Zelensky e kujton urinë e viteve '30 si gjenocid kundër ukrainasve

Zelensky e kujton urinë e viteve '30 si gjenocid kundër ukrainasve

Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është “tejet e rëndësishme” të kujtohet uria e viteve 1932-33, e cila vrau miliona ukrainas, si një “gjenocid” i kryer nga Bashkimi Sovjetik i mbizotëruar nga Rusia.

“Ata u përpoqën të na zhbëjnë, të na nënshtrojnë, të na torturojnë. Ata dështuan. Ata deshën ta fshihnin të vërtetën nga ne dhe t’i mbulonin krimet e tmerrshme përgjithmonë. Ata dështuan”, tha Zelensky gjatë një fjalimi të shtunën, në të cilin e kujtoi urinë nën udhëheqjen e diktatorit sovjetik, Josef Stalin.

Ai shtoi se sot “me nderimin dhe pikëllimin më të madh, ne i kujtojmë miliona njerëzve tanë”.

Tragjedia e urisë njihet si Holodomor në Ukrainë, që në shqip e ka kuptimin “vrasje përmes urisë”. Dita Përkujtimore e Holodomorit u shënua këtë të shtunë në Ukrainë.

Zelensky e nxori një paralele mes urisë së Holodomorit dhe pushtimit të tanishëm të Ukrainës nga Rusia, ushtria e së cilës po i sulmon infrastrukturën dhe depot e eksportimit të drithërave ukrainase.

“Ky është një proces ku linja e politikës totalitare sovjetike dhe linja e politikës moderne ruse e formojnë një shenjë të përbashkët. E liga nuk u ndal. Dhe tani, ne po e ndalim atë”, u shpreh ai.

Pikërisht në ditën e Holodomorit, Rusia e sulmoi Ukrainën me një numër rekord dronësh iranianë, duke i plagosur disa njerëz dhe duke shkaktuar dëme, thanë zyrtarët ukrainas të shtunën, duke e cilësuar këtë si sulmin më të madh rus me dronë prej se Moska e nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt 2022.

Mbrojtja Ajrore e Ukrainës tha se i ka rrëzuar 71 prej 75 dronëve – rreth 60 mbi Kievin - me të cilët Rusia e sulmoi të shtunën.

Ukraina është duke u përgatitur për sulme më të shpeshta ruse ndaj infrastrukturës së saj energjetike gjatë sezonit të ftohtë, sepse Moska e kishte kryer një fushatë të ngjashme dimrin e kaluar, duke i lënë miliona ukrainas në terr dhe në të ftohtë, pasi ua kishte shkatërruar infrastrukturën jetike të energjisë./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë