Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka zbuluar një fushatë të re mashtrimi që synon qytetarët shqiptarë përmes SMS-ve për gjoba trafiku të papaguara. Pas linkeve të dërguara në këto mesazhe fshihen faqe të rreme që kopjojnë e-Albania dhe synojnë përvetësimin e të dhënave personale e bankare.

Sipas AKSK-së, mesazhet paraqiten si njoftime zyrtare dhe u kërkojnë qytetarëve të klikojnë në lidhje të caktuara për të shlyer gjobat e pretenduara. Në momentin që përdoruesit futen në këto faqe, ata rrezikojnë të dorëzojnë të dhëna sensitive, përfshirë kredencialet e llogarive dhe informacionet bankare.

Autoriteti bën me dije se ka referuar pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, si dhe pranë AKEP-it, domain-et dhe adresat IP të përdorura në këtë aktivitet me qëllim bllokimin e tyre.

AKSK u kërkon qytetarëve të mos klikojnë në lidhje të dyshimta dhe të mos japin asnjë informacion personal apo bankar përmes faqeve që nuk janë zyrtare. Gjithashtu, këshillohet që çdo pagesë apo verifikim i gjobave të kryhet vetëm nëpërmjet kanaleve zyrtare.

Autoriteti apelon për kujdes të shtuar, ndërsa thekson se në rastet kur qytetarët dyshojnë se kanë rënë pre e mashtrimit, duhet të kontaktojnë menjëherë bankën e tyre dhe të raportojnë rastin pranë institucioneve përkatëse.

Njoftimi i plotë i AKSK-së

"Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka identifikuar një fushatë mashtrimi përmes mesazheve SMS, të cilat paraqiten si njoftime për gjoba trafiku të papaguara dhe ridrejtojnë përdoruesit drejt faqeve që imitojnë platformën zyrtare e-Albania, me qëllim përvetësimin e të dhënave personale, kredencialeve dhe informacioneve bankare.

AKSK ka ndërmarrë masat e nevojshme, duke referuar pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, si dhe pranë AKEP-it, domain-et dhe adresat IP të përdorura në këtë aktivitet keqdashës, për marrjen e masave përkatëse të bllokimit. Mesazhet përmbajnë lidhje të dyshimta që synojnë përvetësimin e të dhënave personale, kredencialeve dhe informacioneve bankare.

Për t’u mbrojtur:

  • Mos klikoni në lidhje të dyshimta.
  • Mos ndani të dhëna personale apo bankare.
  • Verifikoni gjithmonë adresën e faqes që po vizitoni.
  • Përdorni vetëm kanalet zyrtare për të kontrolluar ose kryer pagesa.

Nëse dyshoni se keni rënë pre e këtij mashtrimi, kontaktoni menjëherë bankën tuaj dhe raportoni rastin pranë autoriteteve përkatëse."

Një thirrje të ngjashme e ka përsëritur edhe Policia e Shtetit që u thotë qytetarëve të mos ndërmarrin veprime dhe të raportojnë çdo rast pranë autoriteteve.

  • Të mos klikojnë në lidhje të dërguara nëpërmjet SMS-ve nga burime të panjohura ose të dyshimta;
  • Të mos japin të dhëna personale apo bankare në faqe interneti të paverifikuara;
  • Të mos ndajnë me askënd kodet e sigurisë, PIN-et apo kodet e autentifikimit të dërguara nga institucionet bankare;
  • Të verifikojnë çdo njoftim vetëm përmes kanaleve zyrtare të institucionit përkatës;
  • Të kontaktojnë menjëherë bankën e tyre në rast se kanë plotësuar të dhëna bankare në një faqe të dyshimtë;
  • Të raportojnë çdo rast të dyshuar pranë Policisë së Shtetit.