Zef Mazi: Problemi europian me Kosovën nis me negociatorët Borrell e Lajçak, janë në konflikt interesi

Zef Mazi: Problemi europian me Kosovën nis me negociatorët Borrell e Lajçak, janë në konflikt interesi

Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak

Ish-kryengociatori i Shqipërisë për integrimin në BE, Zef Mazi ka dhënë një intervistë, në të cilën ka komentuar tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë. Për ‘Javanews’, Mazi thotë se SHBA dhe BE nuk janë treguar të prera për këtë çështje. Madje, për dy negociatorët Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak nuk duhet të jenë përfaqësues të BE-së për Kosovën.

Sipas Zef Mazit, Borrel dhe Lajçak kanë konflikte interesi pasi dy vendet e origjinës së tyre nuk e kanë njohur Kosovën, pra Spanja dhe Sllovakia.

Intervista

Pyetje: Në dhjetor 2022 patëm një interviste me fokus Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe situatën në Kosovë. Jemi në fillimet e vitit 2023. Pas mbi një muaji, barrikadat në Kosovë u hoqën, armatimet serbe u larguan nga kufiri me Kosovën. Si i shihni se po ecin gjërat?

Së pari, iu uroj juve dhe lexuesve, një vit të ri me shpresën që të jetë me i mirë se viti që lamë pas. Së dyti, muajt nëntor-dhjetor patën zhvillime krejtësisht negative, të palejueshme, të kundërligjeshme, të dënueshme. Burgosja e një polici serb ishte vetëm sebepi për të tensionuar situatën. Së treti, qartas, me dirigjim nga Beogradi, serbët e Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës. Ata ngritën barrikada në rrugë dhe në kufi. Serbia vendosi armatime të rënda afër kufirit verior të Kosovës. Vetëm pas presionit, Beogradi ridirigjoi heqjen e tyre. Kaq here që demonstrohet sa miq të mirë mund të jenë ose janë! Të huajt vazhdojnë të vendosin shenjës të barazimit „midis palëve“, t‘u “ bëhet thirrje ‘palëve’ për dialog, për ulje të tensioneve”.

Shteti dhe qeveria e Kosovës nuk kanë asnjë faj në ato ndodhi që tashmë njihen, të jashtëligjshme, të dënueshme. Ata nuk janë „palë“ në atë lojë serbe, pse jo, edhe disi më gjerë. Kosova është treguar e duruar, e kujdesshme. Ajo ka një kushtetutë, i referohet asaj, e mbron dhe e zbaton. Kosova nuk mundet, nuk është „palë“ me shkelësit e ligjit, ata që, me synime të caktuara politike, prishin rendin publik, kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin e shtetit te Kosoves!

SHBA dhe BE, me gjithë problemet që ka kjo e fundit, nuk duket se janë treguar të prera, të qarta. Zhvillimet nuk u dënuan pa ekuivok, ashtu edhe Beogradi! Terminologjinë e butë, „ledhatuese“, gjuhën e “simetrisë të fajit” (midis agresorit dhe viktimës) që përdoret, Beogradi e merr për mbështetje dhe vijon të veprojë vetëm sipas objektivit të tij afatgjatë!

Pyetje: Si mund ta kuptojmë me qarte këtë?

Janë bërë mjaft luftëra në Ballkan në 120 vitet që kanë kaluar. E fundit ishte ajo e vitit 1999, që çliroi Kosovën nga Serbia. Është krejt e qartë, të gjitha ato luftra kanë pasur vetëm një shkak, një shkaktar, një synim: hegjemoni dhe supremaci e serbëve ndaj popujve të tjerë në Ballkan dhe në kurriz të tyre, zgjerim të territorit serb, ku të gjithë serbët të jetojnë në një shtet unietnik! Strategjive hegjemoniste që po vijojnë u duhet thënë – Stop! Si mundet që në BE ende bëjnë sikur nuk e kuptojnë këtë!? Ballkani nuk mund të bartë më as luftë, as ide apo synime për shkëmbim, rindarje territoriale. Kjo do të thotë të hapej ”Kutia e Pandores“, një proces “domino” në hartën ballkanike. Pasojat do të ishin luftë nga e para! Situata duket edhe më keq kur synimet, veprimet, vishen me vellon e terminologjisë pseudo-demokratike, të tolerancës, forcimit të partneritetit, respektimit të pakicave, etj.

Pyetje: Po i mshohet fort krijimit të asociacioneve të komunave serbe.

E shoh problematike krijimin e asociacioneve etnike vetëm për një pakicë në Kosovë! Paska një marrëveshje të vitit 2013 për këtë! Midis Kosovës dhe Serbisë, mos gaboj, ka rreth 30 marrëveshje. Pothuajse asnjera, ose shumica, nuk është zbatuar. Nuk shoh logjikë tjetër vec „appeasement“ (paqëtimit, qetësimit, marrjes me të mirë, lëshime) ndaj Beogradit“! Vetëm marrëveshja e vitit 2013 duhet të zbatohet!? Në Kosovë, sa di unë, nuk është vetëm pakica serbe, ka dhe 4 apo 5 pakica të tjera. Mos duhen krijuar asociacione për secilen pakicë atje?! A është kjo në linjë me dispozitat kushtetuese kosovare? Jo. Nëse ecet në këtë rrugë, asociacioni, ose asociacionet, do çojnë, de fakto, në ndarjen territoriale të Kosovës, në prishjen e integritetit territorial të saj! Ajo do ngjajë si dy pika loti me Republiken Serbe të Bosnjë-Hercegovinës. Këtë do Serbia. Na pëlqen ose jo, kjo është përshtypja që krijohet. Koha do ta tregojë.

Hapet oreksi i te tjerëve të kërkojnë të njëjtën gjë diku tjetër. E dëgjuam, në s’gaboj, gjatë vizitës të Micotaqisit në Himare dhe në një fshat të minoritetit. Tjetër, p.sh., merren me targat e makinave! Cili shtet në BE, dhe kudo, do të lejonte targa në atë vend të ndryshme nga ato të unifikuara shtetërore të tyre? Asnjë. Vetëm një tip targe, të unifikuar ka çdo shtet i kontinentit! Më duket se po i fryhet përsëri përplasjes, shihet cili/cilët kryeqytete po e bëjnë. Ngjarjet e muajve të fundit, veçanërisht në Kosovë flasin qartë. Beogradi nuk e njeh, nuk do ta njohë. Sa kuptoj, Vuçiçi ia theksoi këtë një zyrtari të DASH që takoi ditët e fundit. Beogradi vijon punën për çnjohje të shtetit të Kosovës. Njohja e ndërsjelltë është celësi i gjithë ecurisë te marrëdhenieve, me atë fillon.

Në Bosnjë-Hercegovinë Dodik kërcënon me shkëputje, mosnjohje e integritetit të Bosnjë-Hercegovinës. Në Mal të Zi vijojnë përçarjet përmes Kishës Ortodokse. Ndërkohe kërkohen e merren koncesione nga BE që, në vend ta suspendojë, vijon ecurinë e integrimit me Serbinë duke e lejuar atë rrugë. Këto zhvillime duhen prerë sot, në fakt dje, qartë, fort. Diku njihet vetëm gjuha e forcës, diplomatikja është për të kaluar radhën publikisht.

Pyetje: Si e shihni reagimin e pranisë të NATOs, apo direkt të NATOs në Bruksel, lidhur me zhvillimet e dy muajve të fundit në Kosovë e rreth saj?.

Përgjigje. NATO duket se ka lënë ekuivoke, ka dhënë sinjale të paqarta, për të mos thënë, më tepër se kaq. NATO nuk e ka dënuar në mënyrë eksplicite, me force, gjithçka ka ndodhur. Ajo nuk ka kërkuar largimin e menjëhershëm të armatimeve serbe nga kufiri; nuk kërkoi heqjen e barrikadave, nuk vuri afat pas të cilit t’i hiqte me forcë; nuk bëri paralajmërim të qartë, të prerë: të mos cënohet, mos preket, në asnjë lloj forme, integriteti territorial i Kosovës! NATO duhej ta lehtësonte zbatimin e të drejtës juridike dhe praktike të Kosovës, që i gjithë territori i shtetit të Kosovës të vendoset nën kontrollin e plotë të Qeverisë të Kosovës. Kjo ende nuk ka ndodhur!

Pyetje: Më lart përmendët BE-në si jo pa probleme. Ku i shihni ato probleme?

BE-ia ka jo pak probleme në disa fusha. Po fokusohem në çka po analizohet. BE-ia ka mungese kohezioni. Ende 5 shtete në BE  nuk e kanë njohur Kosovën, dhe deklarojnë nuk do ta njohin. Kjo forcon mungesën e kohezionit, përbën inkurajim për Serbinë. Në BE ka nacionalizma, disa te theksuar. Per interesa te veçanta kombëtare dikush, disa në BE, nuk lejojnë t‘u preket as ”një qime floku“ vendeve të tyre. Për të tjerët ka thirrje për dialog, për të ndihmuar, ndërmjetësuar. Shpaloset ”internacionalizmi“, “interesi i paqes dhe sigurise në Evrope“, etj.. Dialogu është shumë i mire, duhet nxitur. Asgjë të keqe të bëhet thirrje për dialog. Por thirrja për dialog nuk duhet të zëvendësojë gjuhë tjetër, të fortë, të qartë, kur shkelet ligji, kur bëhen akte të dënueshme, etj., sa thashë më lart.

Për të qenë më konkret: Borrel dhe veçanërisht Lajcak, nuk duhet të ushtrojnë funksionet që u janë besuar në lidhje me Kosovën. Ata mund të jenë të aftë individualisht, me përvojë të gjatë politike-diplomatike. Por ata kanë pas interesat e mëdha kombëtare të vendeve të tyre: shtetet e tyre nuk e kanë njohur dhe nuk dihet nëse dhe kur do mund ta njohin Kosovën.

Borrel dhe Lajcak kanë qenë ministra të jashtëm të vendeve të tyre. Ata kanë mbajtur qëndrimet që njihen, në ato funksione, ndaj Kosovës: kanë udhëzuar misionet e tyre diplomatike të vijojnë mosnjohjen e Kosovës. Si të tillë, ata kanë konflikt madhor interesi! A mundet ata të merren me Kosovën dhe të jenë ndërmjetës?! Asnjë shtet tjeter nuk do ta kishte lejuar vijimin e punëve po të kishte një konflikt të tillë të madh interesi! Ka mungese besimi ndaj tyre lidhur me Kosovën. Kosova, nga ana e saj, nuk duhet ta kishte pranuar këtë gjë! Në BE ka shtete, përfaqësuesve të të cilëve mund t‘u besohen funksionet që mbajnë dhe ushtrojnë ata lidhur me Kosovën.

Do ishte e dëshirueshme që Qeveria e Kosovës, politika në Kosove të ishte unanime, të merrte vendim të mirëinformuar, të qartë, pa ekuivok, pa kundërshti, në këtë drejtim, me këdo. Cilido duhet të respektojë, sado pak, mendimin e Kosovës, pa presione. Ndoshta do ishte mirë edhe të suspendohej, të mos kishte pozitë-opozitë funksionale deri kur Kosova të bëhej subjekt i plotë i të drejtës ndërkombëtare. Kjo do ishte në interesin jetik të Kosovës sepse është rrugë e gjatë, me kthesa, tatëpjeta, vështirësi. Janë të dukshme kthesat në qëndrime. Ndryshe, shoh që situata “limbo” (qëndrim më një këmbë), do ketë vështirësi më të mëdha, do zgjasë. Nuk bëj parashikim, nuk dua të karakterizohem si pesimist. Por nuk më duket se kemi hyrë në një vit që do ketë shumë zhvillime për të gëzuar.

Pyetje: Përfitoj nga rasti të bëj një pyetje personale. Mbi dy vjet ju mbajtën, për herë të parë, postin e Kryenegociatorit të Shqipërisë për integrimin në BE. Kujtoj superlativat me të cilat ju prezantoi Kryeministri kur morët detyrën. Si ndodhi që, papritur, ju u larguat nga posti i Kryenegociatorit dhe perse? Askush nuk ka folur për këtë.

Kjo është çështje për çka do jem mjaft i kursyer. Etika profesionale nuk ma lejon ndryshe. Unë e kam falenderuar publikisht Kryeministrin që ma besoi mua atë atë post. Isha i pari Kryenegociator i RSH për aderimin në BE, me VKM të posaçme, në rang ministri shteti. Brenda një viti e pak muaj nga marrja e detyrës, vendet anëtare të BE-së dhe Komisioni Evorpian u bindën se Shqipëria kishte plotësuar të gjitha kërkesat për mbajtjen e Konferencës të Parë Ndërqeveritare. Ajo u mbajt më 19 Korrik 2022. U arrit suksesi, objektivi madhor. Ishte ngjarje vërtetë historike, sukses i madh për Shqipërinë: u hapën zyrtarisht negociatat e aderimit në BE.

Unë e bëra pjesën time. Unë u tërhoqa pas suksesit për t’ia lenë vendin më të rinjve të vazhdojne këtë rrugë të gjatë, tatëpjetë të fortë, të komplikuar, të vështirë diplomatike, negociuese, politike, për aderimin e Shqipërisë në BE. Ndjehem kryelart për çka u arrit për vendin dhe popullin tim./JavaNews

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Dakortuesi: 19/01/2023 10:25

    Pershendes komentin nga Mazi, shyqyr qe doli nje person qe e tha hapur qe keta kane konflikt te paster interesi. Ketu nuk na ben asnje lloj pershtypje, se notojme ne konflikte interesi, por me sa duket edhe BE lundron ne ato.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja