Prokuroria e Përgjithshme nisi verifikimin për të kaluarën e kryebashkiakut të Librazhdit, Kastriot Gurra duke kërkuar formularin e vetëdeklarimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por kush e kërkoi? Kallëzimi është depozituar pranë prokurorisë së përgjithshme nga Lëvizja Qytetare Sopoti, me përfaqësues Rexhep Hanën, audit i brendshëm në bashkinë e Librazhdit, thuhet në dokument. Rexhep Hana kërkon që të verifikohet dhe hetohet Kastriot Gurra, që është eprori i tij, pasi sipas tij, ka indicie dhe dyshime se në vitet 2007-2008 kryebashkiaku aktual ka falsifikuar vulën e Drejtorit të Ujësjellësit në Librazhd.
Në atë kohë, pra 12 vite më parë, sipas kallëzimit, prokuroria (dosja 994) nisi hetimet për Gurrën me akuzën se falsifikoi vulën e ujësjellësit për formimin e një bordi të ri me qëllimin vendosjen e një drejtori të ri në krye të ujësjellësit. Gurra, sipas kallëzimit asokohe ishte shpallur në kërkim. Por këtë pjesë të së kaluarës së tij, sipas kallëzimit të Rexhep Hanës, Kastriot Gurra nuk e ka pasqyruar në formularin e dekriminalizimit dhe për këtë sipas tij është në kushtet e ndalimit.
Konkretisht kallëzuesi thotë se Gurra dy pyetjeve, të 2-tës dhe të 5-tës në formularin e vetëdeklarimit të dekriminalizimit nëse ka qenë dënuar apo ka pasur ndonjë masë kundër tij i është përgjigjur me 'JO'.
Pyetje nr. 2- nëse është dënuar me burgim me vendim gjyqësor jopërfundimtar nga një autoritet gjygjësor shqiptar ose i huaj, për një cështje penale të pazgjidhur me vendim gjyqësor të formës së prerë, rezulton se i është përgjigjur me 'JO'.
Pyetje nr. 5- nëse është përcaktuar ndaj jush ndonjëhere masë shtrënguese e sigurisë personale, në fuqi ose jo, rezulton së është përgjigjur JO.
“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Kastriot Gurra, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për tu zgjedhur në një funksion të larte publik, në kuptim të nenit 2 të ligjit nr 138/2015. Ai në vitin 2008 ka qënë në hetim nga Prokuroria e Rrethit gjyqësor Elbasan për procedimin penal nr 944, vepra penale “Fallsifikim i vulave i stampave ose formularëve, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, neni 188 Kodi Procedurës Penale” thuhet në kallëzim ndër të tjera.
Rexhep Hana i kërkon prokurorisë që të mbledhë provat, ndërsa PD-së i kërkon që të ndjekë këtë kallëzim. Në fund të kallëzimit Hana thotë se disponon dosjen e plotë 994 të vitit 2008 të prokurorisë dhe nëse i nevojitet organit të akuzës është gati t'ia vendosë në dispozicion prokurorisë së Përgjithshme. Kastriot Gurra në 30 Qershor të vitit të kaluar mori mandatin e dytë në krye të bashkisë së Librazhdit. Deri tani emrat e kryebashkiakëve të denoncuar nga Partia Demokratike janë; Valdrin Pjetri i Shkodrës që u largua, Agim Kajmaku i Vorës po ashtu u largua, Mark Babani i Vaut të Dejës, Agron Malaj i Matit dhe Qerim Ismailaj i Mallakastrës.
Kallëzimi nga Lëvizja Qytetare Sopoti, me përfaqësues Rexhep Hanën, audit i brendshëm në bashkinë e Librazhdit
(Kliko këtu për të lexuar formularin e vetëdeklarimit të Kastriot Gurrës )