Zbulohet proza magjike
për fëmijë e Anton Pashkut

Zbulohet proza magjike<br />për fëmijë e Anton Pashkut
TIRANE - Studiuesi Behar Gjoka rrëfen për tiparet e një pjese krejt të panjohur të krijimtarisë letrare të autorit Anton Pashku. Bëhet fjalë për letërsinë për fëmijë. Ky zhanër letrar i lëvruar nga mjeshtri i fjalës Anton Pashku mbart vlera të jashtëzakonshme në aspektin gjuhësor, në aspektin didaktik, psikologjik dhe edukativ. Këto e të tjera vlera universale të letërsisë për fëmijë, studiuesi Behar Gjoka i ka zbuluar gjatë studimit të plotë që po i bën veprës së Anton Pashkut.

Studiuesi Gjoka këtë herë rrëfen për tekstin letrar të Anton Pashkut, i cili dritëson të gjitha zhanret letrare të autorit, si rrjedhin funksionin edhe letrar edhe edukativ edhe artistik. Studiuesi Gjoka gjatë procesit të studimit është befasuar nga fakti që prej Pashkut trashëgojmë edhe letërsi tipike për fëmijë. Këtë ia kumton edhe lexuesit të gjerë. Më tej ai tregon se çfarë rëndësie kanë 32 tregimet dhe skicat, siç i ka emërtuar vetë shkrimtari.

Një rëndësi të shumëfishtë të krijimtarisë së Anton Pashkut, Gjoka ka zbuluar edhe në pjesën tjetër të krijimtarisë së autorit, dhe përmes kësaj interviste ai rrëfen funksionin e kodit letrar, të zbuluar te proza për fëmijë ose shtojca e dytë e librit që mban titullin “Krahaneza”. Titulli rrëfen edhe një fjalë të rrallë të shqipes, që sipas studiuesit Gjoka do të thotë: bora që ngjit nëpër degët e pemëve. Duke parë veprën, lexuesi përveç të tjerave kupton se letërsia për fëmijë e Anton Pashkut është një zbulim në fushën e edukimit mendor e shpirtëror të fëmijëve. 

Jeni përballur kohëve të fundit me disa proza të shkurtra të Anton Pashkut e mes tyre edhe disa tregime për fëmijë. Si qe përballja me këto tregime? Çfarë specifike kanë?
-Anton Pashku, nga lexuesit dhe studiuesit, përgjithësisht njihet si prozator me kualitet, ku lëvron romanin, me tekstin e përveçëm OH, si dhe prozën e shkurtër, të cilën e ka përcaktuar vetë si tregime fantastike, si dhe si dramaturg me dy tragjeditë moderne, Gof dhe Sinkopa, të cilat shpresojë të mos jepen për testet e maturës, sepse këto dy vepra janë vështirësisht të kuptueshme, nga studiuesit e jo më nga nxënësi i shkollës së mesme.

Në qasjen e radhës mbi veprën e tij, për të hedhur vështrimin në të gjithë krijimtarinë letrare, më ra në dorë një botim i vitit 2005, me titullin Galtina, me nëntitull Mbetjet letrare me dy shtesa e një bibliografi, botuara në Prishtinë, por edhe një tekst autobiografik, shkruar pak muaj para se të ndërronte jetë, pra si një libër ku janë hedhur në qarkullim të gjitha dorëshkrimet e tij, ndonëse trashëgimtarët e vlerave të krijuara prej tij nuk e kanë pohuar këtë përfundimisht, u ndesha me tre befasi:
E para: Një pjesë e prozës së shkurtër, por edhe vetë romani OH, që ka si paratekst novelën Eklipsi, përkatësisht 12 tekste me tregime fantastike, janë të shkruara në dy variante, pra në gegnishte dhe në gjuhën e njësuar, një fakt që do të kërkonte vëmendje dhe shqyrtime më të thelluara.

E dyta: Krahas dy teksteve të përcaktuar si tragjedi moderne, ka mbetur në dorëshkrim edhe një fragment drame, me titullin Parakalimi, që për nga dialogu dhe përzgjedhja e fjalëve, pse jo e vetë situatave dramatike, pa mëdyshje është pjesë e fondit dramatik të autorit.

E treta: Befasia më e madhe për mua, pse jo edhe për lexuesin e gjerë, ishte fakti që prej Pashkut trashëgojmë edhe letërsi tipike për fëmijë, e cila i përket prozës së shkurtër. Në prozën për fëmijë, bëjnë pjesë 32 tregime dhe skica, siç i ka emërtuar vetë shkrimtari, gjë që ngjet edhe me pjesën tjetër të krijimtarisë së autorit, të cilës i jep një emërtim të caktuar, që kryen funksionin e kodit letrar.

Proza për fëmijë ose shtojca e dytë e librit, është përmbledhur nën titullin “Krahaneza”, që simbas fjalorit të gjuhës shqipe, të vitit 1954, do të thotë: bora që ngjit nëpër degët e pemëve. , e cila në kuptimin metaforik të fanitet edhe si lule, e cila po ta prekesh të shkakton drithërima të pazakonta prej të ftohtit.

Pjesa e prozës për fëmijë, është interesante për shumëçka, por sidomos për këto tipare dalluese: është një prozë e thjeshtë dhe e kuptueshme, e cila bart një lojë fëminore dhe është e shoqëruar nga ngjyrime fantastike, si dhe është ndër të paktat raste të letërsisë për fëmijë, që ka një ekuilibër të habitshëm në mes etikës, pra moralit dhe artit si dëshmi e rrokshme në hapësirat e teksteve.

Këto tipare, pothuajse përshkojnë të gjitha tekstet që janë shkruar për fëmijë, madje kanë edhe një cilësi se nëpërmjet fjalës si rrëfim, si dialog dhe përshkrim, të krijohet përfytyrimi i plotë i situatave, aq me tepër që të gjitha tekstet në prozë për fëmijë, janë ilustruar edhe më piktura, me figurina që paraqesin dhe zbërthejnë idenë dhe imazhin e krijimit letrar në lëmin e prozës për fëmijë.
 
Ç'mund të  themi për Anton Pashkun si shkrimtar i prozës se shkurtër, e veçanërisht atë për fëmijë?
-Për mua, proza e shkurtër e Pashkut, përbën kulmin e vlerave letrare që ka realizuar, madje bashkë me Kutelin dhe Koliqin, që hodhën themelet e prozës moderne shqipe, përbëjnë treshen e kurorës më të vlertë të letrave shqipe në lëvrimin e prozës së shkurtër, në historinë e letrave shqipe, ku vetë përcaktimi i bërë prej vetë shkrimtarit, si tregime fantastike, e ndërlidh natyrshëm me poetikën e dy mjeshtërve të prozës së shkurtër, por edhe duke shënuar një nivel unik dhe të mëvetësishëm të shkrimit të prozës së shkurtër.

Pjesë thelbësore e prozës së shkurtër është edhe proza për fëmijë, e cila është po kaq fantastike sa dhe ajo për të rritur, por që për hir të së vërtetës na vjen me një situimi të thjeshtë, të kuptueshëm dhe të shoqëruara me një lojë të beftë, me grimca lodërtare, brenda natyrës fënminore. Kuptohet se proza për fëmijë, pëson në fakt dy përthyerje, të parën për të qenë e kuptueshme për lexuesin e asaj grupmoshe, dhe e dyta për të përcjellur detyrimisht edhe vlera estetike.

Tekste e realizuara me prozën e shkurtër për fëmijë përbëjnë një kapitull më vetë, padyshim një vlerë të shtuar për Pashkun, sepse janë çliruar nga hermetika dhe terri semantik, që bartin tregimet për të rritur, por ndërkaq është shtuar kumti lakonik, lodrimi me botën përqark, që zbulohet si një parakusht për ta njohur dhe shijuar prozën e tij.

Do të majftonin prozat: Fëmijët e Bamirës, Zogu në Dritare, Andrra e Afrmit, Kapiten Lulashi, Në krahët e Nanës, Mësuese Burbuqja, Gjaku etj. , për të kapur dhe shijuar natyrën e prozës për fëmijë, të sendërtuar mjeshtërisht nga shgkrimtarit, ku zbulojmë magjinë e rrëfimit, të dialogut dhe të fjalës si shenjë e artit.
 
Janë shkruar në gegnisht apo jo.... sa te asimilueshme janë për fëmijët këto proza?
Përgjigje: E gjitha proza për fëmijë, pra tregimet dhe skicat, janë shkruar vetëm në gegnishte, që dihet se është një variant i hershëm dhe bashkëkohor, që zë fill me Mesharin e Buzukut, dhe mbërrin gjer të Pashku, Camaj... Gegnishtja, si variant bisedor dhe si version letrar, është pjesë thelbësore e sistemit të shqipes, si diakroni dhe sinkroni.

Pra të gjithë tekstet e prozës së shkurtër, 32 tregimet dhe skicat, janë shkruar në gegnisht. Ma do mendja se janë të qarta, të kuptueshme dhe të asimilueshme për fëmijtë, sepse janë shkruar si një adresim letrar i këtillë, por janë përthyer në mënyrë të atillë, që përthithja, si vlerë e rrokshme utilitare, e barabitur me vlerat letrare, të vijë në një version të qartë, që shpesh të sjellë pranë imazhet e lojës, e lodrimit të natyrës fëminore.

Pavarësisht faktit që janë shkruar në gegnishte, një variant i ndaluar për shumë kohë për të ligjëruar në letërsi, së paku në Shqipëri, fjalët që janë zgjedhur janë të thjeshta dhe të kuptueshme, por edhe me rrëzëllima arti të hapur.

Po kaq, në prozën për fëmijë nuk është e pranishme loja me fjalën, një situatë gati hermetike dhe absurde në prozën për të rritur, e diçka më tepër në tekstet dramatike, e sjellë në këtë nivel për shkak të adresimit të qartë, letërsi për një lexues të caktuar, që shijon dhe përthith konkreten, sepse proza për fëmijë e autorit tonë, veçmas të zgjon imazhe të qarta të jetës konkrete, të fëmijëve dhe fëminisë.

Për të krijuara një përshtypje reale, mbi vlerat e prozës për fëmijë nga Anton Pashku, po ju përcjellim të plotë tekstin e tregimit Nga ditari i Mirashit, ku prekim tiparet e kësaj pjese të krijimtarisë letrare të autorit, bashkë me faktin se janë shkruar në gegnishte, një variant i hershëm dhe tepër i vlertë i sistemit të gjuhës shqipe.

NGA DITARI I MIRASHIT

Kjo që po shkruhej, nuk asht ku me dijtë se çfarë ngjarje e madhe, por megjithatë unë po e shënoj në ditarin tim, sepse më ka ba përshtypje jashtëzakonisht të mirë.
Ditari im është plot këso ngjarjesh që më kanë lanë vragë të ndryshme, të cilat unë herë mbas here i lexoj me andje të madhe.
Edhe sot si çdo ditë u ula pranë vijës s’ujit për të vizatue. (Unë vizatimin e pëlqej shumë) Shpesh më rreh mendja, sa kur të rritem, kam me u ba vizatues i madh.
Koha ishte shumë e bukur, dielli rrezitte kandshëm dhe në qiellin e kaltër nuk mujsha me pa asnjë re. Nxora fletën e pastër të  vizatimit dhe aty në hijen e dendun të manit nisa me punue. Harrova me thanë se me mue ishte Tushi, -vëllau im më i vogël. Shumë pritoj me qenë i shoqnuem prej tij. Vërtet është i vogël, por plot dreqni. Asnjëherë nuk më lenë të qetë. Gjithmonë dora e tij don me prek diçka, gjithmonë ka me prish ndonjë send. Qe, pardje e derdhi mbi fletën e vizatimit, kinse pahiri, tanë shishen e bojës së zezë. E rraha, por… kështu edhe sot ku me dijt çfarë iu kishte tek me vizatue, asnjë as dy vetëm thoshte, ma jep këtë ngjyrë, ma jep atë…e unë dikur u mërzita ma prej tij, dhe i thashë se në qoftë se më vijon me më pengue, do ta rrah!
-Pse: -më pyeti ai.
-Shiko mistrec, -i thashë, -mblidhi mend e më le të qetë!.
-Po dhe unë more due me  e vizatue zhirafën- tha Tushi.
-Mirë duhet me prit pak, a sheh se jam tue punue dhe unë.
-u mundova me ia mbush mendjen.
-Unë due ngjyrën e kuqe, -tha ai me kokëfortësi.
-E në qoftë se nuk ta jap, cka mundesh me ba, -i thashë.
-More bre, po unë e marr vet. Kush po të pyet ty aq shumë. -dhe Tushi me të shpejt e shtrini dorën kah kutia e ngjyrave.
U hidhnova. Ia ngreha mirë veshin.
-Me këto fjalë që po më thue, kurrgja nuk t’jap, -i thashë dhe e shtyna në bar larg meje.
Për një kohë të gjatë ndeji larg meje, nuk më afrohej. Rrinte tue mendue ku me dijt diçka, buza i ishte var prej pikëllimit, vetëm nuk qante.
-Po mirë Mirash, -tha Tushi përvajshëm, -nëqoftëse nuk të duhet ngjyra e kuqe, a po ma jep?
Unë e shkova me habi.
-Të lutem, nëqoftëse nuk të duhet a ma jep e t’ia baj Zhirafës larat me ngjyrë  të kuqe.
Unë edhe njëherë Tushin shikova me habi. Lutja e tij më çuditi dhe zëri me të cilin më foli, -më zbuti. Unë i pashë sytë e vëllait kah shikojshin dëshpërueshëm kah unë. Aty për aty te unë u shfaq edhe njëfarë dhimsunije për të. Dora vetvetiu e mori ngjyrën të cilën ia dhashë. Sytë e Tushit shndritën prej gëzimit. A thua se kuptoj se me fjalë të rënda s’mund me ba asgja. Sigurisht do të ketë mendue kështu. Dhe me të vërtetë na fëmijët jemi plot dreqni, nuk pyet kush kur duam diçka me e amër ose me kërkue. Gjithmonë flasim fjalë të rënda, e kur të tjerët nuk na e përmbushin dëshirën, atëherë na mbetet hatri, e nuk na bien aspak ndërmend se me një fjalë të butë, me një fjalë që i ka hije çdo fëmije, mundemi me ia arrit qëllimit, mundet me ia thye akullin e zemrës gjithkujt.


Shkrimi u botua në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm