Ka zgjedhur sërish sloganin e opozitës, me të njëjtin që përdori për herë të parë ditën kur doli publikisht dhe tha se ka vendosur të anulojë zgjedhjet e 30 qershorit. Këtë radhë, jo presidenti Ilir Meta, por është këshilltari i tij, Tedi Blushi, i cili në një status në Facebook, përmend sërish sloganin e opozitës. Shqipëria si gjithë Evropa! Në reagimin e tij, Blushi thotë se rezoluta e Partisë Socialiste dhe nisja e procedurave për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, në vetvete kërkon të instalojë "Narko-Republikën". Zëdhënësi i Metës thotë se Presidenti është zgjedhur nga një parlamenti legjitim, ndërsa parlamentin e sotëm e quajnë jolegjitim. Mocioni i "çunave të Shijakut" - thotë Blushi - do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët shqiptarë

"Ilir Meta është zgjedhur President nga një Parlament plotësisht legjitim, jo nga ky i sotmi. Nga momenti që ai është betuar me dorën mbi Kushtetutë i përket vetëm Republikës. Mocioni i “çunave të Shijakut” që kërkon të instalojë “Narko-Republikën” e bandave dhe oligarkëve do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Shqipëria e para!Shqipëria si gjithë Europa!", shkruan zëdhënësi i Presidencës në rrjetin social Facebook, një njoftim i shpërndarë për mediat edhe në grupin zyrtar të presidencës në Whatsapp.

Ditën e djeshme presidenti Ilir Meta i coi një kërkesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për tu informuar se sa është numri aktual i deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Parlamentit aktualisht i mungojnë 18 deputetë pas shterimit të listave të opozitës për plotësimin e vendeve vakante.

Më herët opozita i ka kërkuar kreut të shtetit që të shpërndajë parlamentin me argumentin se është ilegjitim, pasi nuk ka 140 deputetë, tashmë mbetet për t'u parë se cila do të jetë lëvizja e radhës e kreut të shtetit. Kushtetuta e Shqipërisë nuk parashikon asnjë tagër të Presidentit për shpërndarjen e parlamentit, përveç rastit kur nuk arrin të emërohet Kryeministri.

Statusi në Facebook i këshilltarit të Presidentit