Zbulohet në Butrint
parmenda 2700-vjeçare

Zbulohet në Butrint <br />parmenda 2700-vjeçare
Një pjesë e një parmende druri me përmasa afër një metër është zbuluar dje nga arkeologët në parkun e Butrintit. Ndërsa janë duke kërkuar edhe pjesë të tjera të saj, ata kanë konstatuar se kjo lloj parmende është përdorur në këtë zone 2700 vjet më parë. Gërmimet janë kryer në gjashtë metra thellësi dhe kanë dalë në dritë shumë objekte të tjera. Sipas arkeologeve objekti parmendë është i vetmi i kësaj periudhe i gjetur deri tani jo vetëm në vendin tonë, por në gjithë zonën e Epirit. Në Butrint po kryen gërmime një ekspeditë shtatë javore me arkeologë vendas dhe të huaj.
Pas daljes në dritë të parmendës kjo ekspeditë zbuloi gjashtë metra nën tokë edhe një sërë objektesh të tjera që ishin funksionale për jetesën në shekullin e shtatë para Krishtit.
Arkeologu David Fernadez pohon se “është hera e parë që kemi një objekt kaq të rrallë, i cili na ofron një dokument për të zbuluar mënyrën e jetës së banorëve të Butrintit në periudha shumë të hershme”. Ai shtoi se “Me zbulimin e kësaj parmende ne kuptojmë jo vetëm sistemin e agro-kulturës, por edhe se çfarë veglash kanë përdorur njerëzit për zhvillim e saj”. Ndërsa arkeologia Erjona Qilla pohon se janë zbuluar disa objekte interesante duke shkuar drejt thellësive të gërmimit. Shtresë pas shtrese janë zbuluar me dhjetëra objekte, për të cilat fjalën e fundit arkeologët do t’ua lënë analizave shkencore. Por arkeologia Qilla pohon se “Disa nga objekte e gjetura që mund të veçohen janë prej metali, më së shumti prej bronzi. “Për shembull, një nga ato është një bilbil që mendohet të jetë përdorur për të thirrur fajkonjtë”, thotë ajo. Por sipas saj më e rëndësishmja është një terakotë që mendohet se duhet të jetë Demetra e periudhës helenistike. Arkeologu i njohur Dhimitër Çondi ka pohuar dje se gjatë gërmimeve janë zbuluar disa shtresa qytetërimesh që tregojnë se Butrinti ka qenë një vendbanim i hershëm dhe i pandërprerë që nga prehistoria, periudha para Krishtit dhe deri në epokën e sotme. “Këtë e vërtetojnë edhe gjatë gërmimeve ku kemi parë se janë gjetur disa shtresa qytetërimesh dhe disa lloje objekte që i përfaqësojnë ato, të cilat datojnë që nga periudhat më të njohura prehistorike e parakristiane deri në periudhën osmane”, tha ai.
Arkeologët dhe specialistë gjatë gërmimeve kanë konstatuar se kodra poshtë forumit është e mbushur me materiale kocke, qeramike, por edhe druri, që janë gjetur në gjendje mjaft të mirë, gjë që dëshmon jetesën që nga prehistoria e deri ne periudhën otomane. Pak kohë më parë në Butrint u zbulua edhe forumi romak, zona më e rëndësishme e qytetit antik pas teatrit, ku kanë shkuar për studim edhe objektet që janë gjetur atje.

(dhh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Digjen 2 makina, 4 minuta më pas hidhet lëndë plasëse pranë një banese! Identifikohet njëri prej autorëve (EMRAT)

Shkodër/ Digjen 2 makina, 4 minuta më pas hidhet lëndë plasëse pranë një banese! Identifikohet njëri prej autorëve (EMRAT)