Zbutja e dënimit, nga burg përjetë, në 35 vjet heqje lirie, për vrasësin e një polici, u vlerësua shqetësues nga ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, i cili theksoi se një vendim i tillë lëndon familjen e të ndjerit dhe dekurajon kolegët me uniformë.
Gjykata e Fierit e dënoi me burg përjetë, Azgan Mërnicën, i cili në vitin 2024 vrau policin 28-vjeçar, Novruz Cenalia në Fier. Të njëjtin dënim, burgim të përjetshëm, kishte kërkuar edhe prokuroria. Por Apeli, me një vendim të enjten, e dënoi autorin, me 35 vite burg, për 3 akuza, vrasje e punonjësit të shtetit, armëmbajtje pa leje, dhe drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt.
Për ministrin e Brendshëm, vrasja e efektivit, ishte një sulm i hapur ndaj shtetit dhe rendit ligjor. Ulja e dënimit për autorin, sipas tij “rrezikon të japë një mesazh të gabuar për këdo që guxon t’i kundërvihet ligjit dhe shtetit të së drejtës”.
“Vendimi për zbutjen e dënimit ndaj autorit të vrasjes së një punonjësi të Policisë së Shtetit është thellësisht shqetësues. Edhe pse nuk jemi njohur ende me arsyetimin e plotë, vrasja e efektivit të ‘Shqiponjave’ Novruz Cenalia ishte një sulm i hapur ndaj vetë shtetit dhe rendit ligjor. Një akt i tillë nuk lëndon vetëm familjen e të ndjerit dhe dekurajon kolegët në uniformë, por rrezikon të japë një mesazh të gabuar për këdo që guxon t’i kundërvihet ligjit dhe shtetit të së drejtës. Respektojmë pavarësinë e gjyqësorit, por presim që drejtësia të jetë e fortë dhe në lartësinë e përgjegjësisë që ka ndaj qytetarëve dhe ndaj atyre që mbrojnë rendin çdo ditë”, shprehet Llamallari.
Efektivi i forcave Shqiponja, i cili po shkonte në punë, i tërhoqi vëmendjen Mërnicës, i cili u fut me shpejtësi në kthesë në një zonë të banuar në fshatin Baltës të Fierit. Por autori, doli nga makina dhe e qëlloi me armë policin duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme më 13 maj të vitit 2024.
Komente










