Hithra mbetet një nga bimët më të fuqishme të mjekësisë popullore shqiptare dhe një ndër burimet më të pasura natyrore të vitaminave, mineraleve dhe përbërësve bioaktivë. Përdorimet e saj janë të shumta, nga forcimi i imunitetit, përmirësimi i funksionit të mëlçisë, deri te problemet e prostatës dhe rënia e flokëve. Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja në "Rreze Dielli" në Report TV, shpjegon se forca shëruese e hithrës qëndron pikërisht te përbërja e saj kimike, e cila i jep kësaj bime efekte unikale detoksifikuese, antiinflamatore dhe rigjeneruese.

“Gjethet e hithrës janë të pasura me proteina bimore që rrisin energjinë, me vitamina C, A dhe K, si edhe me minerale si kalcium, magnez, kalium e hekur, gjithashtu përmbajnë acide organike që pastrojnë gjakun dhe forcojnë imunitetin. Rrënja përmban polisaharide dhe fitosterole që ndihmojnë në frenimin e zmadhimit të prostatës, ndërsa farat përmbajnë vajra dhe proteina që rrisin energjinë, forcojnë flokët dhe mbështesin funksionin e mëlçisë."– shpjegon Merja.

Sipas tij, përbërësit kimikë që e bëjnë hithrën të djegë janë pikërisht “sekreti” i efektit të saj të fortë në rastet e alergjive dhe problemeve reumatizmale.

"Përfitimet kryesore shëndetësore që marrim nga përdorimi i hithrës: pastron dhe hollon gjakun, ndihmon në rast anemie, përmirëson funksionin e mëlçisë, forcon imunitetin, zvogëlon edemën e prostatës dhe nxit urinimin, largon zbokthin dhe forcon flokët, ndihmon kundër alergjive, lodhjes, tendinit, hemorroideve, diarreve, ngërçeve dhe akneve. Hithra ka veti antivirale, antimikrobike, antiinflamatore dhe kundër plakjes", - thekson specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja, i cili jep dhe disa receta praktike.

Si ta përdorim hithrën në shtëpi

  • - Çaj hithre: 3 lugë gjelle gjethe të thara ose 25–30 g të njoma në 3 gota ujë. Pijet gjatë ditës.
  • - Tinktura alkoolike: 50–60 g gjethe të njoma ose 30–35 g të thata në 100 ml alkool ushqimor. Lihet 7–10 ditë. Konsumohet 3 herë në ditë, 15 ml të tretura në ujë.
  • -Hemoragji nga hundët: Garzë e lagur me çaj hithre dhe bishtamithi vendoset në kanalin e hundës 2 herë në ditë. Konsumohen edhe 2 gota çaji.
  • - Rënie flokësh: Çaj me rrënjë hithre, gjethe hithre, rozmarinë dhe sherebel, shpëla flokët 3–4 herë në javë dhe pini 2–3 gota çaj në ditë.
  • - Alergji: Ziejini për 2–3 minuta një dorë hithra dhe një dorë mëllagë në 500 ml ujë. Çaji pihet gjatë ditës.
  • - Edemë e prostatës: Ziejini për 3–5 minuta një dorë rrënjë hithre, 3–4 fije epilobium, 1 lugë rrush ariu dhe një dorë bar ngjitës në 1 litër ujë. Pihen 3 gota çaji në ditë, konsumohen dhe 2 lugë çaji fara gjembgomari dhe 1 lugë supe fara kungulli.

 

Shënim i redaksisë: Përdorimi i bimëve natyrale nuk zëvendëson trajtimin mjekësor. Konsultohuni me mjekun, sidomos nëse keni sëmundje kronike, jeni shtatzënë ose merrni medikamente të përhershme!