Zbulohet në Vatikan një letër e
panjohur e Gjon Nikoll Kazazit

Zbulohet në Vatikan një letër e<br />panjohur e Gjon Nikoll Kazazit
Autori shqiptar më i spikatur i shekullit XVIII, që ka shkruar dhe botuar në gjuhën shqipe është Gjon Nikollë Kazazi. Studiuesit kanë rënë tashmë dakord që shqipja e shkruar nga ai ishte e dialektit të Gjakovës dhe të bën një përshtypje shumë pozitive përsa i përket pastërtisë dhe bukurisë së saj. Veprën e tij Kazazi e botoi në Romë në vitin 1743.

Sigurisht që vepra e Gjon Nikollë Kazazit ka rëndësi parësore për albanologjinë dhe shqipen e shkruar, sidomos për studimet e saj në shek. XVIII. Megjithatë në këtë shkrim nuk do të përqëndrohemi te vetë vepra e Gjon Nikollë Kazazit, por te një shënim i tij që gjendet në njërën nga ksombllat e botuara, dhe për të cilën nuk është folur kurrë.

Në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, gjendet një ksombël  me signaturën Miscell. G. 70, (int. 2), në faqet e fundit të së cilës, përkatësisht në f. 47 dhe 48 është një shënim që është i vetë autorit, Gjon Nikollë Kazazit. Te ky përfundim kemi arritur pasi kemi konsultuar dorëshkrimet e Kazazit që ruhen në Arkivin Sekret të Vatikanit (ASV), në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit (BAV) dhe në arkivin e Propaganda Fide.

Në dukje të parë, ky shënim prej dy faqesh nuk duket edhe aq i rëndësishëm, por kur analizohet përmbajta e tij dhe koha e shkrimit, ai fiton një vlerë të shumëfishtë dhe tepër domethënëse.

Duke qenë autograf i vetë autorit që jetoi në shek. XVIII, i cili njihte shumë mirë territoret etnike shqiptare dhe ato në të cilat flitet gjuha shqipe, informacioni që ai shënon në gjuhën italiane, për territoret në të cilat flitet gjuha me një theks të veçantë për pjesët veriore dhe verilindore të vendit duke shënuar edhe toponime të sakta (me këtë rast theksojmë se vetëm një toponim është i panjohur për ne: Qivia, që nuk kemi arritur ta zbërthejmë.

Mund të jetë Qidhna, por kjo na duket e pamundur sepse vetë renditja e territoreve që përmend autori nuk lejon gjeografikisht për të pohuar me saktësi një gjë të tillë).

Me qëllim që ky shënim, që mendojmë se duhet të tërheqë vëmendjen e studiuesve albanologë, historianëve dhe të interesuarve të tjerë, të jetë i konsultueshëm nga të gjithë të interesuarit, po sjellim tekstin e sipërcekur në të dy faqet në fund të ksomblës së Kazazit që ruhet në BAV, duke i transliteruar dhe përkthyer ato në gjuhën shqipe dhe njëkohësisht duke i shoqëruar edhe me faksimilet e origjinalit.

Me këtë rast duhet të theksojmë se fjalia e parë është në gjuhën angleze, e cila e shton edhe më shumë vlerën dhe përgatitjen intelektuale ndoshta edhe të vetë Kazazit.

Teksti i transliteruar në italisht dhe i përkthyer në shqip është si vijon:

ANGLISHT:

"(F. 47) Copy of a Note given to Signor abbat Massaraçhi by Monsignor Niçolovik archiepiscopo Scopensis Albanensis.
 Kopje e një shënimi dhënë z. abat Mazrekut nga imzot Nikolla, kryeipeshkv i Shkupit të Shqipërisë".


ITALISHT:

"La lingua Albanese in quella maniera che la parlamo (sic!) noi, s’estende in molti Paesi, e frà l’altri in questi che qui sotto saranno notati nominatamente: Tutta la Diocesi di Scuttari tanto montuosa, quanto nel piano come le Diocesi di Durazzo, di Antivari, Dolcigno, Alessio, Sappa, Pulati, le Popolazioni vastissime di Fendi Miriditta, e Thela (πθελα) et Iballeja et Clementini et e molte altre in Albania e Macedonia.

In regno della Servia poi le Diocesi di Prisereno, di Paçhia, di Novipasaro, di Niscia, di Giacova, e tutte le vastissime et antichissime Popolazioni di Luma, di Opoja, di Gore, di Civia, di Cossovo, di Dreniza, di Morava, con moltissime altre in tutto’ l Regno della (f. 48) Servia; oltre molte per molte altre popolazioni situate verso le Rive del gran Danubio, le quali tutte quasi sono passate in Vallachia, parte in Transilvania, et in altre parti qui (sic!).

Quei di Croja, pure, e di Tiranna parlano l’istesso, solamente qualche parola avran’diversa dalle nostre espressioni.
Nella  Bulgaria ancora vi si trovano, e moltoppiù (sic!) né tempi passati".


PËRKTHIMI SHQIP:

"Gjuha shqipe, në atë mënyrë si e flasim ne, shtrihet në shumë treva, e ndër të tjera në këto që po shënojmë me emër këtu poshtë: në gjithë Dioqezën e Shkodrës si në Malësi, ashtu edhe në Fushë, ashtu si dhe në Dioqezën e Durrësit, të Tivarit, Ulqinit, Lezhës, Sapës, Pultit, në popullsitë shumë të përhapura të Fandit, Mirditës dhe Thellës (Kthellës) etj. Iballa etj, Kelmendi si edhe në shumë të tjera në Arbëni e Maqedoni.

Në mbretërinë e Serbisë, pastaj në dioqezat e Prizrenit, të Pejës, të Novi Pazarit, të Nishit, të Gjakovës e në të gjitha popullsitë shumë të lashta e të përhapura të Lumës, Opojës, Gorës, Qivisë, Kosovës, Drenicës, Moravës me shumë e shumë të tjera në të gjithë Mbretërinë e Serbisë; përveç këtyre edhe shumë popullsi të tjera, të vendosura pranë brigjeve të Danubit të madh, të cilat thuajse të gjitha janë shpërngulur në Vllahi, pjesërisht në Transilvani, dhe në pjesë të tjera.

Por ato të Krujës e të Tiranës flasin të njëjtin, veçse ndonjë fjalë e kanë ndryshe nga shprehjet tona.
Në Bullgari ndeshen ende, por shumë më tepër kishte kohët e shkuara."

(Lart) Frontespici i ksombles se Kazazit ku është edhe teksti i tij autograf (djathtas) Ksombla e Kazazit nga BAV
(Në foto: Lart, frontespici i ksomlës së Kazazit ku është edhe teksti i tij autograf. Djathtas, ksombla e Kazazit nga BAV)

Shënimi i mësipërm i autorit Gjon Nikollë Kazazit për át Mate Mazrekun për ne ka një logjikë dhe është i qëndrueshëm për faktin se me rastin e botimit të ksomblës, át Mazreku ndodhej në Romë për studime dhe ishte bashkëpunëtor i afërt i imzot Kazazit. Ky është një fakt tjetër shumë i rëndësishëm, i cili tregon për bashkëpunim e ndërsjelltë të klerikëve shqiptarë, si atyre me funksione të larta kishtare apo atyre që ishin në formim e sipër.

Në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit në sektorin “Stampati” me signaturën  Miscell. Mai. X. D. III. 31, (int. 4); ruhet ksomblla e librit të Gjon Nikollë Kazazit me titullin e plotë: “Breve Compendio della Dottrina Cristiana tradotta in lingua Albanese per l’utilità, e istruzione dei Fanciulli di quella Nazione. Da un Nazionale del Regno di Servia Alunno della S. Congregazione” botuar në Romë, nga “Stamperia della S. Congregatione de Propaganda Fide” në vitin 1743, [të cilin e ka dhënë edhe Dh. S. Shuteriqi në: “Shkrimet Shqipe në vitet 1332-1850” f. 110-111 (nr. 85)], me dimensione: horizontalisht: 17 cm dhe vertikalisht: 10.2 cm.

Po ashtu në të njejtin sektor, të BAV-it, “Stampati” me signaturën Miscell. G. 70, (int. 2); ruhet edhe një ksombëll e dytë e librit të Gjon Nikollë Kazazit, me të njëjtin titull, me dimensione: vertikalisht: 14.5 cm dhe horizontalisht: 8.8 cm. Libri ka gjithsejt 46 faqe. Faqosja është lart majtas-djathtas. Faqet e plota, të gjitha kanë numër të njëtë rreshtash, 21, për secilën. Ksomblla e dytë ka kopertina pergameni të bardhë, ndërsa ksomblla e parë, fillon me frontespicin. Të dy ksombllat janë të lidhura me vepra të ngjashme të autorëve të ndryshëm, botim i shtypshkronjës së de Propaganda Fide nga i njëjti shekull, XVIII.

Përshkrimi i Dh. S. Shuteriqit lë të kuptosh se ekziston vetëm një botim i librit të Gjon Nikollë Kazazit, dhe se ksomblla të tij ruhen vetëm në bibliotekën e Institutit Pedagogjik të Shkodrës dhe në Bibliotekën Universitare Kombëtare të Zagrebit. [Shënimi për ruajtjen e ksombllës në Bibliotekën Universitare Kombëtare të Zagrebit është i pasaktë, sepse një ksombëll e tillë atje nuk ekziston.

Pasi bëmë një studim krahasues të dy ksombllave që ruhen në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, vumë re ndryshime në fontespicin e tyre, por edhe në dimensione të ndryshme, që të bindin për ribotimin e këtij libri brenda një viti.

Kohëve të fundit nga ndonjë i ashtuquajtur “specialist, albanolog” pohohet se për librat e shtypur në gjuhën shqipe kemi botim dhe emetim, duke treguar kështu mungesë njohurish elementare, joprofesionalizëm, diletantizëm për kuptimin e këtyre termave dhe mos të flasim fare se çfarë niveli tregojnë në fushën e kritikës tekstore, veçanërisht të botimeve të shek. XVI-XVIII.

Pohime të tilla hidhen poshtë si të pasakta, me vetë botimin e dy frontespiceve të veprës së Gj. N. Kazazit, e cila është shembulli më i mirë për të saktësuar njëherë e mirë këtë problematikë, sepse cili nga autorët e lashtë shqiptarë kishte atë mundësi të ishte i pranishëm në procesin e shtypjes së librit të tij?

Cili nga korrektorët e botimeve të librave në gjuhën shqipe, njihte gjuhën shqipe ose ishte shqiptar? Pse kur botohej vepra e tij, meqë autori ose korrektori paskan ndjekur procesin e shtypjes kishte aq shumë gabime tipografike dhe të tjera? Ksomblla me signaturën Miscell. Mai. X. D. III. 31, (int. 4) e cila është identike me ksombllën që ka konsultuar Dh. S. Shuteriqi, gjë që vihet re nga faksimili i botuar prej tij në faqen 111 të librit të sipërpërmendur, ndryshon me ksombllën që ruhet me signaturën Miscell. G. 70, (int. 2), në BAV.

Ndryshimi është pas rreshtit të nëntë të fontespicit ku është shkruar: A spese di Marco Deluesi da Gramsei Sappatese in Albania. Një ndryshim të dytë, përveç kësaj, kemi edhe tek gravura. Në ksombllën ku gjendet teksti i shtuar, paraqitja grafike ndryshon ngase numri i personave është më i vogël se ai në gravurën e ksombllës tjetër; gjithashtu vërehen ndryshime në sfond si dhe në paraqitjen e figurës së shenjtit; pastaj dekorimet në të katër trekëndëshat anësore janë të ndryshme.

Ndryshim tjetër është edhe paraqitja vizuale e tekstit që ndodhet në shiritin rrethues të gravurës. Në ksombllën identike me atë të Shuteriqit, Miscell. Mai. X. D. III. 31, (int. 4), është ky tekst, nga mesi, në të djathtë: ╬.EVNTES. IN. VNIVERSVM. MVNDVM. PRÆDICATE. EVANGELIVM. OMNI. CREATVRÆ. ndërsa në ksombllën tjetër, Miscell. G. 70, (int. 2), të BAV-it, është ky tekst, (gjithmonë nga mesi në të djathtë): ╬EVNTES. IN. VNIVERSVM. MVNDVM. PRÆDIC. EVANG. OMNI. CREATVRÆ. Kontribut shumë të çmueshëm për jetën dhe veprën e imzot Gjon Nikollë Kazazit ka dhën Bardhyl Demiraj me studimet dhe botimet e tij të vazhdueshme për kërë personalitet të letrave shqipe.

Dëshirojmë të theksojmë se Demiraj është i pari që ka hedhur idenë të argumentuar dhe mbështetur në burime dokumentare se “Meshari” i Gjon Buzukut u zbulua nga imzot Kazazi në vitin 1743 e jo 1740 siq është pohuar e shkruar deri me sot.

KUSH ËSHTË GJON NIKOLLË KAZAZI?

Gjon Nikollë Kazazi ka lindur në Gjakovë në vitin 1702. Studioi si konviktor i Kolegjit Ilirik të Shën Pjetrit dhe Shën Palit në Fermo, ku arriti më 21 maj të vitit 1720. Që nga muaji qershor i të njejtit vit, ai kaloi në Loreto, në Kolegjin Ilirik të atjeshëm.

Sipas deshmisë së deshmitarit, me rastin e emërimit për kryeipeshkv të Shkupit më 1743, Feliks Mandinit, Gj. N. Kazazi atëherë ishte 41 vjeç dhe studimet i filloi në moshën 18 vjeçare. Në Kolegjin Ilirk të Loretos ai studioi lëndet gramatikore, dhe zuri vendin e kandidatit të kryeipeshkvisë së Shkupit. Në vitin 1722 studioi lëndët retorike, ndërsa në vitin 1723 studioi filozofi.

Për shkak të humbjes së regjistrave të konviktorëve për disa vite në vijim, nuk mund të konkludohet me siguri, se në cilin vit Gjoni i ka mbaruar studimet në Loreto. Mirëpo, tanimë i përmenduri deshmitari Feliks Mandini me rastin e emërimit të Gjonit për kryeipeshkv të Shkupit, deshmon se ai kishte 16 vjet që kryente detyren e priftit.

Nga kjo deshmi mund të mësojmë se Gjoni studimet i ka mbaruar në vitin 1727, dhe se po atë vit është shuguruar prift. Duke përfunduar studimet, Gjoni ka doktoruar në filozofi dhe teologji. Kryeipeshkvi i Fermos, imzot Allesandro Borxhia [1724-1764], Gj. N. Kazazin e ka pranuar në rendin e presbiterianve. Me t’u kthyer në kryeipeshkvinë e Shkupit, kryeipeshkvi Mikel Suma e emëroi misionar në Prizren.

Don Gjoni është transferuar nga Prizreni në Gjakovë për shërbim pastoral, të cilin e kryente së bashku me don Anton Teodorin. M. Suma e ka emëruar don Gjonin si vikar gjeneral ngase ai dallohej për zgjuarsi dhe mençuri të veçantë, ndërsa në një relacion nga viti 1735, kryeipeshkv Suma shkruan se don Gjoni ëshë misionar dhe vikar gjeneral në Gjakovë.

Pas largimit të M. Sumës në vitin 1737 nga kryeipeshkvia e Shkupit (është fjala për shpërnguljen e shqiptarve nga Kelmendi me të cilët u bashkuan edhe një pjesë e shqiptarëve të Shkupit dhe u vendosën në Sriem, përkatësisht në Hrtkovci e Nikinci) me një pjesë të besimtarëve, don Gjoni si vikar gjeneral ka drejtuar atë kryeipeshkvi.

Me siguri me propozimin e V. Zmajeviqit, don Gjoni është emëruar vizitator apostolik i kryeipeshkvisë së Sofjes dhe ipeshkvisë së Nikopolit në Bullgari. Propaganda Fide e ka dekretuar Gj. N. Kazazin si kryeipeshkv të Shkupit me 12 maj të vitit 1743. Me dekretin e datës 23 shtator 1743, papa Benedikti i XIV-të, e njeh don Gjonin si kryeipeshkv të Shkupit.

Me 29 shtator të vitit 1743 Kardinal Portokarrero e shuguroi don Gjonin në Romë si kryeipeshkv të Shkupit. Shkopin baritor [palliumin] e mori më 16 dhjetor 1743. Gjatë qëndrimit në Romë, Gj. N. Kazazi në vitin 1740 zbuloi në Bibliotekën e Propagandës Fide të vetmin ekzemplar të ruajtur deri me sot të “Mesharit” të Gjon Buzukut i botuar në vitin 1555.

Kryeipeshkvi Gj. N. Kazazi është përpjekur, kur kishte mundësi, personalisht të kryente vizitat “ad Limina Apostolorum” kështu që personalisht ka vizituar “pragun e Bazilikës së Apostolit të Parë,” më 14 prill 1744, të njëjtën ditë e ka vizituar edhe Bazilikën e Shën Palit në rrugën e Ostisë.

Kryeipeshkvi Gjon Nikolla ishte për herë të fundit në vitin 1750 në Romë dhe me atë rast personalisht bëri vizitën “ad Limina” në Bazilikën e Shën Pjetrit me 2 prill të vitit 1750, po të njëjtën ditë ka vizituar edhe Bazilikën e Shën Palit në rrugën e Ostisë. Gj. N. Kazazi, kryeipeshkvi i Shkupit, vdiq më 5 gusht të vitit 1752.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilndasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.03.2013

Redaksia Online
(ar.sh/b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Kthjellime në të gjithë territorin, si parashikohet moti sot

Kthjellime në të gjithë territorin, si parashikohet moti sot