Zbulohet nga gërmimet një ujëmbledhës 100-vjeçar, ndërpriten punimet për Bypass-in e Beratit
Punimet që kanë filluar prej muajsh në Berat për ndërtimin e Bypass-it të qytetit janë ndërprerë pasditen e sotme për shkak se gjatë gërmimeve të kryera në lagjen muzeale "Goricë" ka dalë ujë dhe është zbuluar një gjysmë-hark i gdhendur me gurë, ku sipas arkeologëve daton rreth 100 vite më parë.
Redaksia 23 Nëntor 2021, 16:31 | Përditesimi: 23 Nëntor 2021, 21:42
BERAT- Punimet që kanë filluar prej muajsh në Berat për ndërtimin e Bypass-it të qytetit janë ndërprerë pasditen e sotme për shkak se gjatë gërmimeve të kryera në lagjen muzeale "Goricë" ka dalë ujë dhe është zbuluar një gjysmë-hark i gdhendur me gurë, poshtë të cilit ndodhet edhe një tubacion shkarkues uji.
Pas konstatimit, firma kontraktuese ka ndërprerë punimet dhe ka njoftuar Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Berat. Në zonë kanë mbërritur 2 specialistë arkeologë të kësaj drejtorie, të cilët kanë bërë edhe inspektimin dhe matjet në vend.
Duke u konsultuar dhe me hartat e vjetra por edhe me dokumentacionin e plotë të vendndodhjes së veprave "Monumente Kulture", dy arkeologët kanë konkluduar se kemi të bëjmë me një kanal (kolektor) ujëmbledhës e shkarkues të ujërave të larta të lagjes "Goricë", kanal që sipas tyre daton rreth 100-vite më parë.
Dokumentacioni i hartuar nga dy specialistët arkeologë të DRMK-së Berat do të përcillet në instancat përkatëse, i shoqëruar edhe me skicat e matjet e bëra prej tyre në zonë. Faktin që kemi të bëjmë me një kolektor ujëmbledhës e pohojnë edhe banorët e vjetër të lagjes "Goricë",që konfirmojnë se shumë vite më parë ky kanal që mblidhte ujërat e larta e i shkarkonte ato në lumë ka qenë o hapur dhe një rrezik për fëmijët që luanin aty, deri sa u mbyll.
Sipas specialistëve arkeologë të DRMK-së Berat deri në pritje të konkludimit të specialistëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë, kjo zonë do të mbulohet provizorisht për të mos rrezikuar shembjen e rrugës dhe automjetet që qarkullojnë aty,si e vetmja rrugë e lagjes muzeale "Goricë".