Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se raundi i dytë i bisedimeve trepalëshe midis Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë do të zhvillohen të mërkurën në Abu Dhabi. Bisedime do të mbahen edhe ditën e enjte.

"Tashmë ekziston një marrëveshje për një takim, një takim trepalësh në nivelin e duhur. Ky takim do të zhvillohet siç është planifikuar, të mërkurën dhe të enjten në Emirates, ashtu si herën e fundit”, deklaroi Zelensky.

Dy ditë më parë, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, tha se zhvilloi takime produktive dhe konstruktive me të dërguarin special rus, Kirill Dmitriev, në Miami, ndërsa administrata e Presidentit Donald Trump po bën presion për t'i dhënë fund luftës gati katërvjeçare të Rusisë në Ukrainë.

Raundi i parë i negociatave trepalëshe u zhvillua në 23-24 janar, por nuk pati shumë përparim në çështjen e territorit. Moska dhe Kievi thanë se ishin të hapura për dialog të mëtejshëm.

Udhëheqësi ukrainas ka pranuar dallimet themelore midis qëndrimeve ukrainase dhe ruse, duke riafirmuar çështjet territoriale si një pikë të rëndësishme mosmarrëveshjeje.

Kremlini këmbëngul që për të arritur një marrëveshje paqeje, Kievi duhet të tërheqë trupat e tij nga zonat në lindje që Rusia i aneksoi në mënyrë të paligjshme, por që nuk i ka pushtuar plotësisht.

Ndërkaq, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump më 29 janar njoftoi se i kishte kërkuar Presidentit rus, Vladimir Putin të ndalonte bombardimin e qyteteve ukrainase për një javë. Moska tha të nesërmen se armëpushimi vlen vetëm për Kievin dhe do të zgjaste deri më 1 shkurt.

Në ditët e fundit, Rusia ka vazhduar sulmet e saj ndaj infrastrukturës civile në qytete të tjera ukrainase.