Një specie e panjohur më parë e pandave gjigante që kanë ekzistuar në Evropë 6 milionë vjet më parë, është identifikuar pas zbulimit të dy dhëmbëve të ruajtur në një muze bullgar.
Dhëmbët e fosilizuar u gjetën fillimisht në fund të viteve 1970 në depozitat e qymyrit në Bullgari, ku u mbajtën në koleksionin e Muzeut Kombëtar Bullgar të Historisë Natyrore për më shumë se katër dekada.
Mirëpo në atë kohë, nuk ishin zbuluar shumë detaje rreth tyre.
"Ata kishin vetëm një etiketë mbi të cilën kishte shënime të paqarta me shkrim dore," tha Nikolai Spassov, një profesor në muze dhe autor i një studimi të ri mbi këta dhëmbë, në një njoftim për shtyp.
"Mu deshën shumë vite për të kuptuar se cila ishte vendndodhja dhe mosha e dhëmbit. Pastaj mu desh gjithashtu shumë kohë për të kuptuar se i përkiste një pande gjigande."
"Ky zbulim tregon se sa pak dimë për natyrën e lashtë dhe se zbulimet historike në paleontologji mund të çojnë në rezultate të papritura, akoma edhe sot," tha ai.
Ndërsa pandat njihen më së shumti nga përfaqësuesi i tyre i vetëm i gjallë, dikur ekzistonin një sërë speciesh që bridhnin nëpër Evropë dhe Azi.
Specia e zbuluar përmes objekteve që u gjeten në muze ishte panda e fundit e njohur që jetonte në Evropë. Studiuesit e quajtën atë Agriarctos nikolovi sipas paleontologut shumëvjeçar të muzeut, Ivan Nikolov, i cili fillimisht katalogoi dhëmbët e gjetura.
Studimi zbuloi se kjo specie ishte po aq e madhe sa panda që njohim, ose pak më e vogël. Ka të ngjarë të hante kryesisht bimë, ndryshe nga pandat që janë gjallë, të cilat hanë vetëm bambu.
Dhëmbët ka të ngjarë të mos ishin aq të fortë sa për të shtypur kërcellet drunore të bambusë, duke sugjeruar se kafsha hante bimë më të buta, zbuloi hulumtimi.
Depozitat e qymyrit në të cilat u gjetën dhëmbët dhanë dëshmi se kjo pandë e lashtë banonte në rajone pyjore dhe moçalore.
Spassov dhe bashkautori i tij Qigao Jiangzuo, një specialist pandash nga Universiteti i Pekinit në Kinë, propozuan se kjo specie e pandës mund të jetë zhdukur në epokën kur pellgu i Mesdheut u tha, duke transformuar mjedisin përreth, e duke krijuar një ambient të papërshtatshëm për pandat.
“Pandat gjigante janë një grup shumë specifik arinjsh”, tha Spassov në njoftim.
"Edhe nëse A. niklovi nuk ishte aq specifik në habitat dhe ushqim sa panda gjigante moderne, ishte sërish mjaft i veçantë. Evolucioni i tij lidhej me habitatet e lagështa dhe të pyllëzuara," tha ai.
"Ka të ngjarë që ndryshimet klimatike në fund të Miocenit në Evropën Jugore, që çuan në tharjen e këtij territori, të kenë pasur efekt negativ në mbijetesën e pandës së fundit evropiane."
Epoka e Miocenit daton 23 milionë deri në 5 milionë vjet më parë.