Një atentat ndaj një biznesmeni të lidhur me një kompani izraelite të prodhimit të armëve është parandaluar në Greqi, pas një operacioni të përbashkët të shërbimeve të inteligjencës greke dhe atyre të Maqedonisë së Veriut. Pesë shtetas të Maqedonisë së Veriut janë arrestuar, katër prej të cilëve shqiptarë, sipas Top Channel, ndërsa pas planit të vrasjes dyshohet se qëndron një rrjet i lidhur me inteligjencën iraniane.
Sipas të dhënave të gazetarit Artur Bibe shënjestra e atentatit ishte biznesmeni Avraam-Minos E. Moissis, i cili mban një post të lartë drejtues në një kompani izraelite të prodhimit të armëve. Moissis është i njohur edhe për pjesëmarrjen në bordet drejtuese të kompanive në Greqi, kryesisht në sektorin farmaceutik dhe atë tregtar e industrial.
Sipas gazetës greke “To Vima”, hetimet nisën në fund të shkurtit ose në fillim të marsit 2026, nën drejtimin e Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës së Greqisë (EYP), në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut dhe shërbime të tjera perëndimore.
Katër prej të dyshuarve u arrestuan në Maqedoninë e Veriut, ndërsa një tjetër, i identifikuar nga Top Channel si Shpëtim Musliu, i lindur më 21 dhjetor 1996 dhe banues në Kumanovë, u arrestua në Greqi dhe iu dorëzua autoriteteve maqedonase më 12 nëntor.
Grupi përbëhej nga persona me bindje radikale islamike, të rekrutuar në zonat e Kumanovës dhe Shkupit. Ata dyshohet se kishin marrë përsipër organizimin dhe kryerjen e atentatit, por disa tentativa për të hyrë në Greqi kishin dështuar, pasi emrat e tyre rezultonin në listat e personave të dyshuar për radikalizëm.
Edhe Musliu kishte tentuar fillimisht të hynte në Greqi përmes Turqisë, por ishte kthyer mbrapsht në pikën kufitare të Evrosit. Në tentativën e dytë ai u ndalua, pasi shërbimet greke kishin marrë informacion nga homologët e Maqedonisë së Veriut për planin e grupit. Sipas korrespondentit Artur Bibe, autoritetet greke i kishin mbajtur të dyshuarit nën përgjim për afro një vit.
Pas organizimit të atentatit dyshohet se qëndron shtetasi iranian Edris Jahangiri Mavaneh. Sipas gazetës “To Vima”, pesë të arrestuarit kanë pranuar se punonin për të, ndërsa Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se ai ka lidhje të dyshuara me persona brenda strukturave të inteligjencës iraniane.
Mavaneh dyshohet gjithashtu se ka lidhje me trafikantin iranian të drogës Naji Sharifi Zindashti, i cili, sipas autoriteteve, përdor rrjete kriminale në vende të tjera për të kryer operacione në interes të shërbimeve të inteligjencës së Teheranit.
Sipas mediave greke, Mavaneh dyshohet se financonte operacionin dhe kishte marrë urdhër nga shërbimet iraniane për eliminimin e biznesmenit.
Pas arrestimeve, hetimet janë përqendruar edhe te mundësia që grupi të ketë bashkëpunëtorë në Greqi dhe brenda qarqeve të komunitetit mysliman në vend.
-
Ca Shqiptaresh jane ata? Shqipetaret skan lidhje me fene qe na kane vra gjysher e stergjysher kta jan turq
Përgjigju








Komente
Komento