kishte mbërritur në Greqi nga Spanja, me shumë gjasa përmes portit të Igumenicës, me destinacion tregun vendas. Gjatë operacionit u zbuluan banesa që, sipas policisë, përdoreshin si magazina për ruajtjen e lëndëve narkotike.

Në pranga ranë një shqiptar 44-vjeçar, të cilit hetuesit i atribuojnë rolin drejtues në grup, një tjetër shqiptar 23 vjeç dhe një shtetas grek 29-vjeçar. Ndaj tyre është ngritur një procedim penal për blerje, posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike, si edhe për kundërshtim të punonjësve të policisë.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan gjithsej 35.4 kilogramë kokainë, 256.5 kilogramë kanabis i papërpunuar dhe 55.5 kilogramë kanabis i përpunuar, i njohur si "çokollatë", si dhe 170 euro cash.

Sipas dosjes hetimore, policia gjeti 29 pako me rreth 32 kilogramë kokainë, ku shtatë mbanin logon "New Balance", ndërsa 22 të tjera logon "Starck". Po ashtu u sekuestruan 229 pako me rreth 245 kilogramë kanabis të llojit "Skunk" dhe 503 pako me rreth 51 kilogramë kanabis të përpunuar.

Hetuesit grekë vlerësojnë se fitimet nga shitja e kësaj sasie droge mund të arrinin në rreth 2.5 milionë euro.

Sipas mediave greke, 44-vjeçari shqiptar ka një të shkuar kriminale dhe është akuzuar më parë për vrasje, grabitje, vjedhje, falsifikim, si edhe për shkelje të ligjeve për armët dhe lëndët narkotike.

Tre të arrestuarit pritet të dalin para gjykatës për t'u njohur me masat e sigurisë dhe akuzat ndaj tyre.